Kërko

Vatican News

Françesku: edhe nëse gabojmë, Zoti vijon të na ledhatojë me mëshirën e Tij

Në lutjen e Engjëllit, ditën e Solemnitetit të Pagëzimit të Zotit, Papa kujtoi se fytyra e Atit është mëshira e se Atë e gjejmë në çdo gjest shërbimi. “Dashuria, pohoi, thërret dashurinë”. Në përfundim të lutjes mariane, një mendim për fëmijët që sot do duhej të pagëzoheshin në Kapelën Sikstine, duke i siguruar se i bekon e lutet për ta.

R. SH. - Vatikan

Identiteti ynë më i thellë ka një zemër, që rreh fort, e sigurt se Zoti na pret gjithnjë plot me mëshirë. Këtë theksoi Papa gjatë lutjes së Engjëllit, në solemnitetin e Pagëzimit të Zotit. Nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, ku e kremtoi lutjen mariane, Ati i Shenjtë u priu të gjithë atyre, që po e ndiqnin lutjen nga Sheshi i Shën Pjetrit a nga mjetet e komunikmit, drejt brigjeve të lumit Jordan, për të ndjekur shpirtërisht ngjarjen e madhe, vetëm pak ditë pas Lindjes së Krishtit. E këtë e theksoi edhe Papa në fillim të Engjëllit. Pak ditë më parë - kujtoi në vijim të lutjes - Jezusin e lamë në Shpellë,  të rrethuar nga Tre Mbretërit; tani e rigjejmë të rritur, në brigjet e Lumit Jordan. Një kapërcim prej tridhjetë vjetësh, për të cilin dimë një gjë të vetme: ishin vjet jete të fshehur, të cilat Jezusi i kaloi në familje, duke iu bindur prindërve, duke mësuar e duke punuar.

Madhështia e së përditshmes

Kohë e kaluar në heshtje:

“Të prek, mënyra si e kaloi Zoti jetën e përditshme mbi tokë, pa u ndjerë e pa u dukur. Mesazh i bukur për ne - kujtoi Papa - na zbulon madhështinë e së përditshmes, rëndësinë që ka para syve të Zotit çdo gjest e çdo çast i jetës, edhe më i thjeshti, më i fshehuri”.

Jeta publike e Jezusit

Pas këtyre tridhjetë vjetëve, nis jeta publike e Jezusit. E nis pikërisht me Pagëzimin në lumin Jordan. Lind menjëherë pyetja: po pse u pagëzua? Pagëzimi i Gjonit ishte rit pendestar, shenjë e dëshirës për pendesë, për kthesë, për të kërkuar faljen e mëkateve. Natyrisht Krishti nuk kishte nevojë për gjithë këtë. Ndaj Gjon Pagëzuesi përpiqet ta kundërshtojë, po Jezusi ngul këmbë.

Pse Jezusi dëshiron të pagëzohet?

Krishti kërkon të pagëzohet, sepse dëshiron të rrijë me mëkatarët; prandaj vihet në radhë me ta e bën të njëjtin gjest. Zbret në lumë për t’u zhytur  ashtu si gjithë të tjerët, si u zhytëm edhe ne në gurrën e pagëzimit. Sepse, kujtoi më pas Papa, pagëzim do të thotë pikërisht “zhytje”:

“Në ditën e parë të shërbesës së tij, Jezusi na ofron kështu ‘manifestin programatik’. Na thotë se nuk na shpëton nga lart, me vendime sovrane a me forcë, por duke na ndihmuar, duke marrë mbi vete mëkatet tona. Kështu fiton Zoti mbi të keqen e botës:  duke u përulur e duke marrë mbi vete barrën e saj”.

E kjo është edhe mënyra me të cilën duhet t’ua lehtësojmë barrën të tjerëve: jo duke i gjykuar, jo duke menduar ç’duhet bërë, por duke u bërë të afërt, bashkëvuajtës, duke ndarë me të tjerët dashurinë e Zotit!

 Dashuria thërret dashurinë

Pas këtij gjesti përdëllimi nga ana e Jezusit - vijoi Papa – ndodhi diçka e jashtëzakonshme: qielli u hap e u duk, më në fund, Trinia Shenjte. Shpirti i Zotit zbriti në formë pëllumbi e Ati i tha Jezusit: “Ti je biri im, i dashuri!”. Zoti duket kur duket mëshira, sepse kjo është fytyra e Tij. Jezusi bëhet shërbëtor i mëkatarëve dhe shpallet Bir:  përkulet mbi ne e Shpirti Shenjt  zbret mbi Të:

“Dashuria thërret dashurinë! E kjo vlen edhe për ne. Në çdo gjest shërbimi, në çdo vepër mëshire që bëjmë, Zoti manifestohet e sytë e tij përfshijnë mbarë botën”.

Jeta jonë përshkohet nga mëshira

Jeta jonë ndiqet nga mëshira, që është gjithnjë përmbi ne. Po kur ndodhi kjo? Pikërisht në ditën e pagëzimit. Kur edhe ne u zhytëm, jo në Jordan, por në dashurinë e Krishtit të vdekur e të ngjallur për ne. Aty e morëm  dhuratën e Shpirtit Shenjt. Aty Ati i tha secilit nga ne, si Jezusit: “Ti je biri im, i dashuri”:

“U shpëtuam, por falas! Shëlbimi është falas. Është gjesti bujar i mëshirës së Zotit për ne. Sakramentalisht ky bëhet ditën e pagëzimit, por edhe ata që nuk janë pagëzuar e marrin gjithnjë mëshirën e  Zotit, sepse Zoti është aty, i pret. Pret që t’i hapin dyert e zemrave. Mund të them se u afrohet, i ledhaton me mëshirën e Tij”.

Prandaj dita e pagëzimit duhet kujtuar: është datë që duhet shënuar e duhet kremtuar vit për vit. Që asokohe e përgjithmonë e jetës, jemi bij të dashur nga Zoti. Mund të kemi mendime të gabuara e mund të bëjmë një mori lajthitjesh, po mbetemi gjithnjë bij të Zotit. Është identiteti më i thellë. Pika e parë e jetës sonë shpirtërore, që na kujtohet nga gjesti i parë publik i Jezusit.

Në përfundim të Engjëllit të Tënzot - lutja drejtuar Nënës së Krishtit e Nënës sonë, Marisë:

“Zoja, së cilës po i lutemi, na ndihmoftë ta ruajmë identitetin e Pagëzimit,   në bazë të fesë sonë”.

10 janar 2021, 13:48