Kërko

Vatican News

Një javë me Papën dhe me Kishën

E Diela e Fjalës së Zotit, pritja e Trupit Diplomatik e mbyllja e Javës së Lutjes për bashkimin e të krishterëve, audienca e përgjithshme e telegrami për Joe Biden: këto, disa nga veprimtaritë javore të Papës Françesku

R.SH. - Vatikan

Papa nuk kryeson kremtimet, për shkak të acarimit të nervit shiatik

 “Për shkak të acarimit të përsëritur të nervit shiatik, kremtimi i paradites së sotme në Altarin e Katedrës së Bazilikës Vatikanase” nuk u kryesua nga Papa, por nga imzot Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e Ungjillëzimit të Ri. Njoftimin e dha që dje drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, në një deklaratë. Për të njëjtën arsye, Papa nuk mundi të kryesojë ritet e fundvitit 2020 dhe ato të fillimit të 2021-shit.

 Gjithsesi, Ati i Shenjtë tha lutjen e Engjëllit të Tënzot sot në mesditë, në Bibliotekën e Pallatit Apostolik, ndërsa nesër, 25 janar, Mbrëmësoret për mbylljen e Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, do të kryesohen nga kardinali Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor përkatës e, jo nga Papa, siç ishte parashikuar. Ndërkaq, takimi me Trupin Diplomatik, që do të mbahej paraditen e nesërme, është shtyrë.

 

Përvjetori i shpalljes së Koncilit II të Vatikanit

Po nesër, përkujtohet edhe shpallja e Papës shenjt Gjonit XXIII, i cili më 25 janar 1959 njoftoi se kishte ndërmend të organizonte atë, që njihet në histori si Koncili II i Vatikanit. E, kështu ndodhi më 11 tetor 1962, kur rreth 2450 etër konciliarë u mblodhën për të diskutuar mbi vendin e Kishës në botën bashkëkohore. Koncili përfundoi më 8 dhjetor 1965, nën një tjetër Papë shenjt, Pali VI.

Papa në audiencë: “Uniteti të mbizotërojë mbi konfliktet”

“Në këtë kohë vështirësish serioze, lutja është edhe më e nevojshme, që uniteti të mbizotërojë mbi konfliktet”. Kështu tha Papa, gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës së kaluar, duke folur mbi Javën e Lutjes për bashkimin e të krishterëve. Në fund, një thirrje për “një botë pa armë bërthamore”.

“Të punohet me vendosmëri për të promovuar kushtet e nevojshme për një botë pa armë bërthamore, duke kontribuar në përparimin e paqes dhe të bashkëpunimit shumëpalësh, për të cilin njerëzimi ka kaq shumë nevojë sot”. Audienca u transmetua, si zakonisht në këtë kohë pandemie, nga biblioteka private e Pallatit Apostolik dhe iu kushtua Javës së Lutjes, që filloi më 18 e përfundon nesër, më 25 janar.

“Të kapërcehet shkandulli i ndarjeve ndërmjet besimtarëve të Krishtit”: ky, qëllimi i këtij takimi tradicional në fillim të vitit. “Zgjidhja për ndarjet – theksoi Papa - nuk është t’i kundërvihesh dikujt, sepse mosmarrëveshja lind një mosmarrëveshje tjetër”. “Uniteti mund të arrihet vetëm si fryt i lutjes”, vijoi Ati i Shenjtë, sipas të cilit “përpjekjet diplomatike dhe dialogu akademik nuk mjaftojnë”. “Bota nuk do të besojë, sepse ne do ta bindim atë me argumente të vlefshme, por nëse do të jemi dëshmitarë të dashurisë që na bashkon dhe na afron, po, atëherë do të besojë”.

Telegrami i Papës për presidentin amerikan Joe Biden

Më 20 janar, në ditën e betimit të presidentit të ri amerikan Joe Biden, Papa Françesku i uroi që të impenjohet për një shoqëri të bazuar mbi vlerat historike të demokracisë amerikane, mbi “respektimin e të drejtave dhe të dinjitetit të çdo njeriu, veçanërisht të më të varfërve”. Në telegramin e dërguar për këtë qëllim, Ati i Shenjtë përmend punën e jashtëzakonshme që duhet të bëjë kreu i Shtëpisë së Bardhë në vendin, ku deri më sot, 400 mijë vetë kanë ndërruar jetë për shkak të Covid-19. E ku presidenca e fundit u mbyll me sulmin kundër Capitol Hill, pas një viti me protesta, debate të ashpra publike dhe probleme racore. “Në një kohë kur krizat e rënda, që e mundojnë familjen tonë njerëzore kërkojnë përgjigje largpamëse dhe unitare, - shkruan Papa Françesku - lutem që vendimet tuaja të udhëhiqen nga shqetësimi për të ndërtuar një shoqëri të karakterizuar nga drejtësia dhe liria e vërtetë, së bashku me respektin e vazhdueshëm për të drejtat dhe dinjitetin e çdo njeriu, veçanërisht të më të varfërve, të të pambrojturve dhe të atyre, që nuk kanë zë”.

24 janar 2021, 08:21