Kërko

Vatican News
Përvjetori i Hiroshimës Përvjetori i Hiroshimës 

Françesku: bota duhet të jetë e lirë nga armët bërthamore

Njerëzimi ka nevojë për paqe e kooperim, me angazhimin e të gjithëve. Kjo thirrja, që Papa u drejtoi, nga audienca e përgjithshme, shteteve dhe qytetarëve të mbarë botës.

R. SH. - Vatikan

Një botë pa armë bërthamore, që i hap rrugën përparimit e paqes! U ngrit përsëri me forcë zëri i Papës për çarmatimin global, në gjurmët e paraardhësve të tij e dy ditë para se të hyjë në fuqi Traktati i miratuar në vitin 2017, që e konsideron të paligjshëm përdorimin, kërcënimin, mbajtjen e grumbullimin e armëve atomike. Zë, që ushtoi në mbarë botën, nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, pak para se Papa të përshëndeste besimtarët e gjuhës italiane:

“Është fjala për instrumentin ndërkombëtar juridikisht të detyrueshëm, që i ndalon shprehimisht këto armë, përdorimi i të cilave nuk bën asnjë dallim:  godet në një kohë të shkurtër një sasi të madhe njerëzish, duke shkaktuar edhe dëme me afat tejet të gjatë mbi ambientin”.

Forcë shkatërrimtare e pasoja thërmuese lë pas arma bërthamore! Lë pas vetëm “hije e heshtje”, lë “një vrimë të zezë shkatërrimi e vdekjeje”,  siç pati kujtuar vetë Françesku gjatë fjalimit, mbajtur në memorialin e Paqes në Hiroshima, më 24 nëntorin e viteve 2019 e si deshi ta nënvizonte, duke u ndaluar para syve të të gjithëve me pamjet e nxjerra nga një foto e vitit 1945, që iu shpërnda edhe gazetarëve, në të cilën shihet një fëmijë 10 vjeçar, që mbart mbi supe kufomën e vëllait më të vogël, vrarë pas shpërthimit të bombës atomike në Nagasaki.

I fortë, edhe inkurajimi i Françeskut për të ecur së bashku, për të ndërtuar  një ardhmëri më të drejtë e, sidomos, më paqësore, që jehoi sot nga Vatikani.

Papa i inkurajoi fuqimisht të gjitha shtetet e të gjithë njerëzit të punojnë me vendosmëri, që të krijohen kushtet e nevojshme për një botë pa armë bërthamore, duke kontribuar, kështu, për përparimin e paqes e të bashkëpunimit të shumanshëm, për të cilin ka aq shumë nevojë mbarë njerëzimi:

“Krim kundër njeriut dhe dinjiteti të tij e edhe kundër çdo mundësie për ardhmërinë”.

Kështu e quajti Papa përdorimin e armëve bërthamore, duke e gjykuar si diçka krej amorale edhe vetëm pasjen e tyre. Nëse duam vërtet të ndërtojmë një shoqëri të drejtë e të sigurt - ishin fjalët e Françeskut shqiptuar në zemër të Japonisë së plagosur nga bombat atomike “duhet të mos i zëmë më me dorë armët”.

 

20 janar 2021, 12:44