Kërko

Papa e fillon 2021-shin me thirrje për vëllazërim: “Të shohim në tjetrin vëllain e motrën”

Edicioni i parë i Videos së Papës për vitin 2021 përqendrohet tek vëllazërimi njerëzor. Ati i Shenjtë bën thirrje që njerëzit e feve, kulturave, traditave dhe besimeve të ndryshme, të kthehen tek thelbi: adhurimi i Zotit e dashuria për të afërmin

R.SH. - Vatikan

U bë e njohur sot Videoja e Papës Françesku për ndjetin e lutjes së janarit, e para e vitit 2021, që, si gjithnjë, publikohet nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës, i cili përfshin edhe Lëvizjen Eukaristike Rinore. Mesazhi i zgjedhur për fillimin e vitit 2021 i kushtohet vëllazërimit njerëzor: përballë të gjitha sfidave të njerëzimit, Ati i Shenjtë na kërkon ta hapim zemrën dhe të bashkohemi, si vëllezër dhe motra, me të gjithë ata, “që luten, duke ndjekur kultura, tradita dhe besime të ndryshme”. Siç ka thënë edhe në raste të tjera, “nuk ka alternativë: ose do ta ndërtojmë së bashku të ardhmen, ose nuk do të ketë të ardhme. Sidomos fetë nuk mund të heqin dorë nga detyra urgjente e ndërtimit të urave ndërmjet popujve dhe kulturave”.

Bij e bija të të njëjtit Atë Qiellor

 Rruga drejt vëllazërimit, që propozon Videoja e Papës ka parasysh “Atin Qiellor të të gjithëve” dhe faktin se tek tjetri “duhet parë vëllai a motra”. Papa e përdor këtë këndvështrim edhe në enciklikën e tij të fundit, “Fratelli tutti”: “Jemi të bindur – shkruan ai – se vetëm me vetëdijen e bijve, që nuk janë jetimë, mund të jetojmë në paqe ndërmjet nesh”. Për Atin e Shenjtë, dallimet ndërmjet njerëzve me fe të ndryshme, ose me tradita të tjera, nuk duhet të jenë pengesë për të farkëtuar kulturën e takimit, pasi në fund të fundit, të gjithë jemi “vëllezër, që lutemi”.

Thelbi i fesë

Në kërkim të kësaj fryme vëllazërimi, Papa Françesku bën thirrje të mos harrojmë se për të krishterët “burimi i dinjitetit dhe i vëllazërimit njerëzor është në Ungjillin e Jezu Krishtit”. Prandaj, u lutet besimtarëve të kthehen në thelbin e fesë: në “adhurimin e Zotit dhe në dashurinë për të afërmin”. Në dialogun me fetë e tjera, siç shpjegon Ati i Shenjtë në enciklikën “Fratelli tutti”, kjo është themelore: secili duhet ta njohë mirë identitetin e vet e t’ia porpozojë atë me dashuri të tjerëve.

Fetë në shërbim të vëllazërimit në botë

Ja teksti i plotë i ndjetit të lutjes së Papës Françesku për muajin janar 2021:

“Duke iu lutur Zotit, në gjurmët e Jezusit, bashkohemi si vëllezër me ata, që luten duke ndjekur kultura, tradita dhe besime të tjera.

Ne jemi vëllezër që lutemi. Vëllazërimi na nxit t’ia hapim zemrën Atit të të gjithëve dhe të shohim tek tjetri vëllain, motrën, me të cilën ndajmë jetën dhe e mbështesim, për ta dashur, për ta njohur. Kisha e vlerëson veprimin e Zotit në fetë e tjera, pa harruar se për ne të krishterët, gurra nga buron dinjiteti dhe vëllazërimi njerëzor është Ungjilli i Jezu Krishtit.

Ne besimtarët duhet të kthehemi secili në burimin e vet e të përqendrohemi në ç’është thelbësore. E thelbi i fesë sonë është adhurimi i Zotit dhe dashuria për të afërmin.

Të lutemi që Zoti të na japë hirin për të jetuar në vëllazërim të plotë me vëllezërit e motrat e feve të tjera, pa u grindur, duke u lutur për njëri-tjetrin e duke e hapur zemrën për të gjithë”.

05 janar 2021, 17:05