Kërko

Vatican News

Papa: i sëmuri ka gjithnjë nevojë për ndihmë. Nga Zoti e nga njeriu.

Një i vetëm është Mësuesi juaj e ju jeni të gjithë vëllezër (Mt 23,8) Marrëdhëniet e mirëbesimit, në bazë të kujdesit për të sëmurët” – kjo është tema e Ditës XXIX Botërore të të Sëmurit, që kremtohet sot më 11 shkurt 2021.

R.SH. - Vatikan

Kremtimi i Ditës XXIX Botërore të të Sëmurit, sot më 11 shkurt, ditën e festës së Zojës Lurdë, është çast i përshtatshëm për t’i kushtuar vëmendje të veçantë të sëmurëve dhe atyre, që i ndihmojnë, si në vendet e posaçme të mjekimit, ashtu edhe në familje a në bashkësi. E mendimi të shkon menjëherë tek të gjithë ata, që në mbarë botën, preken nga pandemia  e koronavirusit. Atyre, e posaçërisht më të varfërve, Papa Françesku u shpreh afërsinë e tij shpirtërore, duke i siguruar të sëmurit se Kishën e kanë gjithnjë pranë. Në vijim një përmbledhje e Mesazhit të Papës Bergolio për Ditën XXIX Botërore të të Sëmurit 2021, shpallur më 12 janar 2021.

Tema e Ditës XXIX Botërore të të Sëmurit frymëzuar nga Ungjilli

Tema e kësaj dite frymëzohet nga fragmenti i Ungjillit sipas Mateut(Mt 23,1-12) në të cilin Jezusi e kritikon hipokrizinë e njerëzve që thonë, e nuk bëjnë: që u shërbejnë të sëmurëve me fjalë të thata, por jo me vepra, pa u shkuar as nëpër mend se besojma duhet jetuar, nëse duan të ruhen nga rreziku i rënies në idhujtari. Ndaj pohon: “Një i vetëm është Mësuesi juaj, e ju jeni të gjithë vëllezër”. Kritika e Krishtit u drejtohet hipokritëve, duke u kujtuar se duhet të ruhen nga hipokrizia, sëmundje shumë e rëndë, që e pengon vëllazërimin.

Jezusi propozon vendosjen e lidhjeve të drejtpërdrejta e personale me të sëmurin. Ai që e ndihmon, duhet të preket në shpirt nga dhimbja e tjetrit në atë masë, sa të vihet në shërbim të tij.

I sëmuri ka nevojë për ndihmë

Në mesazh Papa kujton se i sëmuri ka gjithnjë nevojë për ndihmë. Nga Zoti e nga njeriu. Sepse sëmundja ndikon frikshëm mbi korpin e mbi shpirtin: i sëmuri ndjehet i paaftë, me vetëdijen se sëmundja nuk varet prej tij. Atëhere, i ligështuar, i drejtohet Zotit, por jo gjithnjë e merr menjëherë përgjigjen e dëshiruar. Miqtë e familjarët nuk janë aq të aftë, sa ta ndihmojnë në këtë kërkim të lodhshëm, të ankthshëm.

Tani sytë e mi të panë, o Zot!

Papa kujton në Mesazh, si model për gjithë njerëzit që provojnë ligështinë e sëmundjes, figurën simbolike të Jobit. Askush nuk e ndihmon në çastin e fatkeqësisë, madje e akuzojnë, duke ia thelluar vetminë e përhumbjen. Atëhere Jobi ndjen mbi vete barrën e rëndë të keqkuptimit. Po pikërisht në këtë situatë të padurueshme, duke zgjedhur rrugën e sinqeritetit ndaj Zotit e të afërmit, i drejton të Tjetlartit një britmë të fuqishme, këmbëngulëse, për ndihmë. Atëhere Zoti e dëgjon e i hap një horizont  të ri. I kujton se vuajtja e tij nuk është dënim, as harresë, e nuk ka të bëjë fare me largimin e Zotit as me ndonjë shenjë të indiferencës së Tij. Atëhere nga zemra e plagosur e më pas e shëruar e Jobit, lartohet një nga britmat më prekëse drejtuar Zotit: “Të pata njohur vetëm sepse e pata dëgjuar emrin tënd, po tani sytë e mi të panë, o Zot!”.

Sëmundja ka përherë një fytyrë

Sëmundja ka përherë një fytyrë - kujton Papa në mesazhin për Ditën e të Sëmurit - madje jo vetëm një, por disa: ka fytyrën e çdo të sëmuri e të sëmure, edhe të atyre, që harrohen, që përjashtohen, që janë viktima të padrejtësive shoqërore e që u mohohen të gjitha të drejtat themelore.  E këtu Papa kujton pandeminë e pabarazitë që dolën në shesh lidhur me trajtimin e të sëmurëve. Sidomos të moshuarve, të cilëve shumë shpesh u mungoi kujdesi mjekësor. E kjo - kujton Papa - varet nga qëndrimet politike, nga mënyra e shfrytëzimit të burimeve e nga angazhimi i atyre, që kanë role me përgjegjësi. Investimi i burimeve për asistencën e njerëzve të sëmurë - nënvizon Papa në mesazhin për Ditën e të Sëmurit - është detyrë parësore, që lidhet me parimin e shëndetit, parë si pasuria më e çmuar e njeriut.

Papa nuk mungon t’i përshëndesë të gjithë punonjësit e shëndetësisë, meshtarët, rregulltarët e rregulltaret që, me profesionalitet e me vetmohim të madh, i ndihmuan, i mjekuan, i ngushëlluan e u shërbyen shumë të sëmurëve e familjarëve të tyre. Një aradhe e heshtur njerëzish, të cilët u bënë të afërt me ata që vuanin, “thjesht sepse ishin pjesëtarë të familjes njerëzore”.

Këtu mesazhi papnor kushtuar Ditës të të Sëmurit kujton vlerën e solidaritetit vëllazëror, që gjen shprehjen e vet në shërbimin konkret përmes formave të ndryshme, që të gjitha të orientuara në shërbim të të afërmit: “Të shërbesh - na kujton Papa - do të thotë të kesh kujdes për ata që janë më të ligësht në gjirin e familjeve tona, në shoqërinë tonë, në popullin tonë”.

Një pakt ndërmjet mjekuesve e të mjekuarve

Në mesazh Françesku flet për krijimin e një pakti ndërmjet atyre që kanë nevojë për mjekim, e atyre që i mjekojnë, derisa të ngrihen përsëri në këmbë, të shëruar. Ndaj duhet krijuar një pakt ndërmjet tyre: pakt i themeluar mbi besimin reciprok, mbi sinqeritetin, gatishmërinë, duke vënë në qendër dinjitetin e të sëmurit.

E kjo sepse pikërisht në këtë lidhje gjindet gurra e pashterrshme e forcës, që buron nga dashuria e Krishtit për njeriun, sidomos për të sëmurët. E këtë - kujton akoma Papa në mesazhin për ditën e të sëmurit, e tregon dëshmia e burrave dhe e grave, që u shenjtëruan në shërbim të të sëmurëve.

Urdhërimi i Krishtit

Së fundi Françesku kujton, në mesaszh, edhe urdhërin e dashurisë, që Jezusi ua dha dishepujve të vet. Në të realizohet konkretisht edhe lidhja me të sëmurin. Një shoqëri është njerëzore në atë masë, me të cilën  kujdeset për anëtarët e saj më të ligshtë e më të vuajtur.

E në përufndim të mesazhit, Papa ia beson Zojës së Bekuar, Nënës së Mëshirës e të Shëndetit, të gjithë të sëmurët, punonjësit e shëndetësisë dhe ata,  të cilët i rrinë te koka njeriut, që vuan!

“Nga Shpella e Lurdës e nga shenjtoret e saj përhapur në botën mbarë, Zoja na ndihmoftë të kujdesemi njëri për tjetrin me dashuri vëllazërore” - kujton Papa në Mesazhin për ditën e të sëmurit, që përfundon me bekimin apostolik të Atit të Shenjtë për gjithë të sëmurët, aq të shumtë në këtë mjegullnajë sëmundjeje që mbështjell këto ditë botën e që e bën edhe më të ndjeshme se kurrë kremtimin e kësaj dite!

11 shkurt 2021, 10:56