Kërko

Vatican News

I harruar e i braktisur: Papa kujton Edvinin, që vdiq nga e ftohta

Në përshëndetjet pas Engjëllit, Françesku kujtoi burrin, që u gjend i vdekur nga të ftohtit më 20 janarin e kaluar, pak metra larg Sheshit të Shën Pjetrit. Ngjarje dramatike, shtoi, si shumë të tjera, që i ndodhi një vëllai “të injoruar nga të gjithë, të braktisur edhe nga ne”, gjë që duhet të na shtyjë të mendojmë “ç’do të ketë hequr në ato çaste aq tragjike”.

R. SH. - Vatikan

Quhej Edvin, burri që kujtoi Papa, nigeriani i pastrehë, 46 vjeçar, gjetur i vdekur jo larg nga Shën Pjetri, më 20 janar, i ngrirë nga të ftohtit. “Fundi i tij - nënvizoi Françesku - i shtohet fundit të shumë të pastrehëve të tjerë, që vdiqën këto kohë në Romë, në rrethana të njëjta tragjike:

“Të lutemi për Edvinin!”.

Ftesa për ta kujtuar e për t’u lutur për të, u shoqërua nga një reflektim.

Mendime zemre e reflektim

 “Qoftë qortim për ne, ç’pati thënë Shën Gregori i Madh i cili, kur pati vdekur nga e ftohta një lypës, pohoi se atë ditë nuk do të kremtoheshin meshët, sepse ishte e premtja e madhe!”.

E Papa, me dhimbje të thellë, shtoi:

“Të mendojmë çfarë ndjeu ky burrë, 46 vjeçar, në të ftohtë, i harruar nga të gjithë, i braktisur edhe nga ne. Të lutemi për të”.

Një mendim për familjet në vështirësi

E më pas Françesku kujtoi sa shumë janë shtuar vështirësitë me krizën shëndetësore dhe ekonomike:

“Një kujtim e një lutje edhe për familjet, që kanë më shumë vështirësi në këtë periudhë”.

Shoqëruar me fjalë inkurajimi:

“Guxim! Të shkojmë përpara. Të lutemi për këto familje. E, për sa është e mundur, edhe t’i ndihmojmë”.

 

24 janar 2021, 14:04