Kërko

Mesha Shenjte me migrantët Mesha Shenjte me migrantët 

“Drejt një ‘ne’ gjithnjë më të madhe” - tema e Ditës së ardhshme të Migrantit

Salla vatikanase e Shtypit botoi sot titullin e zgjedhur nga Françesku për mesazhin e tij kushtuar Ditës Botërore të Migrantit dhe të Refugjatit. Në komunikatë saktësohet se për temën Papa u frymëzua nga enciklika kushtuar vëllazërimit universal “Fratelli tutti”.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku zgjodhi titullin “Drejt një ‘ne’ gjithnjë më të madhe”, për mesazhin e tij tradicional kushtuar ditës së ardhshme Botërore të Migrantit dhe të Refugjatit, e 107-ta, që do të kremtohet të diel, më 26 shtator 2021. Në një komunikatë të Sallës vatikanase të Shtypit, Papa kujton se për mesazhin e tij u frymëzua nga Fratelli tutti. Prej këndej buron thirrja që “në fund të mos jenë më ‘të tjerët’,  por vetëm një ‘ne’” (Fratelli tutti, 35). E kjo “ne” universale duhet të vihet në jetë sidomos brenda Kishës, e cila është e thirrur t’i bashkojë në “ne”, realitetet e larmishme”.

Komunikata  njofton se “mesazhi”, i ndarë në gjashtë nëntema, i kushton vëmendje të posaçme kujdesit për familjen e përbashkët, e cila, njëheresh  me kujdesin për të njëjtën strehë, nën të cilën banon, ka si objektiv këtë “ne”, që mund e duhet të bëhet gjithnjë më e gjërë e gjithnjë më mikpritëse.

Për të ndihmuar në përgatitjen sa më të mirë të kremtimit të kësaj dite - saktësohet në notë - edhe sivjet Seksioni Migrantët dhe Refugjatët i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm të Njeriut, ka nisur një fushatë komunikimi, përmes së cilës do të përpunohen gjashtë nëntemat e propozuara në mesazh. Gjatë muajve të ardhshëm do të propozohen edhe mjete ndihmëse mujore, material informativ dhe reflektime teologjike, përgatitur nga ana e teologëve dhe specialistëve, që do të japin ndihmesën e tyre për thellimin e temave e të nëntemave të zgjedhura nga Ati i Shenjtë.

27 shkurt 2021, 14:28