Kërko

Françesku: jemi shërbëtorë të nevojtarëve e përkëdhelja e Zotit për ta

Në një videomesazh për ipeshkvijtë dhe klerin dioqezan e rregulltar të Venezuelës, Papa ndalet në shërbimin e Kishës, në këtë kohë pandemie. Duke falenderuar për gjithçka bëhet, ai nxit të duhen më nevojtarët, në mënyrë që “në këtë kohë krize, ta ndiejnë se nuk janë vetëm, se mbështeten e duhen”

R.SH. - Vatikan

Dashuri dhe shërbim. Dy drejtime, dy mënyra, dy parime, mbi të cilat duhet bazuar shërbimi i barinjve të Kishës, sipas Papës Françesku. Në videomesazhin e dërguar me rastin e takimit virtual të ipeshkvijve, të klerit dioqezan dhe rregulltar të Venezuelës, që përfundon nesër, Papa reflekton mbi temën e këtyre dy ditëve në internet: “Meshtarët tanë në pandemi: përvoja dhe ushtrimi i shërbimit të tyre në këtë periudhë”.

Të vijohet vepra e Kishës

Papa Françesku kujton vështirësitë e emergjencës shëndetësore “të cilat shtypin edhe shumë nga vëllezërit dhe motrat tona në Venezuelë e në të gjithë botën”.

“Kjo është një mundësi për bashkëndarjen e përvojave tuaja meshtarake – nënvizon Papa – të lodhjes, të pasigurisë tuaj, si dhe etjen tuaj për Zotin e bindjen se duhet vazhduar vepra e Kishës, e cila është vepër e Hyjit, me frymën e vëllazërimit në shërbim”.

Mjete në duart e Jezu Krishtit

Duke kujtuar fragmentin ungjillor në të cilin Jezusi i fton dishepujt të pushojnë me Të, Papa u kërkon meshtarëve dhe ipeshkvijve venezuelanë të punojnë së bashku, duke shkuar drejt së vetmes dritë: asaj të Zotit.

“Nuk mund të veprojmë të vetëm, të izoluar, si njerëz të mbushur me vetveten, me objektiva të fshehta – pohon Ati i Shenjtë. - Është e domosdoshme që të kthehemi gjithnjë tek Jezusi, që të mblidhemi në vëllazërim sakramentor, për t’i  treguar Atij dhe njëri-tjetrit ‘gjithçka kemi bërë dhe u kemi mësuar’ të tjerëve, me bindjen se nuk është vepër e jona, por e Zotit. Ai na shpëton, ne jemi vetëm mjete në duart e tij”.

Eukaristia dhe larja e këmbëve

Njerëzit e Zotit, vëren më tej Papa, janë mjete të gatshme për të shërbyer, duke e dashur të afërmin. E kjo realizohet në dy Sakramente, që “Jezusi i themeloi në Darkën e Mbrame”, baza e mesazhit të tij:

“Eukaristia, për t’u mësuar njerëzve dashurinë dhe, larja e këmbëve, për t’u mësuar shërbimin. Dashuria dhe shërbimi së bashku, përndryshe nuk shkon”, vëren Papa në videomesazhin për klerin venezuelan.

Krah të mënjanuarve

Zoti, nënvizon Papa, na do ekspertë në detyrën e dashurisë për të tjerët dhe të aftë për t’u treguar atyre përkëdheljen e dhembshurisë hyjnore, përmes thjeshtësisë së gjesteve të vogla të përditshme të dashurisë dhe vëmendjes.

“Na do edhe shërbëtorë të vëllezërve tanë, - vijon Ati i Shenjtë - por shërbëtorë të përvuajtur, sepse është Jezusi ai, që na dërgon dhe na kujton se shërbëtori nuk është më i madh se i Zoti i tij e, as i dërguari nuk është më i madh se ai që e dërgoi. Duhet të ringjallet në jetë dëshira për ta imituar Bariun e Mirë dhe për të mësuar të bëheni ‘shërbëtorë’ të të gjithëve, veçanërisht, shërbëtorë të vëllezërve dhe të motrave më fatkeqe, shpesh të mënjanuara, duke u siguruar që, në këtë kohë krize, ta ndiejnë se nuk janë vetëm, se mbështeten e duhen”.

Dëshmitarë, që e shtrijnë dorën

Në përfundim të videomesazhit, Papa Françesku nxit të punohet me gëzim e vendosmëri, duke e ripërtërirë “dhurimin” e vetvetes për “Zotin dhe popullin e tij të shenjtë”.

“Ju falënderoj për dëshminë e dashurisë dhe të shërbimit ndaj vëllezërve dhe motrave venezuelane, që shihet në vëmendjen tuaj për të sëmurët, të cilëve u çoni forcën e Fjalës së Zotit dhe të Eukaristisë; në shoqërimin tuaj për personelin mjekësor, paramjekësor dhe për vullnetarët, që ndihmojnë pacientët e kësaj pandemie; në zellin tuaj për të ndihmuar të varfërit dhe të përjashtuarit, si edhe ata, që nuk kanë as gjërat më të nevojshme për të mbijetuar dhe për të ecur përpara me dinjitet. Faleminderit, faleminderit për gjithçka”.

Mos u ndani

Duke siguruar afërsinë dhe lutjet e tij, Papa e fton Kishën në Venezuelë të mbështesë “vëllezërit e munduar nga varfëria dhe kriza shëndetësore”. Me ndërmjetësimin e Zojës së Koromotos dhe të Shën Jozefit, Françesku i kërkon Zotit t’i bekojë sidomos ipeshkvijtë e gjithë klerin e vendit që të qëndrojnë të bashkuar.

“[Hyji] e bekoftë dhe e shoqëroftë punën, zemrën, duart tuaja, gjunjët kur luteni. I bekoftë dhe i shoqëroftë shpresat tuaja, qëllimet e mira dhe, mbi të gjitha, e bekoftë dhe e shoqëroftë unitetin tuaj. Mos u ndani, vëllezër! Mos u ndani. Ka gjithmonë një mundësi për t’u bashkuar. Si gjithmonë, ka edhe një mundësi për t’u izoluar e për të mbajtur qëndrimin e zemrës sektare, jashtë unitetit të Kishës”.

19 janar 2021, 15:00