Kërko

2021.01.14 Copertina libro "Non sparlare degli altri" 2021.01.14 Copertina libro "Non sparlare degli altri" 

Papa Françesku: heshtja është gjuha e Zotit e gjuha e dashurisë

Në parathënien e botimit të ri të librit “Mos përgojo!”, shkruar nga fra Emiliano Antenucci, Papa Françesku nënvizon se fjalët mund të jenë “puthje”, por mund të jenë edhe “thika”, e fjala mund të jetë më e rëndë se plumbi.

R. SH. - Vatikan

“Nisesh nga heshtja, e arrin tek dashuria për të tjerët”. Na e kujton Françesku, duke cituar Nënë Terezën, në parathënien e botimit të ri, të përpunuar, të vëllimit “Mos i përgojo të tjerët!”, shkruar nga fra Emiliano Antenucci, botuar nga Effatà Editrice. Autori, frat minor kapuçin, misionar i mëshirës e, që nga maji i kaluar, Rektor i Shenjtërores kushtuar Zojës së Heshtjes, në Avezzano të Abruceve, është edhe autor i librit, të dëshiruar fort nga Papa. Në parathënie Françesku e pasuron këtë doracak  përshpirtërie dhe pohon vendin qëndror që zë në shërbesën e tij papnore  tema e luftës kundër thashethemeve, për përdorimin e drejtë të fjalëve. Po vepra e re është edhe ftesë për rizbuluar lutjen e heshtur, ashtu siç e shpjegon fra Emiliani në mikrofonet e Radio Vaticana Italia. Ta ndjekim intervistën:

“Kjo parathënie e Papës ishte dhuratë e bukur, dhanti e madhe. Të përgojosh, të shpërrallosh a të marrësh nëpër gojë kot, në këndvështrimin teologjik, e edhe sipas Urdhërimeve të Tënzot, është gjest që cënon bukurinë shpirtërore të secilit prej nesh. Kur marrim nëpër gojë, bëjmë një gjest, që i ngjet shumë vrasjes, sepse - “Gjuha kocka s’ka po kocka thyen” - thotë një fjalë e urtë popullore, e një tjetër nënvizon: “Fjala është më e rëndë se plumbi”. Na e kujton edhe Papa, që thekson se njeriu nuk vritet vetëm me armë. Mund të vritet edhe me gjuhë!”.

Në parathënie Françesku pohon se “heshtja është edhe gjuha e Zotit”. Ç’ka dashur të na thotë me këtë?

“Sipas meje, ka dashur të na thotë se të gjithë duhet ta rizbulojmë lutjen e heshtur, sepse heshtja është si sondë, që e vendosim në zemrat tona për ta dëgjuar zërin e Zotit. Nga ana tjetër, siç na e kujton Elia Profet - ne mund ta dëgjojmë Zotin edhe në flladin e lehtë e në erë”, ashtu si mund ta dëgjojmë edhe në mes të vetëtimave e bubullimave! Kështu mund të themi se heshtja është mjet për ta dëgjuar zërin e Zotit, që flet brenda zemrave tona”.

Françesku pohon një koncept, që i pëlqen shumë: duke i pëdorur fjalët si bomba, bëhesh terrorist! E më pas na kujton se fjalët mund të jenë puthje, ledhatime, po mund të jenë edhe helme e thika, shpata e plumba…

“Duhet ta kemi të qartë se sot ‘të përgojosh’ shikohet si një lloj sporti botëror, që praktikohet në të gjitha ambientet, edhe në ato të Kishës. Bombat, për të cilat flet Papa, janë thashethemet e shpifjet, e për këtë ka shumë rëndësi - siç shkruan Ati i Shenjtë - që “Zoja e Heshtjes” të na mësojë ta përdorim gjuhën ashtu si duhet. Mendoj  posaçërisht për ata, që punojnë në komunikim, sepse sapo e thamë: ‘Fjala mund të të dënojë me vdekje ose mund të të shpëtojë. Se fjalët mund të jenë mure, por edhe ura!’”.

Për kë u shkrua ky libër? Me kë e ke?

“Mbi të gjitha, ky libër  është “motivacional”, sepse, siç thoshte Gjon Pali II “duhet të luajmë këmbë e duar”. Është “damose da fa’” shprehja e famshme e Papës Wojtyla: ftesë për të mos humbur kohë duke shpërralluar, duke marrë nëpër gojë kot njerëzinë, por duke e jetuar jetën tonë me punë të përditshme, pa humbur kohë me përgojime. Duke ndjekur mësimet e Atit të Shenjtë, unë i ftoj lexuesit t’i hapin mirë sytë, të luten, të ndihmojnë të varfërit e të gjejnë në vetvete aq forca, sa t’i japin fund këtij vesi të përhapur në të gjitha mjediset”.

18 janar 2021, 16:07