Kërko

Mesha e Papës Françesku në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit Mesha e Papës Françesku në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit

Papa: të adhurosh Zotin do të thotë ta zbulosh në thjeshtësinë e gjërave, në njerëzit e përvuajtur

“Lartojini sytë”, “nisuni për udhëtim” dhe “shikoni”: në meshën e Dëftimit të Zotit, Papa Françesku na fton të rizbulojmë mësimin, që na japin Mbretërit Dijetarë. Ati i Shenjtë nënvizon se ata ditën ta njohin Zotin në një fëmijë të përvuajtur, duke ia hapur zemrat besimit ndaj Hyjit, që është burim i gëzimit shpirtëror, i cili nuk mund të barabitet kurrë me atë, që na japin të mirat materiale dhe suksesi

R.SH. - Vatikan

“Jeta nuk është dëshmi e aftësive personale, por udhëtim drejt Atij, që na do”: në predikimin e meshës së sotme, në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papa Françesku i nxit besimtarët të rizbulojnë ç’do të thotë të adhurosh Zotin. Ashtu si Mbretërit Dijetarë, edhe ne mund ta kuptojmë se “Zoti i shmanget bujës” dhe ta takojmë “të fshehur në vende të thjeshta, në njerëz të përvuajtur e të parëndësishëm”.

Nevoja për ta adhuruar Hyjin e rreziqet e saj

Nevoja për të adhuruar Hyjin është e natyrshme, shpjegon Papa, por njeriu, lehtësisht, ka rrezik të gabojë objektiv. Vërtet, nëse nuk adhuron Zotin, ka rrezik të adhurojë idhujt. Papa vëren se “adhurimi i Zotit nuk është i lehtë, nuk është diçka, që arrihet menjëherë: kërkon pjekuri shpirtërore, pasi është pikëmbërritja e një udhëtimi të brendshëm, që nganjëherë, vazhdon gjatë”.

Në shkollën e Mbretërve Dijetarë

Me bindjen se “në epokën tonë është veçanërisht e nevojshme që, në mënyrë individuale e komunitare, t’i kushtojmë më shumë kohë adhurimit, duke mësuar gjithnjë e më mirë të kundrojmë Zotin”, Papa i përmbledh mësimet e Mbretërve Dijetarë në tri shprehje. Shën Mateu ungjilltar thekson se Mbretërit Dijetarë, kur mbërritën në Betlehem, “panë foshnjën me Marinë, nënën e tij, u përkulën dhe e adhuruan” (Mateu 2,11). Të bëjmë edhe ne si Mbretërit, nënvizon Françesku, pra, “t’i lartojmë sytë” për të parë yllin, që na tregon drejtimin e Betlehemit, “të nisemi për udhë” që të takojmë Krishtin e “ta shohim” Birin e Zotit, pra, ta njohim e ta kuptojmë se ai është Foshnja Hyjnore dërguar për shëlbimin e botës.

T’i lartojmë sytë

Sipas Papës, lartimi i syve kah qielli do të thotë të mos i lejojmë fantazmat e jetës sonë të na e shuajnë shpresën dhe të mos i vendosim në qendër të jetës problemet e vështirësitë.

“Kjo nuk do të thotë ta mohosh realitetin, duke pretenduar apo duke krijuar iluzionin se gjithçka shkon mirë. Përkundrazi – thekson Ati i Shenjtë – duhen parë problemet dhe ankthet me një sy tjetër, duke e ditur se Zoti e njeh gjendjen tonë të vështirë, i dëgjon me vëmendje lutjet tona dhe nuk është indiferent ndaj lotëve që derdhim”.

Kur ndodh kjo, vëren Papa, zemra hapet për adhurimin e Hyjit. Ndërsa, kur përqendrohemi vetëm tek problemet, pa i lartuar sytë drejt Zotit, frika na e pushton zemrën dhe e çorienton atë, duke shkaktuar zemërim, hutim, ankth, dëshpërim. Ati i Shenjtë fton të dalim nga ky rreth vicioz, pasi realiteti është më i gjerë se çështjet tona të pazgjidhura e Zoti kujdeset për të gjithë. Besimi në Hyjin: ky është “adhurimi i dishepullit, që ka zbuluar në Zotin një gëzim të ri, të ndryshëm dhe që, më tepër sesa në pasurinë, në suksesin, ose në gjëra të ngjashme me këto, bazohet pikërisht në besnikërinë e Zotit, i cili e mban gjithnjë fjalën, pavarësisht nga vështirësitë e krizat”.

Të vihemi për udhë

 Para se të adhuronin Foshnjën Hyjnore në Betlehem, Mbretërit Dijetarë bënë një udhë të gjatë. Ati i Shenjtë i fton besimtarët të reflektojnë mbi shndërrimin, që pëson njeriu gjatë rrugës.

“Ka gjithnjë diçka të re në njeriun, që udhëton: zgjeron njohuritë, sheh njerëz e gjëra të reja, provon forcimin e vullnetit në përballimin e vështirësive dhe të rreziqeve të rrugës. Nuk arrijmë ta adhurojmë Zotin, pa kaluar më parë përmes pjekurisë shpirtërore, që na e jep udhëtimi”.

Duhet ta lejojmë Hirin e Tënzot të na e shndërrojë shpirtin, vijon Papa, duke përmendur shën Palin apostull, që në Letrën e dytë drejtuar Korintasve shkruan se njeriu i jashtëm plaket, por njeriu i brendshëm rinovohet çdo ditë. Kështu, edhe krizat e vështirësitë mund të bëhen mësime, nëse nuk i pengojmë të na e pastrojnë zemrën, duke e bërë më të përvuajtur e më të gatshme të hapet për Zotin, i vetmi i denjë për t’u adhuruar. Duke pasur parasysh edhe gjendjen e krijuar nga pandemia e koronavirusit, Ati i Shenjtë fton “të mos i lejojmë lodhjet, rëniet e dështimet të na shkurajojnë” e të kujtohemi se “jeta nuk është dëshmi e aftësive tona, por udhëtim drejt Atij, që na do”.

Të shohim me të vërtetë

 Adhurimi, kujton Papa Françesku, ishte homazh, që u rezervohej sovranëve, personaliteteve të rëndësishme e Mbretërit Dijetarë adhuruan Atë, që e dinin se ishte Mbreti i Judenjve. Por, në të vërtetë, ata panë veç një foshnjë të varfër, mbështjellë në fasha, pranë së ëmës. Gjesti i tyre i adhurimit është i jashtëzakonshëm, pasi “këta burra të mençur, ardhur nga vende të largëta, ditën… të shohin në atë Fëmijë praninë e një sovrani. Qenë pra, në gjendje të ‘shohin’ përtej pamjes së jashtme”. “Për të adhuruar Zotin – thekson Papa - duhet ‘të shohësh’ përtej velit të së dukshmes, që shpesh s’është veçse mashtrim”.

Realizmi teologal

Ati i Shenjtë kujton se Herodi dhe njerëzit e rëndësishëm të Jeruzalemit përfaqësojnë mendësinë e kësaj bote, “të skllavëruar nga dukja”, që u jep vlerë vetëm ngjarjeve të bujshme, gjërave, që tërheqin vëmendjen e shumicës. E pastaj, përshkruan qëndrimin e Tre Mbretërve, duke përdorur shprehjen “realizëm teologal”.

“Ai – nënvizon Papa - e percepton me objektivitet realitetin e gjërave, duke arritur më në fund të kuptojë se Zoti i shmanget dukjes. Kjo mënyrë e ‘të parit’, që shkon përtej së dukshmes, na bën ta adhurojmë Zotin, shpesh, të fshehur në vende të thjeshta, në njerëz të përvuajtur dhe të parëndësishëm. Pra, është fjala për një vështrim, që, pa u verbuar nga fishekzjarret e manisë për t’u dukur, kërkon në çdo rast atë, që nuk kalon”, por mbetet përgjithmonë.

Objektivi i secilit prej nesh

Pas ftesës për ta rizbuluar edhe një herë vlerën dhe kuptimin e adhurimit, Papa e përfundon homelinë e solemnitetit të Epifanisë me lutjen: “O Zot Jezu Krisht na bëj adhuruesit e tu të vërtetë, të aftë ta shprehim me jetën tonë planin tënd të dashurisë, që përqafon gjithë njerëzimin”.

06 janar 2021, 11:45