Kërko

papa Francesco primo piano, ritratto papa Francesco primo piano, ritratto 

Françesku: feja pa dyshime, nuk ka kuptim

Gazeta italiane “Il Corriere della Sera” boton disa fragmente nga libri-intervistë i don Marco Pozza-s me Papën, kushtuar veseve e virtyteve: “Krizat e fesë flasin për nevojën e hyrjes gjithnjë më në thellësi të misterit të Zotit”. “Përmbytjen biblike, këtë rrezikohemi ta shikojmë rishtas, nëse vijojmë të ecim në të njëjtën rrugë!” - këtë lexojmë në faqet e gazetës italiane.

R. SH. - Vatikan

“Veset e virtytet” (Botues, Rizzoli), është titulli i librit të ri - intervistë  e don Marco Pozza-s me Papën Françesku, që do të dalë më 2 marsin e ardhshëm. Kapelani i burgut të Padovës bisedon me Papën për një transmetim televiziv. Corriere della Sera i paraprin këtij botimi, me disa fragmente nga libri. Ndërsa seria  do të mund të ndiqet së shpejti në Nove, gjatë tri mbrëmjeve e do të ketë 7 episode kushtuar ballafaqimit të veseve me virtytet, ashtu si i interpretoi dhe i afreskoi gjenia krijuese e Giottos, në Kapelën e Scrovegni-t të Padovës. E pikërisht marrëdhëniet e luhatshme ndërmjet 7 veseve (inati, dëshpërimi, paqëndrueshmëria, zilia, pabesia, padrejtësia, marrëzia) me 7 virtytet (dija, drejtësia, qëndresa, përkora, feja, shpresa e dashuria) janë filli i kuq, që lidh bisedën e Papës Françesku me kapelanin dom Marco.

Pohon Françesku: “Ka njerëz virtuozë e viciozë, por shumica është përzjerje vitytesh e vesesh. Disa janë të shkëlqyer në një virtyt, por kanë edhe ndonjë ves. Sepse, në fund të fundit, të gjithë jemi të ligshtë. E këtë ligështi themelore duhet ta marrim shumë seriozisht. Ka rëndësi ta shikojmë si prijëse të shtegtimti tonë, të jetës sonë.

Zemërimi e bullizmi

Zemrimi rrënon, shpjegon Papa në libër. “Inati është stuhi, shpërthimi i së cilës të shkatërron. Të mendojmë për bullizmin ndërmjet të rinjve. Bullizmi sot është i tmerrshëm. E shumë i pranishëm ndër shkolla. Edhe të vegjlit kanë aftësi ta shkatërrojnë tjetrin (…). Bullizimi lind kur në vend që të kërkohet identiteti vetjak, sulmohet identiteti i tjetrit. E kur, në grupet rinore, në shkollë, në lagje ndodhin episode agresioni, bullizmi, del në pah varfëria e identitetit të atij, që sulmon. E vetmja mënyrë për “ta shëruar” bullizmin, është ta jetosh bashkë me të tjerët, të dialogosh, ta dëgjosh tjetrin, të fitosh kohë, sepse është pikërisht koha ajo, që ndihmon për lindjen e marrëdhënieve. Secili nga ne e ka diçka të mirë, që mund t’ia dhurojë edhe tjetrit, e secili ka nevojë të marrë diçka të mirë nga tjetri.

Jemi para rrezikut të përmbytjes biblike

Pasi ka folur për zemërimin e njeriut, Françesku flet edhe për zemërimin e Zotit. Ky zemërim drejtohet kundër së keqes. Jo asaj, që rrjedh nga ligështia njerëzore, por së keqes me frymëzim satanik: korrupsionit të lindur nga Shejtani, pas të cilit shkojnë burra, gra e edhe shoqëri të tëra. Zemërimi i Zotit synon të sjellë drejtësi, ‘të pastrojë’. Përmbytja është pasojë e zemërimit të Zotit, na kujton Bibla. Është figurë e këtij zemërimi të Zotit që, sipas Biblës, "si ka parë shumë gjëra të këqija, vendos ta zhdukë njerëzimin nga faqja e dheut”. Papa shpjegon se ky i Biblës, sipas ekzegjetëve biblistë, është rrëfim mitik. Por edhe miti është një nga format e dijes. Ndërsa për arkeologët “përmbytja është rrëfim historik, sepse gjatë gërmimeve të tyre gjetën gjurmë të përmbytjes. "Përmbytje e madhe, ndoshta për shkak të ngritjes së temperaturës e të shkrirjes së akujve: kjo, që do të ndodhë tani, po të vijojmë ecjen në të njëjtën rrugë. Zoti nuk mundi ta përmbajë më zemërimin e tij. Shpërtheu! Por pa drejtë. E pa se njerëzimi po shkonte drejt vetëhumbjes dhe e shpëtoi". Historia e Noesë tregon se zemërimi i Zotit është edhe shpëtimtar”.

Urtësia

Françesku flet, më pas, për urtinë, a maturinë. “Për disa, urtësia ëshë virtyt i pastër, pa asnjë njollë. Si të ishte mjedis i sterilizuar. Ndërsa urtësia është virtyt i qeverisjes. Nuk mund të qeverisësh, pa maturi. Përkundrazi. Kush qeveris pa urtësi, qeveris keq, bën gjëra të shëmtuara, merr vendime të këqija, që e shkatërrojnë popullin, gjithnjë. Urtësia në qeverisje nuk është gjithnjë ekuilibër. Nganjëherë urtësia duhet të jetë edhe e paekuilibruar, kur bëhet fjalë për marrjen e vendimeve, që sjellin me vete ndryshime. Gjithsesi, urtësia a maturia është virtut themelor për atë, që qeveris. Njerëzit janë pasionalë e duhet që dikush a diçka t’u thotë: “Ndalu! Ndalu e mendo!”. "Nuk është aspak e lehtë të kesh urtësi a maturi! Duhet shumë reflektim, shumë lutje, por, sidomos, shumë empati. Asketiku, domethënë ai që nuk ndotet kurrë, që lahet në dizinfektant, nuk është vërtet i urtë. Urtësia ecën përkrah simpatisë, empatisë për njerëzit, për botën, për problemet(…)”

Feja dhe dyshimet

Domethënës, ndërmjet fragmenteve të librit, botuar nga Corriere della Sera, edhe ai, që i kushtohet  dyshimeve, të cilat mund ta shoqërojnë jetën e besimtarit. “A mund të rritet feja me të njëjtin hap, që rritet edhe dyshimi?” - pyet Papa Françesku. “Mund të ndodhë, sepse jemi njerëz, e feja është dhuratë aq e madhe sa, kur e marrim, nuk arrijmë ta kuptojmë. A është e mundur? Djalli të bën të dyshosh, pastaj jeta, pastaj tragjeditë…pastaj lind pyetja: “Po pse e lejon Zoti këtë?”. Feja pa dyshime, nuk është fe e vërtetë! Të mendojmë Shën Terezën e Krishtit Fëmijë! A kujtoni ju se nuk kishte dyshime? Lexojeni fundin e jetës së saj. Thotë se, në çastet më  të këqija të sëmundjes, kërkonte t’ia sillnin ujin e bekuar mbi shtrat! Pastaj merrte qiriun e bekuar për të larguar armikun. Problemi është kur nuk ke durim. Besoni ndoshta se Jezusi njeri, në Kopshtin e Ullinjve, ishte i kënaqur? Apo kur lëshoi britmën “pse më lëshove dore?”. Të mendosh se Zoti të braktisi është përvojë feje, që e kanë provuar shumë nga shenjtorët. E edhe sot shumë njerëz ndjehen të braktisur nga Zoti, por nuk e humbasin fenë. E ruajnë dhuratën: në këto çaste nuk ndjej asgjë, po dhuratën e ruaj! Të krishterit, që nuk ka kaluar kurrë nëpër këto gjendje shpirtërore, i mungon diçka, mbasi nuk mund të thuhet se kënaqet kështu. "Krizat e fesë nuk janë mungesë feje. Përkundrazi; zbulojnë nevojën dhe dëshirën për të hyrë gjithnjë më në thellësi të misterit të Zotit. Një fe pa këto prova më bën të dyshoj se nuk është fe e vërtertë”.

28 shkurt 2021, 13:33