Kërko

Meshë në Shtëpinë e Shën Martës Meshë në Shtëpinë e Shën Martës

Papa: shërbimi i Lektoratit dhe i Akolitatit t’ua hapë dyert grave

Papa Françesku ndryshon Kodin e së Drejtës Kanonike, duke institucionalizuar ç’është, tashmë, praktikë e zakonshme: gratë laike në shërbim të Fjalës e të altarit.

R.SH. - Vatikan

Me një Motu Proprio, Papa Françesku vendos që shërbimi i Lektoratit dhe Akolitatit, tani e tutje, do të bëhet edhe nga gratë laike, të cilat do të marrin një mandat të veçantë, që i jep kësaj detyre të rëndësishme në Kishë formë të qëndrueshme dhe të institucionalizuar. Aktualisht, kjo nuk është risi, pasi jemi mësuar tashmë me gra, që lexojnë Fjalën e Zotit gjatë kremtimeve liturgjike, ose që kryejnë shërbime në altar, si ministrante apo si shoqëruese të meshtarëve në dhënien e hostes shenjte: në shumë bashkësi, në të gjithë botën, kjo është një praktikë e autorizuar nga ipeshkvijtë. Megjithatë, deri tani, kjo ndodhte pa mandat të vërtetë institucional, duke bërë një përjashtim nga vendimi i Shën Palit VI, i cili, në vitin 1972, ua pati rezervuar këtë shërbim vetëm burrave. Papa Françesku, duke pasur parasysh edhe rezultatet e Sinodeve të fundit të ipeshkvijve, deshi ta institucionalizojë praninë femërore në altar.

Me Motu Proprio-n “Spiritus Domini”, i cili ndryshon paragrafin e parë të nenit 230 të Kodit të së Drejtës Kanonike, Papa përcakton pjesëmarrjen e grave në këto shërbesa, të cilat u atribuohen atyre përmes një akti liturgjik, që i institucionalizon. Ati i Shenjtë sqaron se vendimi i tij bazohet mbi këshillat e asambleve të ndryshme sinodale, duke theksuar se “në vitet e fundit kemi arritur një zhvillim doktrinor, që ka nxjerrë në pah se disa shërbime në Kishë e kanë themelin në pagëzimin dhe në meshtarinë mbretërore marrë me sakramentin e pagëzimit”. Prandaj, sipas Papës, lektorati dhe akolitati janë shërbime laike “thellësisht të ndryshme nga shërbimi i të shuguruave me sakramentin e urdhrit shenjt”.

 Motu Proprio shoqërohet nga një letër drejtuar Prefektit të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kardinalit Luis Ladaria, ku Papa Françesku shpjegon arsyet teologjike të vendimit të tij, duke i lidhur me rinovimin e kërkuar nga Koncili II i Vatikanit dhe me urgjencën “për të rizbuluar përgjegjësinë e përbashkët të gjithë të pagëzuarve në Kishë, veçanërisht përsa i përket misionit të laikëve”. Në letrën drejtuar kardinalit Ladaria, Ati i Shenjtë përmend Shën Gjon Palin II, i cili nënvizonte se “Kisha nuk ka asnjë pushtet për t’u dhënë grave shugurimin meshtarak”, por shton se “përsa u përket shërbimeve pa shugurim, kjo është e mundur e sot, duket se është mirë të kapërcehet ajo rezervë”.

11 janar 2021, 10:46