Kërko

Papa Françesku: të lutesh, do të thotë të luftosh për unitetin

Gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Bibliotekën e Pallatit Apostolik, Papa vuri në qendër të katekizmit Javën e lutjes për unitetin e të krishterëve, duke pohuar se “në këtë kohë shqetësimesh të mëdha, është urgjente t’i lëmë mënjanë sektarizmat, për të përkrahur të mirën e përbashkët.

R. SH. - Vatikan

“Të jemi dëshmitarë të unitetit me jetën tonë e, në mes të shqetësimeve të kohës, të lutemi që, duke i lënë mënjanë sektarizmat, të përkrahim të mirën e përbashkët”. Françesku, në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Bibliotekën e Pallatit Apostolik, ndërsa kujtonte Javën e lutjes për unitetin e të krishterëve, që nisi më 18 janar e do të përfundojë më 25 të muajit, i këshilloi besimtarët të ecin në këtë rrugë.  Rrugë, që e hapi vetë Jezusi në Darkën e Mbrame. Françesku u ndalua posaçërisht tek shkandulli i përçarjeve ndërmjet të krishterëve, por të cilat nuk mungojnë as në zemrën e njeriut e, në vijim, kujtoi mosmarrëveshjet që mbjell “përçarësi”, Shejtani. Arma e tij më e fuqishme - kujtoi Papa - është thashethemnaja që ndan familjet, miqtë e edhe bashkësinë e krishterë.

“Udha e Zotit është një tjetër: Zoti na merr ashtu si jemi, na do shumë, po na do si jemi e na merr ashtu si jemi; na merr të ndryshëm, na merr mëkatarë e na shtyn gjithnjë drejt unitetit. Mund ta vërtetojmë këtë në vetvete, duke e pyetur veten nëse në viset ku jetojmë ushqejmë përçarjen, apo luftojmë për unitetin me mjetet, që na i dha vetë Zoti: lutjen dhe dashurinë. Ndërsa sherri lind nga përgojimet, kur rrimë duke shpërralluar tjetrin. Thashethemet janë arma më e mprehtë, që përdor djalli për të përçarë bashkësinë e krishterë, për të  përçarë familjen, për të përçarë miqtë, për të ndarë gjithkënd, gjithkund! Ndërsa Shpirti Shenjt na frymëzon gjithnjë  të ecim në rrugën e unitetit”.

Hir, që duhet kërkuar

Duke kujtuar fjalët e Jezusit në Darkën e Mbrame “që të gjithë të jenë një gjë e vetme”, Françesku vërejti se Zoti nuk urdhëroi kënd për krijimin e unitetit, por “iu lut Atit për ne, që të ishim një gjë e vetme”:

“Kjo do të thotë se nuk mjaftojmë ne, me forcat tona, për ta realizuar unitetin. Uniteti është sidomos dhuratë. Është hir, për t’u kërkuar me lutje”.

Rrënja e përçarjeve

Është e vështirë ta ruajmë unitetin edhe në veten tonë e shpesh edhe brenda nesh - pohoi Papa - rritet rrënja e përçarjeve, që janë rreth nesh, ndërmjet njerëzve, në familje, në shoqëri, ndërmjet popujve e edhe ndërmjet besimtarëve, e, sidomos, brenda nesh”. E kujton këtë Shën Pali, e më pas,  edhe Koncili II i Vatikanit:

“Pra t’i zgjidhësh përçarjet nuk do të thotë t’i kundërvihesh ndokujt, sepse  sherri lind sherrin. Zgjidhja e vërtetë nis duke i kërkuar Zotit paqen, pajtimin, unitetin”.

A lutem për unitetin?

Të lutesh – kujtoi në vijim të audiencës së përgjithshme Papa - do të thotë të luftosh për unitetin. Përdori pikërisht fjalën e fortë “luftë”, sepse djalli, siç e thotë fjala vetë, është armiku ynë, është përçarësi:

“Jezusi i kërkon Shpirtit Shenjt unitet, i kërkon të krijojë unitetin. Djalli përçan, gjithnjë. Gjithnjë ndan, sepse i leverdisë të ndajë e të përçajë. Ai nxit përçarjen kudo e në të gjitha mënyrat, ndërsa Shpirti Shenjt krijon gjithnjë unitetin!”.

Djalli, zakonisht, nuk na tundon duke nisur nga teologjia e lartë, por nga ligështitë e vëllezërve. Është dinak djalli: i zmadhon gabimet e të metat e tjetrit, i fryn zjarrit të sherrit, ndez kritika e krijon fraksione. Po rruga e Zotit është krejt tjetër:

“Në këtë pikë mund të pyesim: ‘Po unë, a lutem për unitetin? Është vullneti i Krishtit por, nëse i kujtojmë ndjetet për të cilat lutemi, ka mundësi të  vërejmë se u lutëm tepër pak, e ndoshta aspak, për unitetin ndërmjet të krishterëve. E pra nga ai varet feja në botë; Zoti kërkoi unitetin ndërmjet nesh, ‘që bota të besojë’”.

Po bota do të besojë “vetëm nëse jeta jonë do të jetë dëshmi dashurie” që i bashkon e i bën të afërt të gjithë”:

“Në këtë kohë shqetësimesh të mëdha, është urgjente t’i lëmë mënjanë sektarizmat, për të përkrahur të mirën e përbashkët, e për këtë është themelor shembulli ynë i mirë; është themelore, që të krishterët të vijojnë udhën drejt unitetit të dukshëm”.   

Hapa përpara

Më pas Papa kujtoi ngjarjen më të rëndësishme kishtare të këtyre ditëve: Javën e Lutjes për Unitetin e të Krishterëve. Sivjet - nënvizoi - tema na rikujton përsëri dashurinë:“Rrini në dashurinë time: do të jepni shumë fryte”(krh Gjn15, 5-9).

Rrënja e bashkimit - pohoi - është dashuria e Krishtit, që na ndihmon t’i kapërcejmë paragjykimet, për të parë në tjetrin vëllain a motrën, që duhet ta duam gjithnjë.  Atëhere e kuptojmë se të krishterët e konfesioneve të tjera, të pranishëm  në territoret e bashkësive tona dioqezane e famullitare, me traditat  e tyre e me historinë e tyre, janë dhuratë e Zotit. Të lutemi për ta e, kur ka mundësi, edhe me ta. Kështu do të mësohemi t’i duam e t’i çmojmë. Lutja, na kujton Koncili, është shpirti i gjithë lëvizjes ekumenike (krh Unitatis redintegratio, 8)

Papa e përfundoi audiencën e përgjithshme, kushtuar plotësisht Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, me një urim të ngrohtë:

“Qoftë lutja pikënisje e ndihmës që i japim Jezusit, për realizimin e ëndrrës së Tij: që të gjithë të jenë një gjë e vetme!”.

20 janar 2021, 11:43