Kërko

Drama e brazilianëve të Manaus, mungesa e oksigjenit Drama e brazilianëve të Manaus, mungesa e oksigjenit 

Covid. Papa lutet për dramën e brazilianëve të Manaus

Në audiencën e përgjithshme Papa Françesku kujtoi vuajtjet e popullsisë që jeton në qytetet amazonike të veriut brazilian, të prekur rëndë nga pandemia. Situata në shtetin brazilian është tepër e vështirë për shkak të mungesës së oksigjenit në spitale, gjë që shkakton dyfishin e vdekshmërisë, në krahasim me pjesën tjetër të vendit.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku, gjatë përshëndetjes së besimtarëve të gjuhës portugeze, kujtoi brazilianët e Shtetit Manaus, në veri të Brazilit, që po vuajnë shumë nga pandemia.“Ati i mëshirës ju ndihmoftë në këtë çast të vështirë. Ju bekoj me gjithë zemër” – ky, mesazhi i Papës për Manaus.

Brazil: nuk mungon vaksina, por oksigjeni dhe vendet ndër spitale

Pas Shteteve të Bashkuara, Brazili është vendi i dytë më i prekur nga pandemia, me më se 210 mijë të vdekur. Këto ditë, përqindja e vdekshmërisë nga virusi, në Manaus, kaloi nga 142 në 187 banorë për çdo 100 mijë vetë, gati dyfishi i mesatares kombëtare. Në spitalet dhe në qendrat shëndetësore të Manaus, qytet me dy milionë banorë, mungesa e oksigjenit,  themelore për frymëmarrjen artificiale të të sëmurëve të prekur rëndë nga Covid-19, gjatë javëve të fundit shkaktoi vdekjen e dhjetra njerëzve. Në shumë raste mjekët u detyruan t’i zgjidhnin të sëmurët, që do ta merrnin oksigjenin, i cili nuk mjaftonte për të gjithë. Tragjedi e paharrueshme për mjekët, kjo zgjedhje!

Qyteti, sipas burimeve qeveritare, pret mesatarisht çdo ditë katër fluturime të flotës ajrore braziliane për të fuqizuar furnizimin me oksigjen, së bashku me një dërgesë të përditshme nga qyteti i Blemit, pranë grykëderdhjes së Lumit të Amazonave. Për disa dhjetra të sëmurë parashikohet transferimi në spitalet e Shteteve të tjera të Brazilit, si Goias e distrikti federal i Brasilias. Në Manaus, mbrëmjen e së hënës, arritën edhe pesë kamionë të ngarkuar me oksigjen, dhuruar nga Venezuela. Shpërthimi i infektimeve në Manaus - sipas specialistëve - mund të jetë shkaktuar nga qarkullimi në zonën amazonike i një varianti të ri virusi, shumë më ngjitës se viruset që u dukën në Mbretërinë e Bashkuar ose në Afrikën Jugore.

20 janar 2021, 14:28