Kërko

Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme 

Papa: Bibla, vendi ku Zoti takohet me njeriun

Shkrimi Shenjt është thesar i pashterrshëm, i shkruar “për burrat e gratë, që kanë emër e mbiemër”. E theksoi Françesku në audiencën e sotme të përgjithshme, duke rikujtuar se njohja e Fjalës nuk është çështje përsëritjeje mekanike, po vend ku Zoti takohet me të gjithë e nuk i lë gjërat, ashtu si ishin më parë!

R. SH. - Vatikan

“Fjalët e Shkrimit Shenjt nuk u shkruan për t’u burgosur në papirus, në pergamenë a në letër, por për t’u pranuar nga njeriu që lutet e për të mungulluar në zemrën e tij”.  Papa e vuri, kështu, edhe një herë lutjen në qendër të katekizmit të audiencës së përgjithshme, kremtuar, si zakonisht gjatë kësaj periudhe, nga Biblioteka e Pallatit apostolik.

Bibla nuk mund e as nuk duhet lexuar si të ishte roman, duhet shoqëruar gjithnjë me lutje, sepse është dialog me Zotin - kujtoi Papa - për të theksuar, më pas:

“Ky verset i Biblës u shkrua edhe për mua. Shekuj më parë! U shkrua për të ma sjellë edhe mua Fjalën e Zotit. E jo vetëm mua, por ne të gjithëve. Gjithë besimtarët e jetojnë këtë përvojë; një fragmet i Shkrimit Shenjt, i dëgjuar shumë herë, një ditë, pa pritur e pa kujtuar nis e më flet e më ndriçon situatën, që po jetoj. Po duhet që unë këtë ditë të jem aty, në takim me këtë Fjalë. Të jem aty, duke e dëgjuar këtë Fjalë”.

Fjala mishërohet në ne e i ndryshon të gjitha gjërat

Zoti kalon çdo ditë përmes Shkrimit Shenjt e hedh në truallin tonë farën e vet. Varet nga ne nëse do të mbijë, nga zemra jonë, nga gatishmëria jonë - tha Papa. E ricitoi, më pas, fjalët e Shën Agostinit, që i pati kujtuar edhe  javën e kaluar:

‘Kam frikë nga Zoti, kur kalon’. Frikë nga çka? ‘Frikë  se nuk do ta njoh, se nuk do ta shoh, se nuk do ta mirëpres’”.

Françesku foli për një lloj të ri mishërimi të Fjalës, duke kujtuar se “jemi ne tabernakujt, ku Fjalët e Zotit duhen mikpritur e duhen ruajtur, që të mund ta vizitojnë botën”. Por, porositi më pas, duke folur lirisht:  “Kujdes! Shkrimi Shenjt  nuk duhet manipuluar, duke u përdorur për të konfirmuar “vizionin vetjak filozofik e moral”, por duke shpresuar vetëm “në takimin me Zotin”. E vërejti:

“Mërzitem pa masë kur i dëgjoj të krishterët duke i lexuar versetet e Biblës si papagaj. Oh, po… Oh, Zoti thotë… Zoti do kështu e kështu...”. Po ti, a je takuar me Zotin përmes këtyre fjalëve?Nuk është thjesht problem kujtese: është problem i kujtesës së zemrës, i asaj, që të hap portën për takimin me Zotin. E kjo fjalë, ky verset, të çon pikërisht në takimin me Zotin”.

Më pas, duke u rikthyer përsëri tek teksti i shkruar, vijoi:

“Ne i lexojmë Shkrimet, sepse ata ‘na lexojnë ne’. E është hir i vërtetë nëse shikon veten në këtë apo atë personazh, në këtë apo atë situatë. Bibla  nuk është shkruar për njerëzimin në përgjithësi, por për ne, për mua e për ty, për burrat e gratë  me mish e eshtra, që kanë emër e mbiemër, si unë e si ti. Fjala e Zotit,  përplot me Shpirtin Shenjt, kur mirëpritet me zemër të hapur, nuk i lë gjërat siç ishin më parë. Diçka e ndryshon!”.

Lectio divina: leximi, dialogu e kundrimi

Papa përshkroi, më pas, atë formë të lutjes që, e lindur në manastiret,  u përhap edhe në famullitë; është lectio divina. Lexim i një fragmenti nga Bibla, i bërë me vëmendje, “duke iu bindur tekstit” - vërejti Françesku. Për ta kuptuar me fund domethënien e tij. Pastaj nis dialogu me fjalët  e lexuara, duke i medituar e duke e pyetur veten çfarë duan nga unë. Së fundi, lectio divina parashikon edhe një çast kundrimi. Fjalët dhe mendimet - pohoi Papa - ia lënë vendin dashurisë, ashtu si ndodh me të dashurit, të cilëve u mjafton të shikohen sy më sy, në heshtje. E më pas vijoi:

“Përmes lutjes, Fjala e Zotit vjen të banojë ndër ne e ne banojmë në të. Fjala na frymëzon mendime të mira e na mbështet në aksion; na jep forcë e qetësi, e edhe kur na vë në krizë, prap se prap na mbush me paqe. Në ditët ‘terse’ e plot pështjellime, i siguron zemrës sonë një bërthamë besimi e dashurie, që e mbron nga sulmet e djallit të mallkuar. Kështu Fjala mishërohet, të lejon ta përdorësh këtë fjalë, bëhet mish e gjak në ata, që e mirëpresin në lutje”.

Ndryshon gjithçka. E ky është hiri, kjo, forca e Fjalës

Në jetën e shenjtorëve, vula e Shkrimit Shenjt   

Kështu Fjala e Zotit mishërohet në ata,  që e mirëpresin në lutje. Në ndonjë tekst të lashtë kujtohet se të krishterët  bëhen një me Fjalën  aq, sa edhe po të digjeshin të gjitha biblat e botës, do të shpëtonte “kopja”, përmes gjurmës që la në jetën e shenjtorëve. Shprehje e bukur e prekëse, kjo!

Bindje e frymë krijuese! Prej tyre përbëhet jeta e të krishterit! E Shkrimet e Shenjta - përfundoi Papa -  janë thesar i pashterrshëm. 

Zoti na ndihmoftë të gjithëve të përfitojmë gjithnjë më shumë nga ky thesar, përmes lutjes!

27 janar 2021, 11:37