Kërko

 Natività - La nascita di Gesù Cristo Natività - La nascita di Gesù Cristo 

Papa Françesku: “Jezusi është shpëtimtari ynë!”

“Krishtlindja kalon. Po ne duhet të kthehemi të shndërruar në jetë, në familje, në punë, …”. Krishtlindja kaloi - na e kujton sot Françesku në faqen papnore të internetit @Pontifex, ku lexojmë një tweet të ri kushtuar detyrës së secilit prej nesh për t’i kumtuar botës, që sot rënkon nën peshën e pandemisë, se Jezusi është shpëtimtari ynë!

R.SH. - Vatikan

Krishtlindja kalon. Po ne duhet të kthehemi të shndërruar në jetë, në familje, në punë. Duhet të kthehemi duke e lumnuar e duke lavdëruar Zotin për gjithçka dëgjuam e pamë. Duhet t’ia çojmë botës lajmin e gëzuar: ‘Jezusi është shpëtimtari ynë!’”.

Ky, tweet-i që lexojmë sot, 9 janar 2021, në faqen e internetit@Pontifex e që na fton t’i çojmë mbarë botës risinë të cilën Krishti ia sjell jetës sonë e botës sonë çdo vit, çdo ditë, çdo orë…. Sepse, sado ta kërkojmë të vërtetën duke dëgjuar zëre të reja a duke shfletuar libra të rinj, askund nuk do ta gjejmë  thirrjen: “Ejani tek unë, ju të gjithë, që jeni të lodhur e të shtypur, e unë do t’ju jap prehje”.

Krishti, qendra e çdo gjëje, duhet të jetë edhe qendër e jetës sonë, nëse duam të shndërrohemi. E ta njohim arsyen e ekzistencës së të gjitha sendeve! 

Krishti është hon drite. Duhet t’i mbyllësh sytë për të mos u rrëzuar nën rrezatimin e dritës së Tij.  Ai  e bëri të kuptueshëm Zotin. E megjithatë,  nuk deshi të banonte në ndonjë pallat. Zgjodhi grazhdin e një shpelle të humbur. U shndërrua, që të na shndërrojë!

Kujtimin e tij e gjejmë kudo: mbi muret e kishave e të shkollave, mbi majet e kumbonareve, mbi tabernakujt e mbi majat e maleve, mbi kokat ekrevateve e mbi varret e të dashurve. Miliona kryqe na kujtojnë se Jezusi është shpëtimtari ynë. Se është në qendër të gjithësisë, përfshin gjithçka, merr mbi vete vuajtjet e të gjithë atyre që vuajnë,  pa përbuzur askënd, pa mallkuar, pa vrarë, pa poshtëruar.

E, të mos harrojmë: “gjithçka e mirë që u bë në shekuj në botë, u bë nën hijen vigane të kryqit”. Aleksandri, Çesari, Karli i Madh themeluan perandori vigane. E i mbajtën me forcë. Ndërsa Jezusi themeloi një perandori edhe më të madhe, të bazuar mbi dashurinë e i shndërroi miliona njerëz aq, sa edhe sot e kësaj dite janë gati jo vetëm të shndërrohen, por edhe  të vdesin për Të. Për Shpëtimtarin!

09 janar 2021, 14:28