Kërko

Papa Françesku me t moshuarit Papa Françesku me t moshuarit 

Papa: në korrik, Dita e parë botërore e gjyshërve dhe e të moshuarve

Do të kremtohet sivjet, të dielën e katërt të korrikut, afër festës së Shenjtorëve Joakini e Ana, gjyshërit e Jezusit, e do të krijojë mundësinë të kujtohet e të kremtohet dhurata e pleqërisë dhe e atyre që, para nesh e për ne, e ruajtën dhe e transmetuan fenë - siç njoftoi sot Françesku, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot.

R. SH. - Vatikan

Kujtesa jonë, rrënjët e popujve, unaza që lidh breznitë, thesar për t’u ruajtur! Këta janë të moshuarit e gjyshërit, sipas Papës. Një “dhuratë e vërtetë” , e mirëfilltë, vlerën e së cilës shpesh e harrojmë. Për këtë arsye, siç kumtoi sot, në përfundim të lutjes së Engjëllit, Françesku vendosi t’u kushtojë, duke nisur nga korriku i ardhshëm, një ditë në nivel botëror. Shtytjen për këtë Papa e mori nga Festa e Paraqitjes së Krishtit në Tempull, më 2 shkurtin e ardhshëm, kur pikërisht dy të moshuar, Simeoni e Ana “të shndritur nga Shpirti Shenjt, njohën në Jezusin, Mesinë”. E kjo është madhështia e parë  e atyre, që na prinë në jetë:

“Shpirti Shenjt edhe sot ngjall në mendjen e të moshuarve mendime e fjalë urtie: zëri i tyre është i çmuar, sepse i këndon lavdi Zotit dhe ruan rrënjët  e popujve. Ata na kujtojnë se pleqëria është dhuratë e se gjyshërit janë unaza, që lidh breznitë e ndryshme, për t’u transmetuar të rinjve përvojën e jetës e të fesë”.

Një ditë, për të mos harruar! Sot, më shumë se kurrë, kur pandemia i rrezikon të parët, e kur edhe flijoi shumë prej tyre, të motuarit mbeten shpesh të vetmuar e larg familjeve. Ndërsa duhen ruajtur fort, si kujtesë për t’u trashëguar. Prej këndej, vendimi i Papës:

“Gjyshërit shpesh harrohen e ne e harrojmë këtë pasuri, që duhet për t’i ruajtur rrënjët e për t’i transmetuar. Prandaj vendosa ta themeloj Ditën botërore të gjyshërve e të të moshuarve, që do të kremtohet në të gjithë Kishën çdo vit, në të dielën e katërt të korrikut, pranë festës së Shenjtorëve Joakini e Ana, gjyshërit e Krishtit”.

Gjyshër e nipër: ëndërr e profeci

Nga gjyshërit, tek nipërit: lidhja është  tejet e ngushtë, e dialogu duhet të jetë i pakëputshëm. Papa e pohon shpesh, duke kujtuar se ëndërron një botë,  që jeton pikërisht nga përqafimi i tyre. E këtë e përsëriti edhe sot:

“Ka rëndësi që gjyshërit të takohen me nipërit e nipërit me gjyshërit, sepse - ashtu si  kujton Joeli Profet - gjyshërit para nipërve do të ëndërrojnë, do të kenë ëndrra e të rinjtë, duke marrë forcë nga gjyshërit, do të shkojnë përpara, do të profetizojnë. E pikërisht më 2 shkurt, është festa  e takimit të gjyshërve me nipërit”.

31 janar 2021, 14:07