Kërko

Vatican News
MIgrantë venezuelanë MIgrantë venezuelanë  (AFP or licensors)

Françesku: faleminderit Kolumbisë për ndihmën dhënë migrantëve venezuelanë

Në përshëndetjet pas Engjëllit të Tënzot, Papa falënderoi vendet latinoamerikane për zbatimin e një Statuti, që favorizon mikpritjen, mbrojtjen dhe integrimin e njerëzve, të cilët detyrohen t’i lënë kombet fqinje.

R. SH. - Vatikan

Papa u shprehu mirënjohjen e tij të thellë autoriteteve kolumbiane për qëndrimin e tyre ndaj migrantëve, që arrijnë në këtë vend latinoamerikan:

“Sot, në mënyrë të veçantë, bashkoj zërin me ipeshkvijtë e Kolumbisë për të shprehur mirënjohjen lidhur me vendimin e autoriteteve kolumbiane për zbatimin e Statutit të Mbrojtjes së Përkohshme të migrantëve venezuelanë, të pranishëm në vend, duke favorizuar strehimin, mbrojtjen dhe integrimin e tyre”.

Françesku nënvizoi edhe se këtë nismë e mori një vend me shumë vështirësi, të cilat nuk i pati fare parasysh, kur qe fjala për mikpritjen e të ikurve nga viset e tyre:

“E këtë nuk e bën një vend i pasur, i mbizhvilluar, jo, e bën një vend me probleme të shumta zhvillimi, varfërie, paqeje, me gati 70 vjet guerrilje… Po këtë problem e zgjidhi me guxim e, duke i parë këta migrantë, e bëri statutin. Faleminderit Kolumbi. Faleminderit!”.

Ipeshkvijtë kolumbianë e mbështetën Statutin

Këto ditë, siç kujtoi Papa, ipeshkvijtë kolumbianë u shprehën në favor të Statutit të mbrojtjes së përkohshme të migrantëve venezuelanë, që u vu në jetë nga qeveria e Ivan Duque, duke u krijuar kushtet e rregullimit të 1 milion e 700 mijë vetëve, të cilët tani do të mund të integrohen në jetën prodhuese të vendit.

 

14 shkurt 2021, 14:14