Kërko

Papa Françesku: të rikujtosh Shoah është shenjë humanizmi

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa i kushtoi një mendim kremtimit të Ditës së Kujtesës. E bëri edhe një thirrje. Të kujtosh shfarosjen e hebrenjve nga nazistët, theksoi, është kusht për një ardhmëri paqësore. Ndaj kini mendjen kur kujtoni si nisi kjo rrugë drejt vdekjes. “Mos harroni kurrë se mund të përsëritet!”.

R. SH. - Vatikan

“Sot, në përvjetorin e çlirimit të kampit nazist të shfarosjes të Auschwitz-it, kremtohet Dita e Kujtesës: përkujtojmë sot viktimat e Shoah si dhe të gjithë njerëzit e persekutuar e të mbyllur në kampet e vdekjes nga regjimi nazist”.

Këto fjalë të Françekut, në përfundim të audiencës së përgjithshme nënvizojnë rëndësinë e Ditës së Kujtesës, që kremtohet më 27 janar.

“Të kujtosh - pohoi  është shprehje e humanizmit! Të kujtosh, është shenjë  qytetërimi, kusht për një ardhmëri më të mirë me paqe e vëllazërim”:

“Të kujtosh do të thotë edhe të jesh i vëmendshëm, sepse këto gjëra mund të ndodhin përsëri, duke nisur nga propozimet ideologjike, që duan të shpëtojnë një popull, e përfundojnë duke e shkatërruar popullin e  njerëzimin. Mos e harroni kurrë si nisi kjo rrugë, që çoi drejt vdekjes, drejt shfarosjes, drejt brutalitetit”.

Çfarë kuptimi ka Dita e Kujtesës

Pikërisht 76 vjet më parë, më 27 janar 1945, trupat sovjetike të Ushtrisë së Kuqe rrëzonin perden e hekurt të Auschwitz-it, duke zbuluar për herë të parë lakuriq para botës genocidin, me gjithë tmerret e tij. E pikërisht kjo datë u zgjodh nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së për të kremtuar “Ditën ndërkombëtare në kujtim të viktimave të Shoah”.

Kur u themelua?

Kjo ditë përkujtimore u themelua më 1 nëntor 2005 nga Kombet e Bashkuara, me Rezolutën 60/7. Vendim ky që u mor në një vit domethënës: ai i gjashtëdhjetë vjetorit  të përfundimit të Luftës II Botërore.  Në Itali, Dita e Kujtesës u themelua pesë vjet para asaj ndërkombëtare, në vitin 2000. E Parlamenti italian zgjodhi për të, datën 27 janar.

Vendi i parë, që kërkoi të caktohej një ditë përkujtimore kombëtare, qe Gjermania, pikërisht 25 vjet më parë: ishte vitit 1996. E u zgjodh edhe data: 27 janar, kur portat e tmerrshme prej hekuri të Auschwitz-it, mbi të cilat shkruhej Arbeit macht frei  (Puna të bën të lirë), u shembën e bota mbarë pa, me tmerr, se pas atyre hekurave fshihej vetë vdekja, në format më tmerruese, që pa ndonjë herë njerëzimi. Prej këndej, edhe kujtimi. Që të mos përsëriten kurrë më krime të tilla mbi njeriun, e mbarë njerëzimin!

27 janar 2021, 12:27