Kërko

Vatican News
Kryeipeshkvi  Oscar Rizzato, lëmoshtar i Papës nga 1989 deri mël 2007 Kryeipeshkvi Oscar Rizzato, lëmoshtar i Papës nga 1989 deri mël 2007 

Françesku: imzot Oscar Rizzato, shërbëtor i përvuajtur i Kishës e i nevojtarëve

Në ditën e funeralit të kryeipeshkvit Oscar Rizzato, në Arsegi të Padovës, Françesku ngushëllon familjarët dhe bashkësinë dioqezane vendase, duke kujtuar me mirënjohje përkushtimin e prelatit në shërbim të Kishës, kryer “duke kultivuar jetën shpirtërore e duke u shërbyer më të varfërve”.

R. SH. - Vatikan

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i dërgoi, në emër të Papës, një telegram ngushëllimi ipeshkvit të Padovës, imzot Cipolla i cili, sot paradite, në orën 10.00, kryesoi funeralin e imzot Oscar Rizzato, që ndërroi jetë më 11 janarin e kaluar. Mesha e Dritës u kremtua në Kishën famullitare të Arsegnos, në provincën e Padovës, vendlindje e imzot Rizzatos. Në përfundim, varrimi, në varrezën  vendase.

Imzot Oscar Rizzato, lëmoshtar i dy Papëve  

Imzot Oscar Rizzato, lëmoshtar i dy Papëve, qe shërbëtor i përkushtuar i Kishës, plot me kujdes për më të fundmit. Këtë theksoi, në homelinë e Meshës së Dritës ipeshkvi i nderit i Padovës,  imzot Antonio Mattiazzo, që e njihte mirë prelatin e ndjerë, lëmoshtar papnor që nga viti 1989 deri më  2007. E këtë shërbim vë në dukje edhe Papa Françesku - shkruan kardinali Parolin - që  dëshiron t’i shprehë afërsinë bashkësisë dioqezane, duke e kujtuar me mirënjohje këtë shërbëtor besnik të Kishës, që e kreu me përvujtëri  shërbesën e tij, posaçërisht pranë Sekretarisë së Shtetit dhe Lëmoshtarisë Apostolike.

Shumëkush e kujton ndihmën e Lëmoshtarit Apostolik

Kardinali  Parolin  kujton se Papa Françesku lutet për shpirtin e të vdekurit dhe dëshiron t’i përcjellë gjithë bashkësisë dioqezane si dhe familjarëve  e atyre që qajnë për vdekjen e tij, ngushëllimet dhe bekimin apostolik . “Me ta - përfundon Sekretari i Shtetit të Vatikanit - bashkoj edhe ngushëllimet e mia, duke kërkuar ndërmjetësimin e Nënës së Zotit e të gjithë atyre që, dikur  të varfër mbi dhe - e tani të pasur në qiell - e ndjenë fort afërsinë dhe ndihmën  bujare të këtij njeriu, gjithnjë në shërbim të Zotit e të varfërve, në emër të Papës”.

Ndërmjet atyre, që gjetën mbështetje tek Ipeshkvi i ndjerë, ishin edhe shumë shqiptarë, të sapo arritur në Itali menjëherë pas rënies murit të hekurt pa asnjë mjet jetese, që sigurisht do të bashkojnë lutjet me ato të Papës për shpirtin e Prelatit, që e gjeti gjithnjë tek Eukaristia burimin dhe forcën për të përballuar një detyrë kaq delikate.

Pushoftë në paqe.

16 janar 2021, 12:29