Kërko

Vatican News
Logo  e shtegtimit në Irak Logo e shtegtimit në Irak  

Etapat e shtegtimit dhe të takimeve të Papës në Irak

Botohet programi i shtegtimit, që do të bëjë Françesku nga 5 deri më 8 mars, me etapa në Najaf, Ur, Erbil, Mosul e Qaraqosh. Parashikohen 4 fjalime, dy homeli e një lutje për kujtim të viktimave të luftës. Programin e shoqërojnë edhe logoja e motoja “Jeni të gjithë vëllezër”.

R. SH. - Vatikan

Papa do ta nisë më 5 mars, me avion nga Roma Fiumicino, në Bagdad, shtegtimin aq të dëshiruar në Irak, me moton “Jeni të gjithë vëllezër”, që lexohet edhe mbi logon e shtegtimit. Pritja zyrtare do të organizohet pranë aeroportit të kryeqytetit irakian, ku Françesku do të ketë takimin e parë, në Sallën vip të aeroportit, me kryeministrin, për të vijuar, më pas, udhën drejt pallatit presidencial, ku do të mbahet ceremonia zyrtare e mirëseardhjes. Në këtë seli, në përfundim të vizitës së mirëseardhjes tek presidenti i Republikës, në studion e tij private, Papa do të mbajë fjalimin e parë zyrtar, drejtuar autoriteteve, përfaqësisë së shoqërisë civile dhe Trupit diplomatik, me të cilët do të takohet në sallonin e Pallatit presidencial.

Në përfundim të Ditës së parë, Papa do të takohet me ipeshkvijtë,  priftërinjtë, rregulltarët, seminaristët dhe katekistët, të cilëve do t’u drejtojë një fjalim, në katedralen siro-katolike të “Zojës së Shëlbimit”, në Bagdad.

Najaf, Nasiria e Rrafshi i Ur do të  jenë në qendër të vëmendjes ditën e dytë në Irak.

E shtuna, 6 mars

Të shtunën paradite, më 6 mars, Françesku do të largohet nga Bagdadi, për të arritur, me avion, në qytetin Najaf, një nga zonat më të shenjta të Islamit, në jug të kryeqytetit. Këtu do t’i bëjë një vizitë mirësjelljeje Ayatollahut të Madh Sayyd Ali Al- Husaymi Al -Sistani, në përfundim të së cilës do të niset drejt Nasirisë, në brigjet e Eufratit, për një takim ndërfetar pranë Rrafshit të Ur. Parashikohet, me këtë rast, një fjalim i Papës. Pasdite, pas rikthimit në Bagdad, Mesha shenjte në katedralen Kaldease të Shën Jozefit, në Bagdad, një nga 11 katedralet e pranishme në vend.

E diela, 7 mars

 E pasur me takime do të jetë edhe e diela, 7 mars, kur Papa do të zhvendoset në Kurdistanin irakian e në Rrafshin e Ninives. Mëngjesin do ta fillojë me nisjen në avion drejt Erbilit. Në aeroport Françesku do të pritet nga autoritetet fetare e civile të Krahinës autonome të Kurdistanit irakian. Prej aty, me helikopter, do të fluturojë drejt Mosulit, qytet që mbeti për vite në duart e Shtetit islamik. Këtu parashikohet Lutja për shpirtin e viktimave të luftës, pranë Hosh al-Bieaa, sheshi i Kishës. Në mëngjes Papa do të vijojë shtegtimin me helikopter drejt qytetit asir Qaraqosh, në Rrafshin e Ninives, pak kilometra larg Mosulit, pushtuar nga Shteti islamik deri më 2016. Pas arritjen në fushën e zbritjes, Françesku do të  shkojë në Kishën e “Zojës së Papërlyer”, për të vizituar bashkësinë e Qaraqosh, së cilës do t’i drejtojë edhe një fjalim, për të thënë, më pas, lutjen e Engjëllit të  Tënzot. Në përfundim, pasdite, kthimi i Papës në Erbil, për Meshën Shenjte, që do ta kryesojë në Stadiumin "Franso Hariri". Në mbrëmje, rikthimi në Baghdad, prej nga Papa Françesku, të hënën në mëngjes, do të rikthehet në Romë, në përfundim të ceremonisë së lamturmirës.

Motoja dhe logoja e shtegtimit

“Jeni të gjithë vëllezër”. Kjo, motoja - shkëputur nga Ungjilli i Mateut - e vizitës së Françeskut në Irak, ndërsa logoja paraqet Papën duke përshëndetur vendin, përfaqësuar nga harta e nga dy simbolet e tij: palma dhe lumenjtë Tigri e Eufrati. Në logo vërejmë edhe një pëllumb të bardhë, që mban në sqep degën e ullirit, simbol i paqes, duke fluturuar mbi flamujtë e Selisë së Shenjtë dhe të Republikës së Irakut. Mbi figurën, motoja e vizitës, në gjuhën arabe, kurde e kaldease.

08 shkurt 2021, 14:42