Kërko

Vatican News
Duar të bashkuara në lutje Duar të bashkuara në lutje 

Françesku: u plotësoftë dëshira e Jezusit që gjithë të krishterët të jenë një gjë e vetme

Ati i Shenjtë kujtoi, pas lutjes mariane, Ditën e dialogut ndërmjet katolikëve e hebrenjve, që kremtohej sot në Itali, si dhe Javën e Lutjes për Unitetin e të Krishterëve

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë kujtoi se sot, në Itali, kremtohej Dita për thellimin dhe zhvillimin e dialogut ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve:

“Gëzohem - pohoi - për këtë nismë, që vijon që prej tridhjetë vjetësh e uroj të sjellë fryte të begata vëllazërimi e bashkëpunimi”.

Nesër nis Java e Lutjes për Unitetin e të Krishterëve

Më pas, kujtimi i një ngjarjeje tjetër, shumë të rëndësishme: nesër nis Java e Lutjes për Unitetin e të Krishterëve. Sivjet tema na rikujton  porosinë e Jezusit: “Rrini në dashurinë time: do të jepni shumë fryte”. Java  do të përfundojë të hënën, më 25 janar, me kremtimin e Mbrëmësoreve, në Bazilikën e Shën Palit, jashtë Mureve të Romës, së bashku me përfaqësuesit e Kishave  dhe të bashkësive të tjera të krishtera,  të pranishme në Romë:

“Në këto ditë të lutemi  së bashku, për t’u  realizuar dëshira e Jezusit që të gjithë të jenë një gjë e vetme, në unitet, sepse uniteti ka gjithnjë epërsi mbi konfliktin”.

Së fundi Papa i përshëndeti të gjithë besimtarët, nga të katër anët e botës, që po e ndiqnin përmes mjeteve të komunikimit shoqëror. E të gjithëve, si zakonisht, u uroi  të diel të gëzuar e u kërkoi të mos harrojnë të luten për Të.

17 janar 2021, 13:42