Kërko

Papa Gjoni XXIII Papa Gjoni XXIII

Njerëz të shpresës

Edhe kësaj radhe, si gjithmonë, e filluam vitin e ri me shpresë, duke uruar që çdo gjë të shkojë më mirë sesa në të kaluarën. Virtyti i dytë teologal është kremtuar gjithnjë nga papët e kohëve moderne, me mënyra dhe në kontekste të ndryshme, por me të njëjtin përkushtim

R.SH. - Vatikan

Në enciklikën e tij të dytë, më 30 nëntor 2007, Papa Benedikti XVI shkruan se shpresa e krishterë nuk është individualiste, por komunitare, se gjithmonë e në çdo rast bazohet mbi ndihmën e Zotit:

“Në Enciklikën ‘Spe Salvi’, këshillova lutjen e vuajtjen, së bashku me veprimin e gjykimin, si ‘vende për të mësuar e për ta ushtruar shpresën’. …Lutja e ushqen shpresën, sepse asgjë tjetër më shumë se lutja plot fe nuk e shpreh më mirë realitetin e Zotit në jetën tonë. Edhe në vetminë e sprovës më të vështirë, asgjë dhe askush nuk mund të më ndalojë të kthehem te Ati, ‘në fshehtësinë’ e zemrës sime, ku vetëm Ai ‘sheh’”.

Kështu e përmblodhi vetë Papa kuptimin e shpresës së krishterë, gjatë meshës të së Mërkurës së Përhime, më 6 shkurt të vitit 2008. Lutja e ushqen shpresën, prandaj kur lutemi, gjithmonë dhe në çdo rast, ushtrojmë dhe përdorim shpresën. E, nuk do të mund të jetonim pa shpresuar që lutjet tona të dëgjohen. Prag Krishtlindjesh, viti 1989. Mesditë, lutja e Engjëllit të Tënzot. Papa Gjon Pali II i jep shpresës një kuptim “aktiv”, që ka të bëjë me pjesëmarrjen... Përfundim i shkëlqyer për një dekadë, që gabimisht, është përkufizuar si mosimpenjim dhe si “arratisje drejt sferës private”…

“Në këtë prag të Krishtlindjes, një ndjenjë pritjeje mbush zemrat e të krishterëve dhe të gjithë Kishës. Është pritje plot shpresë. Po përgatitemi të presim Krishtin, i cili vjen tek ne si shpëtimtari i botës. E dimë se ai vjen me një pushtet shpirtëror, të aftë ta shndërrojë dhe ta ripërtërijë gjithësinë. Prandaj jemi të sigurt se shpresa jonë nuk do të zhgënjehet: vetë Krishti është garant i përmbushjes së saj. Sidoqoftë, Ai dëshiron që ne të marrim pjesë aktive në veprën e ndërmarrë me ardhjen e tij në botë: Ai dëshiron që edhe ne të bashkëpunojmë në Shëlbimin e botës. Besimtari pret gjithçka nga Krishti e, megjithatë, impenjohet sikur gjithçka të varej prej tij. Kjo është shpresa që duhet ta gjallërojë të krishterin në përpjekjet e përditshme për t’iu përmbajtur vlerave të Ungjillit. …Bota është e etur për shpresë. Ndihet e shtypur nga shumë të këqija, e munduar nga sprova të shumta. Kudo shohim dramat e mjerimit dhe tragjeditë e shkaktuara nga pasionet njerëzore. Dëshirat për paqe pengohen nga rivalitetet, luftërat, konfliktet e të gjitha llojeve. Kërkesa për shpërndarjen e drejtë të pasurive ndeshet me rezistencën e arrogancës dhe të egoizmit. Meshtari, njeri i shpresës, duhet t’i inkurajojë të gjitha përpjekjet vullnetmira, por sidomos, duhet të priret që të zhvillojë rreth vetes shpresën, e cila nuk zhgënjen (Rom 5,5), atë shpresë, që i drejtohet Krishtit dhe pret gjithçka prej tij”.

Shpresa që i drejtohet Krishtit dhe beson tek Ai kalon përmes lajmëtarëve të tij, njerëz të Zotit, që dëshmojnë atë shpresë, e cila është vetë Jezusi. Në vitet e trazuara ’70 të shekullit të kaluar, duke iu drejtuar brezave të rinj, të etur për shpresë e për një botë më të mirë, Papa Pali VI foli për Jezusin, duke e quajtur “njeriu i vërtetë i shpresës”. Ishte e Diela e Larit, 26 mars 1972. Papa kujtoi atë dyshim, që ia trazonte shpirtin popullit të Galilesë: a ishte me të vërtetë Krishti Mesia apo jo?...

“Nëse e lexoni Ungjillin, e kuptoni se drama e Jezusit sillet rreth kësaj alternative. Jo vetëm e Jezusit, por e gjithë popullit; e jo vetëm e atij populli, por e krejt njerëzimit; vetë drama jonë, e të gjithë neve, që jemi këtu; drama e botës së sotme e të nesërme; sepse në këtë dramë vendoset nëse Jezusi është me të vërtetë i dërguari i Zotit, nëse Ai është Shpëtimtari i botës, nëse është nyja në të cilën përqendrohen dhe zgjidhen të gjitha pyetjet jetike të njeriut, të çdo njeriu në planetin tonë. Mirë pra, mbajeni mend skenën e hyrjes së Jezusit, atë ditë, të cilën ne e përkujtojmë dhe e rijetojmë sot, në Jeruzalemin e mbushur me njerëz, që vinin nga të gjitha anët e asaj toke fatale dhe nga të gjithë njerëzit, që bërtisnin, të rinjtë në radhë të parë, skenën në të cilën Ai njihet dhe shpallet se, po, është Mesia, djali i Davidit, njeriu i shpresës së kaluar dhe i shpresës së ardhme, njeriu qendror, njeriu kryesor, njeriu që përmbledh në vetvete fatin e historisë njerëzore, ai që zbulon dhe përmbush profecitë e lashta dhe të ardhme; njeriu-Zot i shpëtimit tonë”.

Por, magjisteri i Kishës e ka parë dhe e ka kultivuar shpresën edhe në ngjarjet tokësore. Ishte Krishtlindja e gjashtë e luftës kur Papa Piu XII, në radiomesazhin e tij për Krishtlindjen e vitit 1944, foli për një agim shprese, që e bënte të parashikonte fundin e konfliktit...

“Bekuar qoftë Zoti! Nga rënkimet e rënda të dhimbjes, nga gjiri i ankthit të mundimshëm të individëve dhe të vendeve të shtypura, duken rrezet e para të agimit të shpresës. Në një aradhe gjithnjë e më të madhe shpirtrash fisnikë lind mendimi, vullneti gjithnjë e më i qartë dhe më i fortë: ta kthejmë këtë luftë botërore, këtë përmbysje universale, në pikënisje për një epokë të re risimi të thellë, për riorganizimin e përgjithshëm të botës. Kështu, ndërsa ushtritë vazhdojnë të lodhen në beteja vdekjeprurëse, me mjete luftarake gjithnjë e më mizore, burrat e qeverisjes, përfaqësuesit e përgjegjshëm të kombeve, mblidhen në bisedime, në konferenca, për të përcaktuar të drejtat dhe detyrat themelore, mbi të cilat duhet të rikrijohet bashkimi ndërmjet shteteve, për të përvijuar rrugën drejt një ardhmërie më të mirë, më të sigurt, më të denjë për njerëzimin”.

E çfarë tjetër, përveçse shpresës për një të ardhme më të sigurt, më dinjitoze e më të begatë për njerëzimin dhe për vetë Kishën, i përshkonte fjalët e Papës Gjoni XXIII në përurimin e Koncilit II të Vatikanit? Një shpresë, që dëgjohej qartë në zërin e vetë shenjtit të ardhshëm, në të cilin “ndihej” buzëqeshja, shpresa se po vinin kohë të reja. Ishte 11 tetori i vitit 1962…

“Të dashur bij, ua dëgjoj zërin. Imi është vetëm një zë, por përmbledh zërin e të gjithë botës; këtu përfaqësohet e gjithë bota. Duket sikur edhe hëna ka nxituar sonte - shikojeni sipër! - për ta parë këtë shfaqje. Përfundon sot një ditë e madhe paqeje; për paqen: ‘Lavdi i qoftë Zotit dhe paqe njerëzve vullnetmirë’. E përsërisim shpesh këtë urim dhe kur mund të pohojmë se vërtet rrezja, ëmbëlsia e paqes së Zotit na bashkon dhe na merr për dore, ne themi: ‘Ja këtu, një shembull se si duhet të jetë jeta, gjithmonë, e të gjitha shekujve dhe jeta, që na pret në amshim’… Le të vazhdojmë, pra, ta duam njëri-tjetrin, ta duam njëri-tjetrin kështu, ta duam njëri-tjetrin kështu, duke e parë njëri-tjetrin në këtë mënyrë në takim, duke kapur atë që na bashkon, duke e lënë mënjanë - nëse ka – diçka, që mund të na hapë telashe. E kështu: Fratres sumus! Drita që shkëlqen mbi ne, që është në zemrat tona, në ndërgjegjet tona, është drita e Krishtit, i cili, me të vërtetë, dëshiron të sundojë, me Hirin e tij, mbi të gjitha shpirtrat. …Ne i përkasim një epoke, në të cilën jemi të ndjeshëm ndaj zërit, që vjen nga Lart: e duam të jemi besnikë dhe të ndjekim drejtimin, që na dha Krishti i bekuar”.

E megjithatë, pavarësisht nga ajo shpresë në Zotin, që vlen edhe sot, bota e sprovuar nga pandemia e koronavirusit, duket sikur e ka humbur horizontin e është zhytur në humnerën e pashpresë. Por, përsëri, mjafton të kujtojmë Papën Benedikti XVI, i cili, në hapjen e kuvendit kishtar të dioqezës së Romës kushtuar temës “Të edukojmë shpresën”, vë gishtin mbi plagë dhe tregon zgjidhjen. Jemi në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, më 9 qershor 2008:

“Në shoqërinë dhe në kulturën e sotme, pra, edhe në qytetin tonë të dashur të Romës, nuk është e lehtë të jetosh nën shenjën e shpresës së krishterë. Nga njëra anë, shpesh mbizotërojnë mosbesimi, zhgënjimi dhe dorëzimi, që i kundërvihen jo vetëm ‘shpresës së madhe’ të fesë, por edhe atyre ‘shpresave të vogla’, që normalisht na ngushëllojnë në përpjekjet për të arritur objektivat e jetës së përditshme. Është tejet e përhapur ndjenja se, për Italinë, ashtu si për Evropën, vitet më të mira kanë kaluar tashmë dhe se brezat e rinj i pret një fat i pasigurt. … I afrohemi kështu, arsyes më të thellë dhe më vendimtare për brishtësinë e shpresës në botën ku jetojmë. Në fund të fundit, kjo arsye nuk ndryshon nga ajo, që u tregoi Shën Pali Apostull të krishterëve të Efesit, kur u kujtoi se, para se të takonin Krishtin, ishin ‘pa shpresë dhe pa Zot në botë’ (Ef 2,12). Qytetërimi dhe kultura jonë, që tashmë e kanë takuar Krishtin që prej dy mijë vitesh, veçanërisht këtu në Romë e, nuk do të njiheshin pa praninë e tij, tepër shpesh priren ta vendosin Zotin në parantezë, duke e organizuar jetën personale dhe shoqërore pa të e duke besuar edhe se Hyji nuk mund të njihet e madje, duke e mohuar vetë ekzistencën e Tij. Por kur Zoti lihet mënjanë, asnjë nga gjërat që na shqetësojnë vërtet nuk mund ta gjejë vendin e vet, të gjitha shpresat tona të mëdha e të vogla, mbështeten mbi asgjë. Për të ‘edukuar shpresën’, siç duam të bëjmë…, para së gjithash, duhet t’ia hapim zemrën, inteligjencën dhe tërë jetën tonë Zotit, në mënyrë që të jemi, në mesin e vëllezërve, dëshmitarët e tij të besueshëm”.

04 janar 2021, 16:31