Kërko

Vatican News
Kardinali Mauro Gambetti Kardinali Mauro Gambetti  

Kardinali Gambetti, vikar i ri i Papës për Qytetin e Vatikanit

Ish-Rojtar i Kuvendit Shenjt të Asizit, kardinali emilianas zëvendëson, për arsye të arritjes së moshës të pensionit, kardinalin Angelo Comastri, edhe në detyrën e kryepriftit të Bazilikës së Vatikanit e të presidentit të Fabrikës së Shën Pjetrit.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku pranoi kërkesën për dorëheqje nga detyra e mëkëmbësit të përgjithshëm të Shenjtërisë së Tij për Qytetin e Vatikanit, të kryepriftit të Bazilikës Papnore të Shën Pjetrit, në Vatikan, e të presidentit të Fabrikës së Shën Pjetrit, paraqitur nga kardinali Angelo Comastri dhe emëroi, në të njëjtat detyra, kardinalin Mauro Gambetti, ish-Rojtar i përgjithshëm i Kuvendit Shenjt të Shën Françeskut, në Asizi.

Ndjekin njëri-tjetrin, në Vatikan, dy njerëz me jetë të thellë e të gjatë shpirtërore e edhe me detyra të rëndësishme meshtarake e baritore. Kardinali Comastri lë pas një mori kujtimesh, veprimtarish, homelish e librash, që shfletohen me përfitime të mëdha shpirtërore nga besimtarët në të katër anët e botës. Për të lënë gjurmë të reja, me pendë e baritori!

Kardinali-frat, që e zëvendëson, “Fra Mauro”, siç e thërrasin thjeshtësisht, si bir i Shën Françeskut, është i diplomuar në  inxhinieri mekanike, pranë Universitetit të Bolonjës. Ndërsa rrugën drejt zhgunit të Shën Françeskut e nisi kur ishte vetëm 27 vjeç, për ta përfunduar me kushtet e përjetshme,  në vitin 2017. Më 2009 u zgjodh ministër provincial për zonën e Emiglia Romagna-s, ndërsa më 2013 u thirr të drejtonte Kuvendin e Shenjtë të Asizit. U krijua kardinal nga Papa Françesku më 25 tetorin e kaluar, menjëherë pasi, më 22 nëntor, kishte marrë shugurimin ipeshkvnor.

Merr në duar trashëgiminë e pasur, nisur që më 1996 nga kardinali Comastri, grumbulluar që kur ishte kryeipeshkëv-prelat i Shenjtërores së Loretos. Nga shtëpia e Nazaretit, në Shtëpinë e Papës - pati thënë në një intervistë të kahmotshme Comastri, për të dëgjuar më shumë njerëzit e fesë, se turistët. Kjo detyrë e rëndësishme në Bazilikën e Shën Pjetrit kalon tani në duart e kardinalit françeskan Gambetti.   

 

20 shkurt 2021, 14:35