Kërko

 il vescovo Mons Fabio Fabene il vescovo Mons Fabio Fabene 

Imzot Fabene, Sekretar i ri i Kongregatës sё Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve

Papa Françesku emëroi Sekretarin e ri tё Kongregatës sё Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve. Ai është ipeshkvi titullar i Montefiascone-s, imzot Fabio Fabene, aktualisht zv.sekretar i Sinodit të Ipeshkvijve

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku emëroi dje Sekretarin e ri tё Kongregatës sё Selisё sё Shenjtё për Çështjet e Shenjtorëve. Ai është imzot Fabio Fabene, ipeshkёv  titullar i Montefiascone-s e, që nga viti 2014, edhe zv.sekretar i Sinodit të Ipeshkvijve. Imzot Fabene do të punojë krah për krah me prefektin e Kongregatës, kardinalin Marcello Semeraro.

Lindur në Romë më 12 mars 1959 dhe formuar në Seminarin Rajonal Papnor të Viterbos, Fabio Fabene u shugurua meshtar më 26 maj 1984, u doktorua në Drejtësinë Kanonike kishtare në Universitetin Papnor tё Lateranit nё Romё dhe menjëherë filloi të jepte mësim në Institutin Teologjik tё Viterbos.

Që nga viti 2010, imzot Fabio Fabene kryen detyrën e kreut të Zyrës së Kongregatës për Ipeshkvijtё dhe atë të Zëvendësit tё Sekretarisë së Kolegjit Kardinalor. Që nga viti 1996 është edhe gjyqtar i jashtëm në Gjykatën e shkallës së parë në rajonin e Lazios për çështjet e pavlefshmërisë së martesës, ndërsa, që nga viti 2012, është emëruar Prelat Nderi i Shenjtërisë së Tij, Papës.

Laikët dhe të rinjtë në rrugën e Kishës

Përveçse autor i disa artikujve për revistat juridike kanonike, imzot Fabene ka studiuar e shkruar edhe biografinë e kardinalit Marco Antonio Barbarigo, për të cilin është postulator i Çështjes së Lumnimit e të Kanonizimit.

Që nga 8 shkurti 2014, duke qenë zv.sekretar i Sinodit të Ipeshkvijve, imzot Fabio Fabene ka folur shpesh nё mikrofonin e Radio Vatikanit - Vatican Neës për çështje që kanё tё bёjnё me Sinodin e, sidomos, për rolin e laikëve dhe të rinjve, të cilëve iu kushtuan Asambletë sinodale të vitit 2018 dhe 2019.

Në librin e tij të fundit me titull “Simfonia e shërbesave” me parathënie të Papёs Françesku, ipeshkvi përmbledh rrugëtimin sinodal, që i dha hov të ri protagonizmit të laikёve në dekadat e fundit, udhën kishtare që i ka dhënë më tepër hapësirë laikëve, të cilët kanë rol qendror në një Kishë misionare e në dalje. Po aq qendror për prelatin është edhe roli i të rinjve. Kështu, në vazhdën e Asamblesë Sinodale kushtuar atyre dhe në dritën e Nxitjes pas-sinodale "Christus vivit", imzot Fabene thekson se të rinjtë janë tharmi në masën e besimtarëve, prandaj, kontributi i tyre në Kishë është thelbësor.

"Kisha është e re, jo e të rinjve - shpjegon imzot Fabene, duke folur pёr Nxitjen apostolike "Christus vivit", - tё rinjtё janë ata, që kanë theksuar se duan të jenë Kishë bashkë me të tjerët. Ata kanë aftësinë për ta rinovuar Kishën, prandaj, ftohen të gjitha bashkësitë të kenë besim nё ta, duke i pёrfshirё në udhën e çdo komuniteti".

19 janar 2021, 11:37