Kërko

Vatican News

Një javë me Papën dhe me Kishën

Veprimtaritë kryesore të Atit të Shenjtë gjatë javës së kaluar: audienca e përgjithshme, Dita e Kujtesës për viktimat e Holokaustit, udhëtimi i Papës në Irak, Mesazhi për Ditën Misionare Botërore...

R.SH. - Vatikan

Papa në audiencë: “Të kujtojmë e të kemi kujdes, sepse Shoah mund të ndodhë sërish”

         Thirrje që “të kemi kujdes, sepse këto gjëra mund të ndodhin sërish”. Në Ditën e Kujtesës së Holokaustit, Papa Françesku përfundoi audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar - transmetuar drejtpërdrejt nga biblioteka private e Pallatit Apostolik – duke theksuar se e kemi për detyrë të mos i harrojmë tmerret e Shoah-ut, që ato të mos përsëriten. Në qendër të katekizmit, lutja përmes Biblës, e cila “nuk mund të lexohet si roman” e as “nuk duhet instrumentalizuar për ndonjë interes”. “Bibla nuk është shkruar për një njerëzim të çfarëdoshëm, por për ne, për ty dhe mua, nënvizoi Papa - për burra dhe gra me mish e gjak, të cilët kanë emra dhe mbiemra” e “kur pranohet me zemër të hapur, nuk i lë kurrë gjërat siç ishin më parë”. “Në ditët e vështira e konfuze, Shkrimi i Shenjtë i siguron zemrës atë bërthamë të fuqishme besimi e dashurie, që e mbron nga sulmet e të keqit”, përfundoi Papa Françesku.

 

Për të mos rënë në gjumin e arsyes

         Për shkak të pandemisë së koronavirusit, shumica e veprimtarive të Ditës së Kujtesës u zhvillua në internet. Thirrje për të mos harruar, në këto kohë, kur shtohen prirjet për ta mohuar shfarosjen e hebrenjve e të popujve të tjerë në kampet e përqendrimit nazist. Ashtu siç kërkon poetesha e madhe polake Wisława Szymborska në vargjet e saj, së bashku me ftesën për të gjithë të mbijetuarit e Holokaustit, që t’i lënë dëshmitë e tyre me shkrim. “Shkruaje. Shkruaje. Me bojë të zakonshme/ mbi kartë të zakonshme: nuk u dhanë për të ngrënë,/ vdiqën të gjithë nga uria. Të gjithë? Sa?/ Fusha është e madhe. Sa bar/ u takoi për kokë? Shkruaj: nuk e di”.

 

Mesazh i Papës për Ditën Misionare Botërore

         Të premten u bë i njohur Mesazhi i Papës Françesku për Ditën Misionare Botërore, që kremtohet në tetorin e këtij viti. Tema e këtij viti është marrë nga Veprat e Apostujve: “Nuk mund të heshtim për ato që kemi parë dhe dëgjuar” (Vap 4,20). Ati i Shenjt nënvizon se ajo është një ftesë që secili prej nesh të marrë pësipër përgjegjësinë e ungjillëzimit e t’ua bëjë të njohur të gjithëve ç’ka në zemër një i krishterë. Feja, vëren Papa, dobësohet, e humbet profecinë dhe aftësinë për t’u mahnitur nëse e izolojmë vetveten, ose mbyllemi në grupe të vogla. Natyra e saj është zamra e hapur, në gjendje të përqafojë të gjithë. Të krishterët e parë, kujton Papa në Mesazh, nuk krijuan ndonjë elitë, por e lanë Zotin t’u fliste, filluan jetën e re që Ai u propozonte dhe të shkonin kudo për të dëshmuar ç’kishin parë e dëgjuar: Mbrëtëria e Zotit është afër. Papa nënvizon se edhe më të ligështit, njerëzit me kufizime e të plagosurit nga jeta mund të jenë misionarë, në mënyrën e tyre, sepse e mira mund të kumtohet edhe kur bashkëjeton me brishtësitë e njeriut.

 

Papa në Irak: kard. Sako konfirmon takimin me al-Sistanin

         Papa Françesku do të ketë një takim privat të shtunën, më 6 mars, me udhëheqësin shpirtëror shiit irakian, ajatollahun Ali al-Sistani, gjatë të cilit ata do të dënojnë bashkërisht “të gjithë njerëzit, që sulmojnë jetën”. Njoftimin e dha javën e kaluar Patriarku kaldeas i Bagdadit, kard. Louis Raphael Sako, duke folur me gazetarët për udhëtimin e ardhshëm të Atit të Shenjtë në Irak, në një konferencë online, organizuar në Paris, nga Konferenca Ipeshkvnore Franceze dhe nga Oeuvre d’Orient. Kardinali përshkoi hap pas hapi programin e udhëtimit të Papës, nga 5 deri më 8 mars, në “Tokën Shenjte të Abrahamit, por edhe të Ezekielit, të Jonës, aty ku u shkrua një pjesë e Biblës”. Dialogu dhe pajtimi janë dy fjalët kyçe të këtij udhëtimi. Kardinali nuk ishte në gjendje të konfirmonte nëse do të nënshkruhet një tekst i përbashkët me ajatollahun Ali al-Sistani, në frymën e Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor, por data dhe ora e takimit janë përcaktuar tashmë. “Papa – tha kardinali Sako – do të sjellë në Irak një mesazh faljeje dhe pajtimi. Kami pasur tepër luftra e tepër vdekje. Shpresoj që irakianët ta kuptojnë mesazhin e Papës Françesku e që Iraku, pas vizitës së tij, të mos jetë më si më parë”.

 

Papa Françesku i dhuroi 100 mijë euro Karitasit të Kroacisë

         Agjencia kroate Ika njoftoi javën e kaluar se më 11 janar, Papa Françesku i dhuroi Karitasit të Kroacisë 100 mijë euro, përmes Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, për banorët e zonës së Banovinës, dëmtuar nga tërmeti. Shuma po përdoret nga Karitasi i Kroacisë për të ndihmar popullsinë, sidomos për të strehuar njerëzit e mbetur pa shtëpi e për t’u siguruar atyre ngrohje e ushqim. Vërtet, paratë do të përdoren për të blerë disa shtëpi parafabrikate për të dëmtuarit nga tërmeti. Karitasi ka porositur 100 prej tyre e shtëpitë e para janë dorëzuar më 16 janar. Ideja është të blihen së paku edhe 100 të tjera.

 

Kardinali Parolin në Kamerun

Sekretari i Shtetit të Vatikanit do të shkojë në Kamerun nga 28 deri më 3 shkurt, për një vizitë baritore. Ndë takimet e rëndësishme, që do të ketë, ai me autoritetet e, sidomos, mesha në katedralen e Bamenda-s, gjatë së cilës do t’i japë palion kryeipeshkvit Fuanya. Gjithashtu, do të bëjë një vizitë në Foyer de l ' Esperance në kryeqytetin e vendit afrikan, Yaoundé.

31 janar 2021, 08:07