Kërko

Françesku: jeta ka errësirën e vet, por drita e Krishtit është më e fuqishme

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të solemnitetit të Dëftimit të Zotit, Françesku kujtoi se shëlbimi i sjellë nga Jezusi u përket gjithë popujve. Është detyrë e besimtarëve ta rrezatojnë, duke u bërë të afërm, jo me prozelitizëm, por me dëshmi.

R. SH. - Vatikan

Shëlbimi i Krishtit është për të gjithë e për secilin, sepse “nuk njeh kufij”. Ky është solemniteti i Dëftimit të Zotit, e kjo, siguria me të cilën Papa iu drejtua zemrës së çdo njeriu, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot.

Një lutje e Engjëllit të Tënzot, e cila do të mbetet në histori, kjo që u kremtua sot nga Papa, gjithnjë nga biblioteka apostolike, ndjekur nga një grusht besimtarësh, mbledhur në Shesh, e nga mijëra të tjerë nga të katër anët e botës, përmes mjeteve të ndryshme të informacionit. Festë e kremtuar në atmosferën e dritë-hijeve të kohës. Sivjet pa larushinë e manifestimit Rroftë Befana, që i çonte besimtarët simbolikisht në kohën kur Tre Mbretërit gjunjëzoheshin para Mbretit të Mbretërve, e adhuronin e i dhuronin ar, kem e mirrë. Por gjithsesi nën të njëtën dritë, që nuk shuhet kurrë e ndriçon në çdo kohë mbarë njerëzimin. Këtë kujtoi Papa gjatë kremtimit të Engjëllit të Tënzot, ditën e Dëftimit të Zotit para gjithë popujve. Kujtoi se shëlbimi i përmbushur nga Krishti  nuk njeh kufij. E, më pas shpjegoi kuptimin e Solemnitetit.

Çfarë kuptimi ka Solemniteti i Dëftimit të Zotit?

Dëftimi i Zoti nuk është mister më vete - shpjegoi -  është i njëjti mister, ai i lindjes së Krishtit, por parë në dritën e në përmasën e dritës; dritë, që ndriçon çdo njeri, dritë për t’u mirëpritur në fe e dritë për t’ua çuar të tjerëve me dashuri, me dëshmi, me kumtimin e Ungjillit.

Vegimi i Izaisë jehon në kohët tona

Vegimi i Izaisë, duke dalë nga faqet e  liturgjisë – vijoi të kujtojë Papa në lutjen e Engjëllit - jehon në kohët tona më aktual se kurrë:

“Errësira e mbulon përsëri tokën, mjegulla e dendur dyndet mbi popujt. Në këtë horizont, profeti kumton dritën: drita e dhuruar nga Zoti në Jeruzalem është e paracaktuar t’ua ndriçojë udhën mbarë popujve. Kjo dritë ka forcë t’i tërheqë të gjithë, të afërt e të largët. E të gjithë vihen për udhë, për të arritur shkëlqimin e saj”.

Është një vegim, që ta hap zemrën, ta mbush me frymë kraharorin, të fton për shpresë.

Drita e Zotit është më e fuqishme se errësira

Natyrisht - vijoi të kujtojë Papa në lutjen e Engjëllit - errësira është gjithnjë e pranishme. Vijon ta kërcënojë jetën e secilit prej nesh e edhe historinë e njerëzimit. Ndonëse drita e Zotit është shumë më e fuqishme. Duhet mirëpritur,  që të mund t’i shndrisë të gjithë. Po ku është kjo dritë? - pyeti Papa. Profeti - shpjegoi - e tejshikonte nga larg, e kjo mjaftonte  për ta mbushur përplot me gëzim të papërmbajtshëm zemrën e Jeruzalemit.

Drita është Foshnja e Betlehemit

E Shën Mateu ungjilltar - vijoi Papa duke rikujtuar episodin e Mbretërve - tregon se kjo dritë është Foshnja e Betlehemit, është Jezusi, edhe pse jo të gjithë e pranojnë pushtetin e tij mbretëror. Eshtë ai, ylli që u duk në horizont. Ai, Mesia i shumëpritur. Ai, përmes të cilit Zoti realizon mbretërinë e dashurisë, të drejtësisë, të paqes. Ai lindi jo vetëm për disa, por për të gjithë njerëzit, për të gjithë popujt.

Krishti, dritë për çdo kohë, për çdo vend

Po si e nga vjen gjithë ky “rrezatim”? Si përhapet drita e Krishtit në çdo vend e në çdo kohë? Sigurisht jo përmes mjeteve të fuqishme të perandorive të kësaj bote, që bëjnë çmos për ta mbajtur pushtetin në duart e tyre. Jo! – shpjegoi Papa - Bëhet përmes kumtimit të Ungjillit. E me të njëjtën “metodë”  që zgjodhi Zoti për të ardhur ndërmjet nesh: mishërimit, domethënë, afërsisë me tjetrin, tërheqjes së të tjerëve:

“Ylli është Krishti, por edhe ne mund të jemi yje për vëllezërit e motrat tona, dëshmitarë të thesareve të mirësisë e të mëshirës së pambaruar, që Shëlbuesi ua jep falas të gjithëve”.

Mjerë ne, po menduam ta zotërojmë dritën

Duhet ta mirëpresim gjithnjë e më shumë këtë dritë.

“Po mjerë ne nëse na shkon mendja ta zotërojmë, ta ‘drejtojmë’- domethënë, ta përdorim për interesat tona! Edhe ne, ashtu si Mbretërit, duhet ta lëmë të na mahnitë, të na tërheqë, të na prijë, të na shndrisë e të na kthejë në rrugën e Krishtit: është rruga e fesë, përmes lutjes e kundrimit të veprave të Zotit, që na mbush pambarimisht me gëzim e mahnitje gjithnjë të re”.

Së fundi Papa, si zakonisht, i drejtoi lutjen Marisë, sot duke i kërkuar ta ndihmojë Kishën universale për ta përhapur në mbarë botën Ungjillin e Krishtit, Lumen gentium, dritë për mbarë popujt!

06 janar 2021, 14:12