Kërko

Vatican News
Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot  (Vatican Media)

Papa: Zoti na do në ligështitë tona, t’ia hapim portën e zemrës e të shtëpisë!

Nga Ungjilli i kësaj së dieleje buron mesazhi i dashurisë së pafundme për njerëzimin: Zoti u bë njeri e erdhi të banojë ndër ne. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa i ftoi të gjithë t’ia hapin zemrën Zotit e t’ia besojnë pa frikë e pa zori “gëzime e dhimbje, dëshira e frikë, shpresa e trishtime, njerëz e situata”.

R. SH. - Vatikan

Jezusi, Ai që e kundrojmë foshnjë, ishte para fillimit të sendeve, para universit, para hapësirës e kohës. Këtë na kujton faqja e Ungjillit të kësaj së dieleje, që Papa  e vuri në  qendër të katekizmit të lutjes së Engjëllit, të cilën e kremtoi përsëri nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, në një atmosferë plot me shpresa, kur tashmë ka nisur vaksinimi i shtresave më të rrezikuara të popullsive kryesore evropiane e botërore. Edhe Sheshi, ndonëse nën një qiell të pushtuar nga retë e zeza, dukej më  gazmor - e Krishti Fëmijë i ftonte besimtarët, që e ndiqnin Papën - nga Njëqind Shpellat e Betlehemit, radhitur ndërmjet Shtyllave të Berninit.

Ishte një episod nga jeta e Jezusit, në qendër të vëmendjes në këtë të diel të dytë pas Krishtlindjes. Një episod nga jeta e Jezusit, por që flet për Të para se të lindej. Na çon para në kohë, për të na zbuluar diçka për Jezusin, para lindjes, para se të vinte mes nesh - kujtoi Papa - duke shfletuar  posaçërisht prologun e Ungjillit të Gjonit, i cili nis kështu: “Në fillim ishte Fjala”. Në fillim: janë fjalët e para të Biblës - shpjegoi Françesku - të njëjta me ato që i lexojmë në krye të rrëfimit mbi krijimin.

Jezusi ekzistonte, para se të lindej

Sot Ungjilli na kujton se Ai, të cilin e kundruam në Lindjen e Tij, Jezusi - vijoi të shpjegojë Papa në lutjen e sotme të Engjëllit - ekzitonte që më parë: ishte që para fillimit të sendeve, para  gjithësisë. Para hapësirës e kohës. “Në të ishte jeta!”, para se jeta të dukej!

Shën Gjoni e  quan Fjalë. Po çfarë do të thotë kjo? Fjala duhet për të komunikuar; nuk flitet me vete, flitet me dikë. Gjithnjë flitet me dikë. Kur ndodh të shikojmë rrugës njerëz që flasin me vete, themi “një hall e ka ky njeri”. Jo! Ne flasim gjithnjë me dikë:  

“Tani, fakti që Jezusi ishte që nga zanafilla, Fjala do të thotë se Zoti deshi të komunikojë me ne që në fillim. Deshi të na flasë. Biri i vetëm i Atit  dëshiron të na kujtojë sa gjë e bukur është të jesh bir i Zotit; Ai është ‘drita e vërtetë’ e dëshiron të na largojë nga errësira e nga e keqja; është jeta, që i njeh jetët tona e dëshiron të na thotë se na deshi gjithmonë. Ja, pra, mesazhi mahnitës i sotëm: Jezusi është Fjala e amshuar e Zotit, që mendon gjithnjë për ne e dëshiron të komunikojë me ne”.

Për ta bërë këtë, shkoi përtej fjalëve. E sot, në zemrën e Ungjillit na thuhet se Fjala “u mishërua e erdhi të banojë ndërmjet nesh”.

Jezusi u mishërua, për të prekur ligështitë tona

U mishërua! Po pse e përdor këtë shprehje Shën Gjoni? A nuk mund të thoshte në mënyrë më elegante u bë njeri? Jo, përdor fjalën mishërim sepse kjo tregon natyrën tonë njerëzore në gjithë ligështinë e saj, në gjithë brishtësinë:

“Thuhet se Zoti u bë ligështi, për të prekur nga afër ligështitë tona. Prej këndej, që nga çasti kur Zoti u mishërua, nuk ka gjë nga jeta jonë që nuk e njeh. Nuk ka gjë, që e përbuz, mund të ndajmë me Të gjithçka”.

Ky, shpjegimi i Papës, i cili më pas u drejtoi gjithë njerëzve ftesën thellësisht prekëse:

“I dashur vëlla, e dashur motër, Zoti u mishërua për të të thënë se të do pikërisht aty, në ligështitë tuaja; pikërisht aty, ku ti turpërohesh më shumë!”.

Zoti u bashkua përgjithnjë me natyrën tonë njerëzore

U mishërua e nuk u kthye prapa. Nuk e mori natyrën njerëzore si ndonjë petk, që vishet e zhvishet. Jo! Nuk u nda më nga mishi ynë. E nuk ndahet kurrë më: sot e përgjithmonë e jetës ai është në qiell me korpin e tij prej mishi njerëzor. U bashkua përgjithnjë me natyrën tonë njerëzore, mund të themi se u bë një me të. Ungjilli na thotë se erdhi të banojë ndër ne. Nuk erdhi për të bërë ndonjë vizitë, erdhi të banojë me ne, të rrijë me ne. Çfarë dëshiron akoma prej nesh? – pyeti Papa:

“Një intimitet të madh! Do që ne të ndajmë me Të gëzime e dhimbje, dëshira e frikë, shpresa e trishtime, njerëz e ngjarje. Të bëjmë çka dëshiron. T’ia hapim zemrën, t’ia tregojmë gjithçka fshehim brenda saj! Të ndalemi në heshtje para Shpellës së Betlehemit për të shijuar dashurinë e Zotit, që u bë i afërmi ynë, që u mishërua”.

Ta ftojmë Jezusin në shtëpitë tona

 Në përfundim Françesku u drejtoi të gjithë njerëzve thirrjen:

“Ta ftojmë pa frikë ndër ne, në shtëpinë tonë, në familjen tonë, në ligështitë tona. Ai do të vijë. E jeta do të ndryshojë plotësisht!”.

Nëna Shenjte e Zotit - në të cilën Fjala u mishërua - na ndihmoftë ta mirëpresim Jezusin, që  na troket te porta e zemrës, për të banuar me ne”.

03 janar 2021, 13:25