Kërko

Papa: të shmanget çdo formë dhune në Afrikën Qendrore

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa bëri thirrje për vendin afrikan, në qendër të tensioneve të rënda pas-zgjedhore: duhte t’i jepet fund urrejtjes e të mbështetet “dialogu vëllazëror e respektues” - kujtoi.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, ditën e Dëftimit të Zotit, Papa Françesku siguroi se ndjek me vëmendje e shqetësim të thellë ngjarjet në Republikën Qendrafrikane:

“U zhvilluan kohët e fundit zgjedhjet, në të cilat populli manifestoi dëshirën për të vijuar ecjen në rrugën e paqes. I ftoj, prandaj, të gjitha palët për dialog vëllazëror e respektues, që t’i jepet fund urrejtjes e të shmanget çdo formë të dhunës”.

Republika Qendrafrikane është një nga vendet më të varfëra, me situatën më të paqëndrueshme në mbarë Afrikën, pavarësisht nga burimet shumë të pasura me diamante e uran. Sipas OKB-së, gjysma e popullsisë së vendit varet nga ndihmat humanitare e një e pesta, është e shpërngulur.

Votim i vështirë

Të diel, më 27 dhjetor 2020, në Republikën Qendrafrikane u votua për  parlamentin e edhe për zgjedhjen e presidentit, pavarësisht nga frika e sulmeve dhe thellimi i dhunës ndërmjet qeverisë e rebelëve. Që nga dhjetori, situata ishte tejet e nderë. Presidenti Touadera pranoi ndihmën e ofruar nga vendet e huaja për të mbajtur kontrollin mbi territorin nacional, ku nisën menjëherë sulmet. E, pak para votimeve, bëri edhe thirrje për unitetin, përgjegjësinë e paqen, në një vend, që vuajti e vijon të vuajë.

Edhe ipeshkvijtë kërkojnë paqe e bashkëpunim.

06 janar 2021, 14:05