Papa Françesku: bukuria e radios arrin në vendet më të humbura
R. SH. - Vatikan
Në një tweet Papa flet për Ditën Botërore shpallur nga Unesco më 2011. Kujton, kështu, mesazhin e parë radiofonik transmetuar nga OKB-ja. Sivjet takimi përqendrohet mbi tematikat e evolucionit, inovacionit dhe të lidhjes. Ta rilexojmë në dritën e Mesazhit të Papës për Ditën e 55-të botërore të komunikimeve shoqërore:
#Radioja ka këtë gjë të bukur: e çon fjalën edhe në skajet më të humbura. #WorldRadioDay#GiornataMondialeDellaRadio.
Ky tweet-i i sotëm i Papës. Me këto fjalë Françesku u bashkua, përmes tweet-it, me kremtimet për Ditën botërore të radios, shpallur nga Unesco, për t’u kremtuar më 13 shkurt të çdo viti. Pikërisht më 13 shkurt të vitit 1946 transmetohej i pari emision i lajmeve të OKB-së në frekuencat UN New, i cili informon akoma ditë për ditë, në tetë gjuhë, për më se dy mijë stacione partnere në mbarë botën. Në kujtim të emisionit të parë të lajmeve të OKB-së, që nga viti 2011 kujtohet radioja dhe roli i saj i paperëndueshëm në detin e pafund të komunikimit mediatik.
Radioja vijon t’u flasë njerëzve
Kjo ditë na kujton, kështu, se radioja është teatri i mendjes, që pak ka ndryshuar në rrjedhë vitesh. Pa harruar përmirësimet teknike, është akoma një burrë e një grua e një mikrofon, që transmeton fjalë kushtuar shoqërisë, politikës, Kishës, Papës, botës. Jep lajme, tregon histori, luan muzikë, komunikon me njerëzimin. Radioja ndryshon shumë nga televizioni: nuk është bijë e figurës, që të kujton fjalët, por e fjalës, që pikturon figurën. Kur pati ardhur televizioni, shumëkush pati thënë “Radioja mori fund”. Po radioja e përballoi kohën. Vijon t’u flasë njerëzve. E t’u hapë mikrofonin. Sidomos të rinjve.
Është kuti magjike, që ngjall një mori emocionesh: mahnit, nxit, frymëzon mijëra mendime. Në radio mund të punosh me fantazi e, sidomos, të ngacmosh, shumë më tepër se televizioni, fantazinë e atij, që të dëgjon.
Radioja i prek shpirtërisht të gjithë : secili gjen në të vetveten. Njerëzit që takon janë si këngët e radios: për disa e ngre volumin, për të tjerët, ndërron stacion.
Është aq e fuqishme Radioja, sa të bën të shikosh me veshë!