Kërko

Papa: paragjykimet e pengojnë bashkimin e të krishterëve, t’i duam së bashku të vuajturit

Në Mbrëmësoren e dytë, që mbylli Javën e 54-t të Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, Papa Françesku, përmes homelisë së shqiptuar nga kardinali Kurt Koch, na nxit të bëhemi Samaritanë të Mirë për njerëzimin e vuajtur, që dergjet nëpër rrugët e botës. Duke u shërbyer të varfërve së bashku, bashkohemi edhe më shumë, nënvizon Bergoglio, i cili, për shkak të acarimit të nervit shiatik, nuk mundi të kryesojë personalisht kremtimin.

R.SH. - Vatikan

“Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata, që janë lutur këtë javë dhe do të vazhdojnë të luten për bashkimin e të krishterëve”. Kështu shkruan sot Papa Françesku në një tweet, në ditën kur përfundon Java e 54-t e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, që filloi më 18 janar. Në orën 17.30, siç është bërë tashmë traditë, të krishterët e konfesioneve të ndryshme u mblodhën për Mbrëmësoren e dytë në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve. Papa Françesku nuk ishte i pranishëm, për shkak të acarimit të nervit shiatik, por, në vend të tij, homelinë e lexoi kryetari i Këshillit Papnor për Nxitjen e Unitetit të të krishterëve, kardinali Kurt Koch.

Në homelinë e tij, Ati i Shenjtë përdor figurën e hardhisë së identifikuar në Jezu Krishtin e të shermendeve, që s’janë tjetër veçse ndjekësit e Krishtit, që shartohen me Të. Është bashkim i domosdoshëm për gjithë të krishterët, nënvizon Papa, duke e parë unitetin si të përbërë nga tri rrathë koncentrikë, si ato të një trungu.

Kremtimi në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve
Kremtimi në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve

Të qëndrojmë në Jezu Krishtin

Rrethi i parë, ai më i brendshmi ka të bëjë me “mbetjen në Jezu Krishtin”, siç thuhet në Ungjillin, që u lexua gjatë Mbrëmësores. Në realitetin e sotëm, pranon Françesku, është e lehtë ta humbasim fillin, sepse bota na tërheq nga të katër anët. Për ta shmangur këtë, Papa këshillon lutjen, ashtu siç bënte vetë Biri i Zotit, që shkonte në vende pa njerëz për të ndenjur vetëm për vetëm me Atin Qiellor. “Kemi nevojë për lutjen, si për ujin” vëren në homeli. “Eshtë mënyrë për t’ia besuar zemrës së Zotit gjithçka që e popullon zemrën tonë, shpresat dhe frikën, gëzimet dhe hidhërimet. Por mbi të gjitha, të përqendruar në Jezusin përmes lutjes, ne përjetojmë dashurinë e Tij. E kështu, ekzistenca jonë merr jetë, si shermendi, që e merr limfën nga trungu”.

Bashkimi me të krishterët

Rrethi i dytë i menduar nga Ati i Shenjtë është bashkimi me të krishterët e tjerë. “Jemi shermende të së njëjtës hardhi – shkruan Papa – jemi enë komunikuese: e mira dhe e keqja që bën secili ka pasoja mbi të tjerët”. Nuk është e mundur ta takojmë Jezu Krishtin pa Korpin e tij, që përbëhet nga shumë gjymtyrë, aq sa janë gjithë të pagëzuarit. Të krishterët e tjerë, edhe nëse nuk janë “tanët”, janë të Krishtit.

Papa Françesku pranon se dashuria për vëllezërit nuk është e lehtë, si për shkak të plagëve të së kaluarës, ashtu edhe për diskutimet e sotme. Por edhe këtu na vjen në ndihmë Ati Qiellor, që siç thotë Ungjilli sipas Gjonit (15,2), pret çdo shermend që nuk sjell fryte, ndërsa atë që sjell fryt, e krasit, që të lulëzojë edhe më shumë. “T’i kërkojmë pra Atit t’i presë paragjykimet tona ndaj të tjerëve dhe lidhjet e kësaj bote, që e pengojnë bashkimin e plotë me gjithë bijtë e Tij. Kështu, të purifikuar në dashuri, do të dimë t’i vendosim në plan të dytë problemet tokësore dhe pengesat e së kaluarës, të cilat sot na largojnë nga Ungjilli”.

Përfaqësuesit e Kishave të krishtera në kremtimin e Bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve
Përfaqësuesit e Kishave të krishtera në kremtimin e Bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve

T'i shërbejmë së bashku njerëzimit të vuajtur

 Në rrethin e tretë, Ati i Shenjtë vendos gjithë njerëzimin, duke menduar për veprimin e Shpirtit Shenjt mbi të. Pikërisht Shpirti Shenjt, që fryn ku dëshiron vetë, “na bën t’i duam jo vetëm ata, që na duan dhe mendojnë si ne, por të gjithë… Na kujton se i afërmi nuk është vetëm ai, që ka të njëjtat vlera dhe ide me ne, por se jemi të thirrur të bëhemi të afërm me të gjithë, Samaritanë të Mirë për njerëzimin e ligshtë, të varfër e të vuajtur – sot, tejet të vuajtur – që mundohet nëpër rrugët e botës e që Zoti dëshiron ta mëkëmbë plot dhembshuri”. Nga kjo dashuri pa interes për të tjerët, vëren Papa, do të na njohin se i përkasim vreshtit të Krishtit.

Shpirti Shenjt na mëson dashurinë konkrete

Shpirti Shenjt, vijon Papa, na mëson të jemi konkretë në dashurinë për vëllezërit e motrat, sidomos për më nevojtarët. Nëse u shërbejmë së bashku, do të kuptojmë se edhe ne jemi vëllezër e bashkimi ndërmjet nesh do të rritet. E Françesku kërkon bashkëpunim edhe në përkujdesjen për shtëpinë e përbashkët, që të mos shpërdorohen burimet natyrore, të cilat, shpesh, nuk janë në dispozicion të të gjithëve.

Së fundi, Papa Françesku falënderon të pranishmit, duke përmendur veçanërisht të rinjtë ortodoksë e ortodoksë lindorë, që studiojnë në Romë me mbështetjen e Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve, si edhe profesorët dhe studentët e Institutit Ekumenik të Bossey, që nuk mundën të vinin kësaj radhe në Romë, për shkak të pandemisë, por që e ndoqën kremtimin përmes mediave. Të pranishëm në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve edhe anglikanët, që u lutën së bashku me të krishterët e tjerë para varrit të Apostullit të Popujve. Të gjithë me maskë, pak besimtarë e të distancuar, siç kërkojnë masat kundër koronavirusit.

“Shpirti Shenjt, i dikuar në zemrat tona, - lutet Papa në përfundim të homelisë – na bëftë të ndihemi bij të Atit, vëllezër e motra ndërmjet nesh, vëllezër e motra në një familje të vetme njerëzore. Shentja Trini, bashkim dashurie, na bëftë të rritemi në unitet”.

25 janar 2021, 18:22