Kërko

Lutja e Engjëllit të Tënzot Lutja e Engjëllit të Tënzot 

Papa Françesku: takimi me Jezusin nuk harrohet kurrë!

“Ejani e shihni!” Në Engjëllin e Tënzot Papa Françesku kujtoi ftesën e Jezu Krishtit drejtuar dishepujve, që e dëgjonin. E fjalët që fliste Ai, i jepnin përgjigje shpresës së tyre më të madhe.

R. SH. - Vatikan

“Çdo thirrje e Zotit është nismë e dashurisë së Tij”. Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar nga Biblioteka Apostolike, Papa i shoqëroi besimtarët në takimin e Jezusit me dishepujt e vet. Skena zhvillohet në brigjet e lumit Jordan, një ditë pas pagëzimit të Krishtit. E aty, Gjon Pagëzuesi ua paraqet dy prej dishepujve Mesinë, me këto fjalë: “Ja, Qengji i Zotit!”. E ata të dy, duke i besuar dëshmisë së Gjonit, shkuan pas Jezusit. Ai i ndjeu e menjëherë i pyeti: “Çka kërkoni?”, e ata iu përgjigjen pyetjes së tij, me një pyetje tjetër: “Mësues, ku banoni?” .

Ejani e shikoni

Jezusi nuk u tha “Banoj në Kafarnao a në Nazaret”, por: “Ejani e shikoni”. Nuk ishte biletë për vizitë, por ftesë për takim. Atëhere ata të dy e ndoqën pas dhe e kaluan me të gjithë pasditen:

“Nuk është e vështirë t’i përfytyrojmë të ulur, duke bërë pyetje pas pyetjesh, duke dëgjuar përgjigjet e tij e duke ndjerë se sa më shumë fliste Mësuesi, aq më tepër u ngrohej zemra. Fjalët që fliste Ai, i jepnin përgjigje shpresës së tyre më të madhe”.

Në zemra ndizet një diell, që mund ta dhurojë veç Zoti

Ata vijuan ta dëgjojnë Mesinë, derisa u dynd muzgu - vijoi Papa - e papritmas zbuluan se nësa zbriste nata, në zemrat e tyre shpërthente një dritë, që mund ta dhuronte veç Zoti:

“Kur dolën e u rikthyen tek vëllezërit, ky gëzim, kjo dritë  vërshoi në zemrat e tyre si lumi breg më breg”.

Njëri nga të dy, Andreu, i tha të vëllait, Simonit - që Jezusi do ta thërriste Pjetër: “Gjetëm Mesinë”.

Krishti na thërret pranë Tij: t’i përgjigjemi!

Të ndalohemi një çast tek kjo përvojë e takimit me Krishtin, që na fton të rrimë me Të -  u tha Papa besimtarëve.

Zoti na fton për jetën, na fton për fenë e na thërret për një gjendje të posaçme jete. Thirrja e parë e Zotit është ajo për jetën, me të cilën na bën njerëz; është thirrje individuale, sepse Zoti nuk bën sende në seri! Pastaj Zoti na thërret për fenë, për të bërë pjesë në familjen e tij, si bij të Perëndisë. E së fundi, na thërret edhe për një gjendje të posaçme jete: për ta dhuruar vetveten në udhën e martesës, në atë të meshtarisë ose në jetën rregulltare:

“Janë mënyra të ndryshme për të realizuar planin që ka Zoti për ne, gjithnjë plan dashurie. E gëzimi më i madh për çdo besimtar është t’i përgjigjet kësaj thirrjeje, ta dhurojë gjithë vetveten në shërbim të Zotit e të vëllezërve”.

Pas Krishtit

Përballë thirrjes së Zotit, që mund të dëgjohet në mijëra mënyra, edhe përmes njerëzve, ngjarjeve të gëzueshme e të trishta, nganjëherë mund edhe të refuzojmë, sepse ajo na duket në kundërshtim me dëshirat tona; ose nga frika, sepse na duket tepër impenjative, tepër shqetësuese:

“Po thirrja e Zoti është dashuri. Ndaj mund t’i përgjigjesh vetëm me dashuri. Në fillim është takimi, a më sakt, takimi me Krishtin, që na flet për Atin, na bën ta prekim me dorë dashurinë e Tij”.

E atëhere edhe në shpirtin tonë lind dëshira për t’ua komunikuar edhe njerëzve, që duam: “Takova dashurinë”, “gjeta kuptimin e jetës sime”. Me një fjalë: “Gjeta Zotin!”.

 Zoja na ndihmoftë ta bëjmë jetën këngë lavdi për Zotin

Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Papa, si zakonisht, iu drejtua Virgjërës Mari. E sot iu lut kështu:

“Virgjëra Mari na ndihmoftë ta bëjmë jetën tonë këngë lavdërimi drejtuar Hyjit, si përgjigje ndaj thirrjes së Tij e si përpjekje për të bërë me gëzim, vullnetin e Tij”.

17 janar 2021, 13:56