Kërko

Vatican News
Lutja e Engjëllit të Tënzot Lutja e Engjëllit të Tënzot  (Vatican Media)

Françesku, të kujdesemi për të tjerët. Më trishton kush nuk mendon për ata që vuajnë

Papa Françesku, në përshëndetjet pas Engjëllit të Tënzot, i ftoi përsëri besimtarët të kujdesen për të afërmin. Kujtoi me shumë dashuri ata që, për shkak të lockdown, jetojnë në kushte të vështira ekonomike, shtypen e shfrytëzohen.

R. SH. - Vatikan

Një urim i ri për vitin e sapofilluar - urimi i Papës për mbarë njerëzimin, sot, kur festat e dimrit nuk kanë përfunduar akoma.

Si të krishterë - kujtoi në përshëndetjet pas Engjëllit të Tënzot - rrimë larg nga mendësia fatalistike e ajo magjike: e dimë se punët do të shkojnë mbarë në atë masë që, me ndihmën e Zotit, do të punojmë së bashku për të mirën  e  përgjithshme, duke i vënë në qendër më të ligshtit e më të pafatët. Pastaj, një mendim për vitin 2021 – për ngjarjet që do të ndodhin, të cilat ende nuk i dimë, ndërsa e dimë mirë se secili - e të gjithë bashkë – mund e duhet të kujdesemi pak më shumë për njëri-tjetrin e për krijimin, shtëpinë tonë të përbashkët:

“Është e vërtetë se tundohemi për t’u kujdesur vetëm për interesat tona, për të vijuar të bëjmë luftë, për shembull, për t’u interesuar vetëm për ekonominë, për ta shijuar sa më shumë jetën, për të plotësuar vetëm kënaqësitë tona…”.

 E kemi këtë tundim - kujtoi Papa - duke shtuar, jo pa trishtim:

“Lexova ndër gazeta një gjë, që më trishtoi jo pak:  në një vend, nuk po më kujtohet emri, për të ikur nga locdown e për t’i kaluar sa më mirë pushimet, dolën dje më se 40 avionë. Po këta njerëz, që janë njerëz të mirë, si nuk menduan për ata, që ishin të mbyllur në shtëpi, për problemet ekonomike të atyre, që u rrënuan nga locdown, për të sëmurët? Menduan vetëm për pushimet e veta, për të kënaqur veten. E kjo më hidhëroi pa masë!”.

Papa, më pranë njerëzve që vuajnë

Më pas Papa u drejtoi përshëndetjen e tij atyre, që e nisën vitin e ri me  vështirësi më të mëdha: të sëmurëve, të papunëve e të gjithë atyre, që jetojnë në situata shtypjeje e shfrytëzimi. E me shumë dashuri, përshëndeti  të gjitha familjet, posaçe ata, që kanë fëmijë të vegjël, ose presin ardhjen e tyre në botë:

“Lindja është gjithnjë premtim shprese: jam pranë këtyre familjeve. Zoti i bekoftë”.

Në përfundim, urimi për një të diel të gëzuar, duke menduar gjithnjë për Jezusin, që u mishërua pikërisht për të banuar mes nesh në të mira e në të vështira, përgjithmonë!  

03 janar 2021, 13:32