Kërko

Vatican News
Lutja e Engjëllit të Tënzot Lutja e Engjëllit të Tënzot  (Vatican Media)

Françesku: Jezusi na prek dhembshurisht, për të na shëruar

Në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, Papa komentoi Ungjillin e takimit të Jezusit me të gërbulurin e i quajti të dy “shkelës” të ligjit, në emër të mëshirës e në kundërshtim me paragjykimet, që e përjashtojnë njeriun. Kërkoi, më pas, një duartrokitje për rrëfyesit që, duke u treguar të mëshirshëm, i marrin njerëzit për dore, për t’i çuar drejt Zotit!

R. SH. - Vatikan

Në qendër të vëmendjes, në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, ishte fragmenti ungjillor i së dielës, që përshkruan takimin e Jezusit me një njeri të sëmurë nga gërbula. Të gërbulurit - kujtoi Papa - shikoheshin si njerëz të papastër e, sipas ligjit, duhet të rrinin përjashta qendrës së banuar. Përjashtoheshin, kështu, nga çdo marrëdhënie njerëzore, shoqërore e fetare. Nuk mund të hynin në sinagogë, as në tempull. Kështu bënin njerëzit.

Jezusi, pranë të gërbulurve

Ndërsa Jezusi - vijoi komentin e Ungjillit Papa - e lë t’i afrohet ai njeri, preket në shpirt aq sa shtrin dorën dhe e çik. E kjo, në atë kohë, nuk mund as të mendohej. E kështu realizon lajmin e mirë, që kumton: “Zoti u bë i afërt me ne! Zoti ka mëshirë për fatet e njerëzimit të plagosur e vjen të shembë çdo mur, që pengon për ta jetuar lidhjen me të, me të tjerët e me vetveten”. U bë i afërt… afërsi:

“Kujtojeni mirë këtë fjalë: afërsi, mëshirë! Ungjilli thotë se Jezusi, duke e parë të gëbulurin, pati mëshirë, pati dhembshuri. Tri fjalë,  që flasin vetë për stilin e Zotit: afërsi, mëshirë, dhembshuri!”.

Fytyra tjetër e Zotit

Në këtë episod - shpjegoi Papa në vijim - mund të vërejmë “dy shkelje” njëherësh: atë të të gërbulurit, që i afrohet Jezusit, gjë që nuk duhet ta bënte, e edhe atë të Jezusit që, i tronditur thellë në shpirt, e prek dhembshurisht, për ta shëruar. Gjë, që nuk duhej ta bënte. Të dy  e shkelin ligjin.

Shkelja e parë është ajo e të gërbulurit: pavarësisht nga prishja e rregullit, ai del nga izolimi e vjen tek Jezusi. Sëmundja e tij shikohej si dënim hyjnor, por, në Jezusin, ai mund të shohë fytyrën tjetër të Zotit: jo atë të Zotit që dënon, por të Atit plot me mëshirë e dashuri, që të çliron nga mëkati e nuk të përjashton kurrë nga mëshira e tij. Kështu ky njeri - kujtoi Papa në lutjen e Engjëllit - mund të dalë nga izolimi, sepse në Krishtin gjen Zotin, që e ndan me të dhimbjen. Sjellja e Jezusit e tërheq, e shtyn të dalë nga vetvetja  e t’ia besojë Atij gjithë historine vet të dhimbshme.

“E, më lejoni këtu një mendim për shumë meshtarë të mirë, që sillen kështu: i tërheqin njerëzit, shumë njerëz, që e ndjenë veten për tokë, nga pesha e mëkateve të tyre… Me dashuri, me dhembshuri… U lumtë këtyre rrëfyesve, që nuk rrinë me kamxhik në dorë, por mirëpresin, dëgjojnë, thonë se Zoti është i mirë! Ju  kërkoj sot, ju të gjithëve, një duartrokitje, këtu, në shesh, të gjithë!”.

Thirrje, kjo,  e cila u pasua nga një duartrokitje, që tundi sheshin, sot përplot me njerëz.

Jezusi nuk kufizohet me fjalë, prek e shëron

Shkelja e dytë është e Jezusit: ndërsa ligji e ndalonte prekjen e të gërbulurve, Ai tronditet në shpirt, shtrin dorën dhe e prek, për ta shëruar. Nuk mjaftohet vetëm me fjalë, por edhe e prek. Të prekësh me dashuri, do të thotë të krijosh lidhje, të hysh në bashkim, të depërtosh në jetën e tjetrit aq, sa të ndash me të edhe plagët.

Me këtë gjest, Jezusi dëshmon se Zoti nuk është indiferent, nuk mban “distancën e sigurisë”, madje afrohet gjithë mëshirë dhe e prek jetën e sëmurë, për ta rikthyer në shëndet.

Këtë theksoi Papa, duke kujtuar, më pas se edhe sot, në botë, shumë nga vëllezërit tanë, që vuajnë nga kjo sëmundje a nga sëmundje të tjera, në vend që të ndihmohen, rëndohen më keq nga paragjykimet shoqërore, si të gëbulurit:

“Ky është mëkatar. Kujtojeni çastin kur hyri në gosti ajo gruaja e hodhi mbi këmbët e Jezusit  parfumin...Të tjerët mërmëronin: ‘Epo, nëse ky do të ishte profet, do ta kishte njohur menjëherë këtë grua, këtë mëkatare’. E përçmuan! Ndërsa Jezusi e mirëpriti, madje edhe e falënderoi. Është paragjykim shoqëror, për t’i larguar njerëzit me fjalët: ‘Ky është  papastër, ky tjetri, mëkatar, ai batakçi…”. Po, nganjëherë është e vërtetë, por nuk duhet paragjykuar!”.

Zoti nuk është doktrinë abstrakte

Nga koha e Krishtit - në kohën e sotme! Papa kujtoi se edhe sot e kësaj dite në  botë ka shumë vëllezër e motra, që vuajnë nga kjo sëmundje, ose nga sëmundje të tjera, të përndjekur nga paragjykimet shoqërore. Si dymijë vjet më parë. Po nuk duhet harruar se secili nga ne mund të provojë plagë, dështime, vuajtje, egoizma, që ta mbyllin zemrën për Zotin e për të tjerët. Përballë gjithë këtyre rreziqeve, Jezusi na kumton se Zoti nuk është ide, nuk është doktrinë abstrakte. Zoti është Ai, që nuk ka frikë se “do t’i ngjitet” lëngata e natyrës sonë njerëzore të plagosur, as nuk ka droje të prekë plagët tona.

Dashuri, pa paragjykime   

Për të respektuar rregullat e mirësjelljes e të zakoneve shoqërore, ne shpesh e fshehim dhimbjen tonë, vëmë maska, që e mbulojnë. Për hir të llogarive tona a të ligjeve të brendshme të frikës sonë, nuk ia vëmë shumë veshin vuajtjes së të tjerëve. Ndërsa duhet t’i kërkojmë Zotit hirin t’i jetojmë “këto shkelje” të Ungjillit. Këtë shkelje  “të të gërbulurit”. Të kemi guxim e të dalim nga izolimi ynë e, në vend që të rrimë aty duke mëshiruar vetveten e duke vënë kujën për dështimet tona, të nisemi e të shkojmë tek Jezusi ashtu, si jemi. E pastaj ta provojmë “shkeljen e Jezusit”: dashurinë që shkon përtej zakoneve, që  nuk pyet për paragjykimet, që nuk ka frikë të ngatërrohet në jetën e tjetrit.

“Na shoqëroftë në këtë udhë - ishte lutja përfundimtare e Papës- Virgjëra Mari, së cilës po i lutemi me Engjëllin e Tënzot”.

14 shkurt 2021, 14:08