Kërko

Atë Frederic Fornos Atë Frederic Fornos

Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës ngrihet në rangun e Fondacionit vatikanas

Rrjeti, që përhap në gjithë botën ndjetin mujor të lutjes të Atit të Shenjtë, ngrihet në nivelin e personit juridik kanonik e vatikanas, me një Kirograf të Papës Françesku.

R.SH. - Vatikan

Me një Kirograf të 17 nëntorit, që u bë i njohur sot, Papa Françesku e ngriti në person juridik kanonik e vatikanas, Fondacionin “Rrjeti Botëror i Lutjes”, që më parë quhej “Apostullimi i Lutjes”. Tashmë, rrjeti, që përhap në gjithë botën ndjetin mujor të lutjes të Atit të Shenjtë, e ka selinë në Shtetin e Vatikanit. Janë gjithnjë jezuitët, ata, të cilëve Françesku u ka besuar kujdesin për këtë Rrjet. Papa emëroi atë Frederic Fornos, drejtor ndërkombëtar të Fondacionit, duke e konfirmuar në detyrë.

“Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës, ish-Apostullimi i Lutjes, me nismëtar atë François-Xavier Gautrelet, SJ, është themeluar në Francë, sipas përshpirtërisë së Zemrës së Krishtit dhe përhap ndjetet mujore të lutjes, propozuar nga Ati i Shenjtë për Kishën”, pohon vetë Papa Bergoglio në Kirograf, i cili është dekret i shkruar dhe i firmosur nga Ati i Shenjtë, që i drejtohet Kuries Romake. Më pas, kujton se disa vjet më parë e themeloi Rrjetin Botëror të Lutjes në formën e një Vepre Papnore “për të nënvizuar karakterin universal të këtij apostullimi dhe nevojën e të gjithëve për t’u lutur gjithnjë e më shumë dhe me sinqeritet në zemër”.

Së fundi, Papa shpjegon se e ngriti këtë Vepër tejet të dashur për të në rangun e personit juridik kanonik e vatikanas, për ta pajisur me një strukturë të përshtatshme për kohët, që jetojmë. Me këtë Kirograf, Françesku miraton edhe statutet e Fondacionit, të cilat hyjnë në fuqi më 17 dhjetor 2020.

03 dhjetor 2020, 12:01