Kërko

Vatican News

Lutja e Françeskut për viktimat e fatkeqësisë natyrore në Himalaja

Në përfundim të katekizmit të audiencës së përgjithshme, Papa kujtoi Indinë dhe Lindjen e largët. U shprehu afërsinë të plagosurve dhe të humburve në tragjedinë e së dielës mbi Himalajë dhe i ngushëlloi ipeshkvijtë indianë për shuarjen e jetëve aq të çmuara njerëzore, si pasojë e kësaj fatkeqësie natyrore. Më pas, me syrin gjithnjë drejt Lindjes, u drejtoi urimet më të mira popullsive, që kremtojnë Ditën e Vitit të ri hënor.

R. SH. - Vatikan

Së pari, urimi i Papës që të gjithë të kenë shëndet të plotë e jetë të qetë, në këtë atmosferë plot me ankthe, kur shëndeti është një nga problemet më jetike, që rëndojnë mbi botën tonë të përfshirë në  luftën më të tragjike: luftën për jetën:

“Në këtë çast të veçantë, të ngarkuar me shqetësime të forta për përballimin e sfidave të pandemisë, që prekin jo vetëm trupin, por edhe shpirtin e njerëzve, duke ndikuar edhe mbi marrëdhëniet shoqërore, uroj që të gjithë të kenë shëndet të plotë e jetë të qetë”.

Ky, urimi i Françeskut në përfundim të audiencës së përgjithshme. Papa ftoi për “lutje kushtuar dhuratës së paqes e gjithë të mirave”, duke kujtuar se ato fitohen me mirësi, respekt, largpamje e guxim. Mos harroni kurrë - shtoi -  të kujdeseni për më të varfërit e më të ligshtit.

Urimi për Vitin e ri hënor

Më pas, një urim për Lindjen e largët e vise të tjera të botës ku, të premten e ardhshme, 12 shkurt, miliona burra e gra do të kremtojnë Vitin e ri hënor.

“Atyre e familjeve të tyre - kujtoi Françesku - dëshiroj t’u drejtoj përshndetjet e mia më të përzermërta, njëherësh me urimin që Viti i Ri  t’u sjellë fryte vëllazërimi e solidarieti”.

India, afërsi e lutje për viktimat e shkarjes së akullit

Më pas, afërsia dhe lutja e Papës për viktimat e shkarjes së akullit:

“U shpreh afërsinë time viktimave të fatkeqësisë natyrore që, tri ditë më parë tronditi thellë Indinë veriore, ku një copë akulli u shkëput nga mali duke shkaktuar përmbytjen, që shembi kantieret e dy centraleve elektrike. Lutem për punëtorët e vdekur e familjarët e tyre si dhe për  të gjithë njerëzit, që u dëmtuan nga kjo fatkeqësi”.

Me këto fjalë, shqiptuar në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa shprehu shqetësimin e tij të thellë për Indinë dhe njerëzit e saj, të cilët po e vuajnë këtë mënyxyrë natyrore, në një atmosferë të rënduar edhe nga pandemia, që vijon të hapë me qindra varre të reja.

10 shkurt 2021, 12:48