Kërko

Një javë me Papën e me Kishën

Nga homelia e meshës dhe Engjëlli i Tënzot në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, në reagimin e ipeshkvijve amerikanë ndaj sulmit kundër Capitol Hill në Uashington: një javë me ngjarje e veprimtari papnore e kishtare.

R.SH. - Vatikan

“Adhurimi i Zotit nuk është i lehtë, nuk është diçka, që arrihet menjëherë: kërkon pjekuri shpirtërore, pasi është pikëmbërritja e një udhëtimi të brendshëm, që nganjëherë, vazhdon gjatë. Adhurimi i Zotit nuk është spontan në ne. Po, njeriu ka nevojë të adhurojë, por ka rrezik të gabojë; vërtet, nëse nuk adhuron Zotin, do të adhurojë idhujt”. Kështu tha Papa Françesku në homelinë e meshës së solemnitetit të Dëftimit të Zotit, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit, më 6 janar.

Papa në Engjëllin e Tënzot: drita e Krishtit, jo për prozelitizëm, por për dëshmi

 “Krishti, i cili është Dashuri, mund të shndrisë në ata, që e pranojnë dhe të tërheqë të tjerë. Drita e Krishtit nuk përhapet veç me fjalë, ose me metoda të rreme, prej afaristi… Jo, jo. Feja, fjala, dëshmia: kështu përhapet drita e Krishtit. Ylli është Krishti, por edhe ne mund të jemi yje për vëllezërit e motrat tona, dëshmitarë të thesareve të mirësisë e të mëshirës së pambaruar, që Shëlbuesi ua jep falas të gjithëve. Drita e Krishtit nuk përhapet nga prozelitizmi, ajo përhapet me dëshmi, me fe. Edhe përmes martirizimit”. Ky ishte thelbi i reflektimit të Papës Françesku gjatë Engjëllit të Tënzot, shqiptuar në Bibliotekën e Pallatit Apostolik, në Vatikan, në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit, po më 6 janar.

“Kushti është ta mirëpresim këtë dritë në shpirt, ta mirëpresim gjithnjë e më shumë. Mjerë ne nëse na shkon mendja ta zotërojmë, ta ‘shfrytëzojmë për vete’!”, paralajmëroi Papa.  “Edhe ne, ashtu si Mbretërit, duhet ta lëmë të na mahnitë, të na tërheqë, të na prijë, të na shndrisë e të na kthejë në rrugën e Krishtit: është rruga e fesë, përmes lutjes e kundrimit të veprave të Zotit, që na mbush pambarimisht me gëzim e mahnitje gjithnjë të re”.

Kontributi i Ditës Misionare të Fëmijëve

 Siç kujtoi Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot të Epifanisë, po më 6 janar, u kremtua edhe Dita Botërore Misionare e Fëmijëve, promovuar nga Veprat Misionare Papnore. Ajo ditë, pavarësisht se e kremtuar në internet, për shkak të koronavirusit, vuri në pah se fëmijët dhe të rinjtë në të gjithë botën ndihen pjesë e së njëjtës familje, anëtarë të popullit të Zotit, që ecin së bashku për t’ua kumtuar Krishtin e për t’ua bërë të njohur atyre, që nuk kanë dëgjuar kurrë për të”.

Në një komunikatë të Veprave Papnore Misionare, Sekretarja e përgjithshme e seksionit për fëmijët e të rinjtë, motër Roberta Tremarelli, nënvizon: “Bëhuni dëshmitarët e mi: kjo është ftesa që Jezusi u drejton dishepujve të vet, pra, edhe gjithë të pagëzuarve, pavarësisht nga mosha. Fëmijët dhe të rinjtë, që marrin pjesë në veprimtari misionare gjatë gjithë vitit, e kanë zemrën të hapur për dashurinë e Zotit, i cili i drejton në ndihmë të të afërmve”. Pavarësisht nga pandemia, që i mbylli në shtëpi, fëmijët u lutën për bashkëmoshatarët e për gjithë botën dhe – aty ku ishte e mundur – ndihmuan nevojtarët. E, sidomos, vijuan të dëshmojnë Krishtin në shtëpi e në shkollë.

Sulm kundër Kongresit amerikan, dënimi i ipeshkvijve vendas

 Ipeshkvijtë katolikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dënuan vendosmërisht sulmin e përkrahësve të ish-presidentit Donald Trump kundër Kongresit, më 6 janar.

“Bashkohem me njerëzit vullnetmirë në dënimin e dhunës në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara. Lutem për personelin e Kongresit, për policët dhe për të gjithë ata, që po rivendosin rendin dhe sigurinë publike”: kështu deklaroi kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të SHBA-ve, imzot José Horacio Gómez. “Kalimi paqësor i pushtetit është një nga shenjat dalluese të këtij kombi të madh. Në këtë çast shqetësues, duhet të impenjohemi sërish për vlerat dhe parimet e demokracisë dhe të bashkohemi si një komb i vetëm nën Zotin. Dyshimet për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të zgjidhen me dhunë kundër institucioneve demokratike”, përfundon kryeipeshkvi i Los Anxhelesit.

Tronditje, zemërim, ankth, hutim. Skenat e sulmit kundër Capitol Hill, vandalizuar e përdhosur, flamujt e Konfederatës brenda tempullit të demokracisë, mbajtur nga protestues gjithnjë e më të dhunshëm, para një policie të paaftë t’i bënte ballë turmës, shkandulloi vetë amerikanët e pastaj, botën. Nuk mban mend njeri që turma të tilla të kenë rrethuar ndonjëherë Kapitolin, të kenë marrë peng përfaqësuesit e popullit, duke vënë në rrezik sigurinë e personaliteteve më të larta të shtetit.

“Ky është rezultat i pashmangshëm, pas 4 vite gënjeshtrash të presidentit Donald Trump. Katër vite, gjatë të cilave presidenti demonizoi kundërshtarët. Katër vite abuzimi të pashpjegueshëm me pushtetin. Katër vite me retorikë të shfrenuar dhe me kërcënime jo dhe aq të fshehta për dhunë. Katër vite, mbushur me urrejtje racore, me ankth dhe me frikë nga të bardhët”. Për jezuitin Bryan Massingale, kryengritja, që la katër viktima mbi truallin e Uashingtonit, njëra prej të cilave grua, ka vetëm një emër: Donald Trump. Është ai, që e ushqeu dhe i fryu zjarrit të pakënaqësisë së të bardhëve, tw cilët më 6 janar marrshuan kundër Kongresit, por Trump ka edhe shumë bashkëpunëtorë, të cilët e kanë mbyllur gojën në emër të një “paqeje cinike e të heshtjes frikacake” para “një presidenti të paaftë për të kryer detyrën”. Janë ata, “që i shumëfishuan gënjeshtrat për fitoren e vjedhur, që të nxirrnin përfitime afatshkurtra; njerëz të paaftë t’i bënin ballë shkatërrimit të paparë të normave demokratike, nga frika e një tweet-i presidencial”.

10 janar 2021, 09:42