Kërko

Papa Francesco in udienza Papa Francesco in udienza 

Papa Françesku: unë, futbolli e topi im prej leckash, në Argjentinë

Papa tregon, në Gazzetta dello Sport, lidhjet e tij të ngushta me sportin: luaja në portë e loja u bë për mua shkollë jete - pohon, duke u kthyer për disa çaste në kohën e lumtur të fëmijërisë.

R. SH. - Vatikan

“Isha portier, e kjo qe për mua shkollë jete. Portieri duhet të jetë gati për t’iu përgjigjur rreziqeve, që mund t’i vijnë nga të katër anët”. Kështu  e kujton Papa Françesku kohën e fëmijërisë, kur luante futboll me një top leckash, në njërin nga fragmentet e intervistës së gjatë dhënë Gazzetta dello Sport,

Papa kujton posaçërisht fëmijërinë e tij në Argjentinë, kur shkonte në stadium. “Më kujtohet shumë mirë e me kënaqësi koha e fëmijërisë, kur  shkonim me familjen në Stadiumin El Gasómetro. Kujtoj, në mënyrë të veçantë, kampionatin e vitit 1946, atë që e fitoi Shën Lorenci im. Kujtoj ato ditë, që kaluan duke parë lojën e futbollistëve e lumturinë që ndjenim ne, fëmjët, kur ktheheshim në shtëpi: në fytyrat tona lexohej lumturia, në gjak, vlonte adrenalina.

Më pas - shton - kam edhe një kujtim tjetër, atë të topave prej lecke, la pelota de trapo: lëkura kushtonte e ne ishim të varfër, ndërsa goma nuk përdorej ende aq shumë, po ne na mjaftonte një top pecash për t’u dëfryer edhe më shumë se me topa të  vërtetë, e për të bërë mrekullira, duke luajtur në sheshin pranë shtëpisë. Kur isha i vogël më pëlqente futbolli, por nuk isha lojtari më i mirë, madje isha njëri nga ata që në Argjentinë i quajnë “pata dura”, domethënë “këmbë e rëndë”. Prandaj më linin gjithnjë në portë. Po kjo qe për mua shkollë jete. Portieri duhet të jetë gjithnjë gati për t’iu përgjigjur rreziqeve, që mund ta sulmonjnë nga të katër anët…. Kam luajtur edhe basketboll. Më pëlqente, edhe pse im atë ishte shtylla  e basketbollit të Shën Lorencit”.

E, me figurën e të atit, që luante basket “me top të vërtetë” e që i mbeti përgjithëjetë në kujtesë - Papa i përfundon kujtimet e fëmijërisë, kur ishte lojtar i shquar (në mëhallë, natyrisht) në lojën me top leckash!

04 janar 2021, 15:53