Kërko

Flamuri venezuelan në Sheshin e Shën Pjetrit Flamuri venezuelan në Sheshin e Shën Pjetrit 

Françesku lutet për venezuelanët, që vuajnë nga Covid-19 e nga varfëria

Në një letër drejtuar kardinalit Baldazar Porras Cardozo me rastin e ditës së emrit, Papa i shpreh përsëri afërsinë popullit venezuelan, të vënë në provë të rëndë prej vuajtjeve të shkaktuara nga pandemia - shkruan - e jo më pak, nga arroganca e pushtetarëve.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku i dërgoi një letër të shkurtër, por shumë prekëse, kardinalit Baltazar Porras Cardozo, kryeipeshkëv i Meridës dhe administrator apostolik i Karakasit, me rastin e ditës së tij të emrit, që e kremtoi pardje. Në tekst Papa i shpreh përsëri afërsinë e tij popullit venezuelan, këto vitet e fundit viktimë e një krize të pashoqe humanitare e shoqërore-ekonomike, rënduar më tej nga pandemia e Covid-19.

Papa e shoqëron me zemër ati popullin, që vuan

“Zoti vijoftë t’ju japë forcën e parrezinë - shkruan Françesku - që zemra e Atit të dijë ta shoqërojë e ta ngushëllojë popullin e tij të shenjtë e besnik, të vënë në provën e rëndë të vuajtjes, shkaktuar nga pandemia, nga arroganca e prepotentëve e nga varfëria në rritje, që e shtrëngon fort në fyt”.

Kujtojmë se Kardinali Baltazar Enrique Porras, kryeipeshkëv i Meridës, është edhe administrator apostolik i Karakasit dhe i Venezuelës

Nën mbrojtjen e Zojës, të Shën Jozefit e të Shën Baldasarit

Në festën e Dëftimit të Zotit, “ditë  kur Zoti e dëfton përvujtërinë e vet, që bëhet dritë për të davaritur errësirën e dyndur mbi botë”, Papa i uron prelatit venezuelan ditën e emrit dhe i larton Zotit lutjen për shërbesën e tij ipeshkvnore e edhe për jetën personale. Së fundi, ia beson mbrojtjes së Virgjërës Mari, Shën Jozefit e Shën Baldazarit, shoqëruar me bekimin apostolik.

Urime edhe nga kardianali Parolin e nga imzot Peña Parra

Letra shoqërohet edhe nga “urimet e përzemërta” të sekretarit të Shtetit, kardinalit Pietro Parolin, që e kreu shërbimin e fundit diplomatik pikërisht në Venezuelë, si dhe të zëvendësit të tij, venezuelanit imzot Edgar Peña Parra.

Asambleja e Konferencës ipeshkvnore Venezuelane

Këtë javë kardinali Porras Cardozo po merr pjesë në asamblenë e zakonshme të Konferencës Ipeshkvnore  Venezuelane (Cev), që nisi të hënën me rrugë virtuale, për shkak të pandemisë. Përveç analizës së realitetit kombëtar, ipeshkvijtë venezuelanë  po diskutojnë  për Asamblenë Kombëtare të Baritorisë, që do të mbahet sivjet, pasi u anulua vitin e kaluar, edhe kjo për shkak të pandemisë botërore. Parashikohet që, sipas traditës, të hënën, më 11 janar, në mbyllje të  seancës plenare, të shpërndahet nxitja baritore e ipeshkvijve venezuelanë.

08 janar 2021, 11:03