Kërko

Vatican News
Papa Françesku Papa Françesku 

Mesazh i Ditës Misionare Botërore: “Është urgjent, misioni i mëshirës”

Tema e Ditës Misionare Botërore 2021 është: “Nuk mund të mos flasim për çka pamë e dëgjuam!”. Tingëllon si ftesë për secilin nga ne që “ta bëjmë të njohur gjithë çka kemi në zemër”. Ky mision është e ka qenë gjithmonë identiteti i Kishës: “Ajo ekziston për të ungjillëzuar”. E kërkon nga ne të jemi apostuj bujarë e gazmorë të Ungjillit në periferitë e botës. Ky, thelbi i mesazhit të Papës për Ditën Misionare Botërore 2021, botuar sot.

R. SH. - Vatikan

Historia e ungjillëzimit nis me kërkimin plot pasion të Zotit, që na thërret, sepse dëshiron të vendosë me çdo njeri, aty ku gjindet, dialogun e mikut me mik! Apostujt janë të parët, që na e kujtojnë këtë, duke shënuar edhe ditën e orën, kur u takuan me Zotin.

Miqësia me Zotin, është zjarri i pranisë së Tij

 Miqësia me Zotin është mundësi për ta parë - e për ta ndihmuar - duke mjekuar të sëmurët, duke ngrënë me mëkatarët, duke ushqyer të uriturit, duke u takuar me të përjashtuarit, duke prekur të papastrit, duke u bërë nevojtarë me nevojtarët, duke të ftuar për të ndjekur lumturitë, duke dhënë mësim në një mënyrë krejt të re e plot me autoritet! Ndaj lë një gjurmë të pashlyeshme, të aftë për të shkaktuar mahnitje e gëzim të papërmbajtshëm në shpirtin tonë. Kjo përvojë, siç na e kujton Jeremia Profet, është zjarri i pranisë së Tij, ndonëse nganjëherë kërkon flijim e ndesh keqkuptime të padurueshme….

U bëmë për përsosurinë, që arrihet vetëm në dashuri

Me Jezusin pamë, dëgjuam e prekëm gjëra të ndryshme. Ai përuroi, që në kohën e tij, kohët që do të vinin, kohët tona, duke na kujtuar një nga karakteristikat themelore që kemi ne, si njerëz, gjë që shpesh edhe harrohet: “U bëmë për  përsosurinë, që arrihet vetëm në dashuri” (Enc, Fratelli tutti, 68)…..

Shërbimi misionar nuk mund të  jetë pasojë e llogaritjes!

Në kohët e reja bashkësia kishtare shpalos bukurinë e vet, sa herë që kujton me mirënjohje se ishte Zoti ai, që na deshi i pari. E kjo të mahnit, sepse vetëm kështu mund të ndodhë mrekullia e dhurimit falas të vetvetes E shërbimi misionar nuk mund të jetë pasojë e arsyetimit, a e llogaritjes! Misioni është pasqyrim i mirënjohjes….

Kjo theksohet në mesazhin, që vijon të kujtojë se edhe kohët kur jetuan  të krishterët e parë nuk ishin të lehta! Dëshmitë e gjalla për këtë i gjejmë në Veprat e Apostujve, libër që dishepujt misionarë e kanë gjithnjë pranë. Në të tregohet sesi përhapet parfumi i Ungjillit kudo kalon Krishti, duke ngjallur gëzimin,  që mund ta dhurojë vetëm Shpirti Shenjt. Libri “Veprat e Apostujve” na tregon si mund t’i përballojmë provat, duke u shtrënguar fort pas Krishtit, me bindjen se Zoti mund të veprojë në çdo rrethanë, edhe në mes të atyre, që duken si dështime! Zoti na ngjall në shpirt sigurinë se kush ia dhuron vetveten për dashuri, do të  japë shumë fryte.

Kështu edhe ne

E kjo vlen edhe për ne, që jetojmë në çaste historike të ngjashme me ata, të cilat i provuan pararadhësit tanë. Edhe ndër ne ka dhimbje të mëdha, vetmi, varfëri padrejtësi e pasiguri, e sidomos, keqkuptime të të gjitha natyrave, duke nisur nga ato politike. Por edhe ne, ashtu si dishepujt e parë, nuk  kumtojmë vetveten, por Krishtin Zot! Prej këndej, në bashkësitë tona e në zemrat tona rijehon kumti i madh, i përjetshëm, i cili i kujton mbarë botës se Krishti, që predikojmë ne, misionarët e kohëve moderne “nuk është më në varr! Krishti u ngjall!”.

Nuk mund të heshtim

Si Apostujt dhe të krishterët e parë, edhe ne themi me të gjitha forcat: “Nuk mund të heshtim!” (Vap 4,20) Gjithçka morëm, gjithçka që Zoti vijon të na e dhurojë, duhet t’ia dhurojmë falas të tjerëve. Ashtu si apostujt, që e panë, e dëgjuan dhe e prekën shëlbimin e Jezusit, kështu edhe ne sot mund ta prekim korpin e vuajtur e të lumnuar të Krishtit në historinë e çdo dite e të marrim guximin për të ndarë me të gjithë gëzimin, që lind nga vetëdija se Zoti na shoqëron, gjithnjë.

Misioni ungjillëzues i Kishës, ftesë për secilin nga ne

Si të krishterë, nuk mund ta mbajmë Zotin vetëm për vete: Misioni ungjillëzues i Kishës është ta shndërrojë botën e ta mbrojë krijimin. Tema e Ditës Misionare Botërore 2021 është: “Nuk mund të mos flasim për çka pamë e dëgjuam!”. Tingëllon si ftesë për secilin nga ne që “ta  bëjmë të njohur gjithë çka kemi në zemër”. Ky mision është e ka qenë gjithmonë identiteti i Kishës: “Ajo ekziston për të ungjillëzuar”(Shën Pali VI, Nxitja ap. Evangelii nuntiandi, 14). Të krishterët e parë, larg çdo tundimi për t’u mbyllur në elita, u tërhoqën nga Zoti e nga jeta e re që u premtonte, e u nisën e shkuan në gjirin e popujve për të dëshmuar çka kishin parë e kishin dëgjuar. E këtë e bënë me bujarinë, mirënjohjen e finikërinë e atyre që mbjellin, duke e ditur se frytet e angazhimit të tyre do t’i gëzonin të tjerët.

Të jemi apostuj bujarë e gazmorë të Ungjillit

Në ditën Misionare Botërore, që kremtohet çdo vit të dielën e tretë të tetorit, kujtojmë me mirënjohje të gjithë njerëzit që, me dëshminë e jetës së tyre, ndihmojnë për ta përtrirë angazhimin e Pagëzimit, si apostuj bujarë e gazmorë. Kujtojmë edhe të gjithë ata që lanë trojet dhe familjet e u nisën  drejt viseve, të cilat presin me etje lajmin e shëlbimit. Dëshmia e tyre  na kujton se misioni nuk i përket së kaluarës. Jezusi ka nevojë për zemra të afta, që e jetojnë thirrjen si histori dashurie e shkojnë për ta kumtuar në periferitë e botës. Thirrje, që Zoti ua drejton të gjithëve. E periferitë janë edhe pranë nesh, në qendrën e qyteteve e në gjirin e familjeve tona. Ta jetosh misionin, do të thotë të kesh në zemër ndjenjat e Jezusit e të besosh me Të, se ai që kam pranë është im vëlla, ime motër.

T’i lutemi Zotit që dashuria e Tij  të na bëjë të gjithëve dishepuj misionarë.

Maria, dishepulle e parë misionare, premtoftë që në zemrat e të gjithë të pagëzuarve të rritet dëshira “për të qenë kripë e dritë e botës në tokat tona”.

Pak histori

Në vitin 1926, Vepra për Përhapjen e Fesë, me propozimin e Rrethit Misionar të Seminarit të Sasarit, i propozoi Papës Pio XI të shpallte një ditë vjetore në favor të veprimtarisë misionare të Kishës universale. Kërkesa u pranua e po atë vit u kremtua Dita Misionare Botërore për përhapjen e fesë. U vendos edhe që të kremtohej çdo të diel të parafundit  të muajit misionar, tetorit.

Në këtë ditë besimtarët e të pesë kontinenteve janë të thirrur t’ia hapin zemrën kërkesave shpirtërore të misionit dhe të angazhohen me gjeste konkrete solidariteti për t’i ndihmuar Kishat e reja në të katër anët e botës.

29 janar 2021, 12:49