Kërko

2019.12.24 Santa Messa Natale del Signore 2019.12.24 Santa Messa Natale del Signore 

Papa na fton të bëhemi përsëri fëmijë, për të kundruar Foshnjën

Papa: “Duke kundruar skenën e Lindjes së Krishtit, mund të bëhemi përsëri si fëmijët e të mahnitemi për mënyrën ‘e mrekullueshme’ që zgjodhi Zoti për të ardhur në botë. Kjo bën të na lindë në zemër dhembshuria: e sa nevojë kemi sot për të!”.

R.SH. - Vatikan

Duke kundruar skenën e Lindjes së Krishtit, mund të bëhemi përsëri si fëmijët e të mahnitemi për mënyrën ‘e mrekullueshme’ që zgjodhi Zoti për të ardhur në botë. Kjo bën të na lindë në zemër dhembshuria: e sa nevojë kemi sot për të!”. Ky, tweeti që lexojmë sot, 2 janar 2021, në faqen papnore të internetit @Pontifex.

Në Jezusin, Foshnjën e Betlehemit, Zoti na erdhi aq pranë, u bë aq i afërt me secilin nga ne, sa të mund t’i flasim me ti e të krijojmë me të një lidhje të përzemërt, plot dashuri, ashtu siç bëjmë me një të posalindur.  E pikërisht në këtë Fëmijë shikojmë me sytë tanë forcën e përvujtë e çarmatosëse të Hyjit-Dashuri. Zoti vjen pa armë, pa forcë, sepse nuk e ka ndër mend të na pushtojë nga jashtë. Dëshiron që njeriu ta pranojë në liri të plotë; Hyji bëhet fëmijë i ligshtë, për të fituar mbi mendjemadhësinë, mbi dhunën, mbi etjen e njeriut për pasje e pushtet.

E është vetë Jezusi që na e mëson, në Ungjill, mënyrën sesi mund ta takojmë Hyjin e të shijojmë praninë e Tij, domethënë, si mund të pendohemi e të bëhemi si fëmijët. Kush nuk e pret Jezusin me zemër fëmije, nuk mund të hyjë në mbretërinë e qiellit: këtë deshi t’i kujtonte Shën Françesku krishterimit në kohën e tij e në të gjitha kohët, deri më sot. Ta lusim Atin t’i dhurojë zemrës sonë thjeshtësinë e njeriut, që në Fëmijën e Betlehemit shikon Zotin.

Krishtlindja na dëfton dashurinë e pamasë të Zotit për njerëzimin. Që këtu buron edhe entuziazmi, shpresa e ne të krishterëve, që në varfërinë tonë njerёzore, e dimë se duhemi, se na do vetë Zoti. Hyji u njeri, i brishtë si ne, mori natyrën tonë njerëzore, me përjashtim të mëkatit, e mori mbi vete edhe të gjitha mëkatet tona njerёzore, si të ishin të Tijat. Hyri në historinë tonë njerëzore, u bë plotësisht Zoti-me-ne! Lindja e Jezusit, atëhere, na tregon se Hyji deshi të njësohej me çdo burrë e çdo grua, me secilin nga ne, për të na dhënë Jetën dhe gëzimin e Tij. Kёshtu, Kisha na fton përsëri të kundrojmë misterin e Lindjes së Krishtit, për të kapur edhe më shumë domethënien e thellë e rëndësinë e saj për jetën tonë

Papa Françesku na kujton se dhembshuria nuk është shenjë ligështie, as dëshpërimi, por shprehje e forcës dhe e vendosmërisë. Ndaj do të ishte mirë që ditët tona të nisnin me një përqafim, me një puthje, me një ledhatim, me një fjalë të mirë! E sidomos, pa asnjë fjalë të keqe, shqetësuese për shpirtin njerëzor! Dhembshuria është diell për njeriun, ndërsa arroganca e vret këtë ndjenjë kaq delikate në çdo zemër.  Prej saj nuk duhet pasur frikë në asnjë situatë, as kur duhet të jesh i ashpër. Mund edhe të jesh, por pa e humbur kurrë dhembshurinë!

Sytë më të bukur në botë janë ata, që dinë të shikojnë me dhembshuri. E gjuha më sekrete e shpirtit, është pikërisht dhembshuria. E së fundi, një fjalë e urtë nga fjalori tipik i Nënë Terezës: “Folu atyre me dhembshuri. Fytyra jote, sytë, buzëqeshja, ngrohtësia e përshëndetjes të jenë plot me dhembshuri. Mos dhuro vetëm kujdesin, por edhe e kryesisht, zemrën tënde”. “…sa nevojë kemi sot për dhembshurinë!” – na kujton sot Papa.

02 janar 2021, 15:04