Kërko

Vatican News

Papa: të vegjlit janë në ardhmërinë e botës e në shpresat e Kishës

Përmasa e lavdërimit ishte sot në qendër të audiencës së përgjithme të Papës. Duke vijuar ciklin e reflektimeve mbi temën e lutjes, Françesku nënvizoi rëndësinë e lavdërimit të Zotit edhe në çastet më të trishta e më të errëta të jetës sonë, sepse Zoti është Mik besnik, që nuk të braktis kurrë. Janë të vegjlit, ata që e mikpresin Jezusin e Fjalën e Tij, e Jezusi e lavdëron Atin pikërisht pse ata janë të zgjedhurit e Zotit Atë.

R.SH. - Vatikan

Në qendër të audiencës së përgjithshme të Papës, sot ishte përmasa e lavdërimit. Katekizimi nisi me leximin e Psalmit 145, që i larton lavde Zotit: “O Zoti im - këndon Psalmisti - e mbreti im, dua ta  lartoj e ta bekoj emrin tënd sot e përgjithmonë”. Shtytjen për reflektimin e audiencës së sotme Papa e mori nga një çast kritik i jetës së Jezusit e i misionit të Tij. Pas mrekullive të para dhe pjesëmarrjes së dishepujve në kumtimin e Mbretërisë së Zotit, misioni i Mesisë kalon një çast krize. Gjon Pagëzuesi, këto çaste në burg, fillon të dyshojë e i nis këtë mesazh: “A je ti ai, që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?”. E bën këtë i kapërthyer nga ankthi: ka frikë se kumtimi i tij është i gabuar:

 “Në jetë ka gjithnjë çaste të errëta, çaste kur mbi shpirt zbret nata, e Gjoni kalon  pikërisht një çast të tillë”.

Ndërkaq në fshatrat mbi liqen, ku Jezusi kreu shumë mrekulli, ndjehet  frymë armiqësie e Mateu flet për një fakt vërtet të habitshëm:

“Jezusi nuk i larton Atit ndonjë ankim, por një himn galdimi: ‘Po të bekoj, o Atë, Zot i qiellit e i dheut, sepse ua fshehe këto gjëra të dijshmëve e të urtëve e ua zbulove të vegjëlve’”.

Në kulmin e krizës - kujtoi Papa në vijim të katekizmit të audiencës së përgjithshme - e në kulmin e errësirës së zbritur mbi shpirtin e njerëzve, si Gjon Pagëzuesi, Jezusi e bekon Atin, e lumnon Atin. Po pse? - pyeti në vijim Papa -  Arsyeja e parë është se e ndjen veten bir i të Tejetlartit, bir i atij, që është Zot i qiellit e i tokës. Po  ka edhe një arsye tjetër.

Jezusi e lavdëron Atin sepse i do më shumë të varfërit. Ashtu si i do edhe ai vetë, kur predikon fshatrave: ‘të dijshmit’ e ‘të urtët’,  janë dyshimtarë e shpirtmbyllur, bëjnë llogari, ndërsa ‘të vegjlit’ i hapin zemrat dhe e mirëpresin mesazhin. E kjo nuk mund të jetë tjetër, veçse vullneti i Atit, e Jezusi gëzohet:

“Edhe ne duhet të gëzohemi e ta lavdërojmë Zotin që njerëzit e përvuajtur e të thjeshtë e mirëpresin Ungjillin. Ndaj në ardhmërinë e botës e në shpresat e Kishës janë pikërisht ‘të vegjlit’: ata që  nuk e mbajnë veten më të mirë se të tjerët, që janë të vetëdijshëm për kufizimet e tyre e për mëkatet e tyre, që nuk duan të sundojnë mbi të tjerët, që  ndjehen të gjithë vëllezër në Hyjin Atë”.

Lutja e lavdërimit është si thithje oksigjeni

Sjellja  e Jezusit - pohoi Papa - na ndihmon t’i shikojmë ndryshe edhe disfatat tona personale, edhe çastet e errëta. Edhe në çaste të tilla Jezusi nuk kërkon gjë, vetëm lavdëron Atin. “E kjo duket si kontradiktë – shtoi - por ësht e vërtetë”. Po kujt i duhet lavdërimi - pyeti në vijim Françesku - Zotit sigurisht jo. Ai nuk ka nevojë ta bëjë edhe më madhështore madhështinë e vet. Atëhere kujt i duhet?

“Lutja e lavdërimit na duhet ne! Katekizmi e quan ‘pjesëmarrje në lumninë e zemrave të pastra, që e duan Zotin në fe, para se ta shikojnë në Lumni’. Paradoksalisht duhet praktikuar jo vetëm kur jeta rrëmbushet me lumturi, por edhe, e sidomos, në çastet e vështira, në orët e errëta, kur kacavaresh mundimshëm ndër të përpjetat. E edhe kjo është kohë lavdi. Jezusi në terrina lavdëron Atin, sepse përmes kësaj së përpjete, këtij shtegu të lodhshëm e të rrëpirtë, kësaj rruge impenjative, arrihet tek një panoramë e re e hapet një horizont i pafundëm”.

Kënga e Krijesave e Shën Françeskut

Papa u ndal, më pas, tek figura e Shën Françeskut dhe tek lutja e tij “Kënga e Krijesave”, krijuar në grahmat e vdekjes dhe kujton se prej saj nxjerrim një mësim shumë të çmuar. Thekson Françesku, duke kujtuar Shenjtin, emrin e të cilit zgjodhi kur u ul në fronin e Shën Pjetrit:

“Varfanjaku nuk e krijoi këtë këngë në ndonjë çast gëzimi, mirëqeniejeje. Përkundrazi, e këndoi në mes të ngushticave. Ishte pothuajse i verbër. Mbi shpirt ndjente peshën e një vetmie, që nuk e kishte provuar kurrë; bota nuk kishte ndryshuar aspak që nga fillimi i predikimit të tij, njerëzit vijonin të grindeshin, nësa ai ndjente hapat e vdekjes, që i afrohej me çap të heshtur. Për të, ky mund të ishte kulmi i zhgënjimit. E edhe perceptim i dështimit të plotë. Po Françesku në këtë çast trishtimi nuk e bjerr shpresën. E as dëshirën për t’u lutur. E si lutet? ‘Lëvduar qofsh, o Zoti im…’. Lutet, duke lavdëruar”.

Shën Françesku, ashtu si të gjithë shenjtorët e shenjtoret, e si vetë Jezusi - përfundoi Papa - na dëshmon se duhet ta lavdërojmë gjithnjë Zotin, sepse Ai është Miku ynë më besnik. E ky është edhe themeli i lutjes:

“Zoti është mik besnik, e dashuria e Tij nuk mungon kurrë”.

13 janar 2021, 12:01