Kërko

Shën Jozefi Shën Jozefi 

Papa shpall “Vitin e Shën Jozefit”

Me Letrën apostolike “Patris corde” – “Me zemrën e Atit”, Françesku kujton 150-vjetorin e shpalljes së Shën Jozefit Pajtor i Kishës universale. Me këtë rast, që sot e deri më 8 dhjetor 2021 do të kremtohet “Viti i Shën Jozefit”.

R. SH. - Vatikan

Atë i dashur, atë në butësi, në bindje, në mirëpritje; atë i guximit krijues, punëtor, gjithnjë në hije: me këto fjalë e përshkruan Françesku Shën Jozefin në Letrën Apostolike “Patris corde” - Me Zemrën e Atit”, botuar sot me rastin e 150-vjetorit të shpalljes së fatit të Marisë Pajtor i Kishës katolike. Ishte i Lumi Piu IX që, me dekretin Quemadmodum Deus, nënshkruar më 8 dhjetor 1870, e zgjodhi këtë titull për Shën Jozefin. Për ta kremtuar këtë festë, Papa Françesku shpalli, që sot e deri më 8 dhjetor 2021 “Vitin” e posaçëm kushtuar atit të kujtuar të Jezusit. Në sfondin e kësaj Letre Apostolike është pandemia e Covid-19 që - shkruan Françesku - na bëri ta kuptojmë rëndësinë e njerëzve të zakonshëm, atyre që, larg paraskenave, duke jetuar çdo ditë me durim, përhapin shpresën e na kujtojnë përgjegjësinë e përbashkët. Pikërisht si Shën Jozefi: “burrë që kalon pa u vërejtur fare, njeri i pranisë së përditshme, të kujdesshme, të fshehur”. “E pra protagonizmi i tij është i pashembullt në historinë e shëlbimit”. Shën Jozefi  e shpreh konkretisht atësinë e tij, duke e  dhuruar vetevten, gjithnjë në shërbim të Mesisë. E prandaj është gjithnjë i shumëdashur nga populli i krishterë”. Në të “Jezusi pa dashurinë e Zotit Atë”, që e “mirëpret gjithnjë ligështinë tonë”, përmes së cilës realizon pjesën më të madhe të planeve të Tij hyjnore. Zoti nuk na dënon, por na mirëpret, na përqafon, na ndihmon, na fal. Jozefi është atë edhe kur i shtrohet plotësisht vullnetit të Zotit: me atë “fiat” - “u bëftë vullndesa jote”  i shpëton  Marinë e Jezusin e i mëson edhe të Birit të bëjë vullnetin e Atit qiellor, duke bashkëpunuar “në misterin e madh të shëlbimit”.

Njëkohësisht Jozefi është edhe “atë i mirëpritjes”, sepse “e mirëpret Marinë pa asnjë kusht paraprak”, “gjest i rëndësishëm edhe për sot - pohon Françesku - në një botë, ku dhuna psikologjike, verbale e fizike e gruas duket sheshit”. Por Fati i Marisë, duke besuar pa kushte në Zotin, i pranon në jetën e vet edhe ngjarjet, të cilat nuk i kupton, me një protagonizëm “guximtar e të fuqishëm”, që buron nga “forca e Shpirtit Shenjt”. Përmes Shën Jozefit na duket sikur Zoti vetë na përsërit: “Mos kini frikë! Feja i jep kuptim çdo ngjarjeje, të gëzuar a të trishtuar”. Mikpritja e atit të kujtuar të Jezusit na fton edhe t’i mirëpresim të tjerët, pa asnjë përjashtim, ashtu si janë, me një dashuri të posaçme për të ligshtit. “Patris corde” vë pastaj në dukje edhe “guximin krijues” të Shën Jozefit, që di ta shndërrojë problemin në mundësi, duke i kundërvënë gjithnjë besimin në Provaninë hyjnore. Ai i përballon “problemet konkrete të familjes së vet, siç bëjnë të gjitha familjet e tjera  të botës, posaçërisht emigratët. Rojtar i Jezusit e i Marisë, Jozefi “nuk mund të mos jetë edhe roje besnike e Kishës”, e amësisë së saj dhe e Korpit të Krishtit: çdo nevojtar është “Foshnja” për të cilën kujdeset Jozefi. Prej tij mund të mësojmë ta duam Kishën, t’i duam edhe të varfërit”.

Zdrukthëtar i ndershëm, fati i Marisë na mëson edhe vlerën e dinjitetit e gëzimin “që gurron nga zemra, kur ha bukën, fryt i punës së duarve tua”. Mënyra si e kupton punën dhe bukën e përditshme babai i Jezusit,  e nxit Papën për të bërë thirrje në favor të punës, sot “çështje sociale urgjente”, edhe në vendet me një farë niveli mirëqeniejeje. “Është e nevojshme ta kuptojmë - shkruan Françesku - domethënien e punës, që të jep dinjitet”, që “bëhet pjesëmarrje në vetë veprën e shëlbimit”, “rast realizimi” për vetveten e për familjen, “bërthamë fillestare e shoqërisë”. Prej këndej, nxitja e Papës drejtuar të gjithëve “për rizbulimin e vlerës, të rëndësisë dhe të nevojës së punës”, që të mund të krijohen kushte normale, në të cilat asnjeri nuk duhet ta ndjejë veten i përjashtuar”. Duke parë posaçërisht përhapjen e ndjeshme të papunësisë nga shkaku i pandemisë së Covid-19, Papa i fton të gjithë të angazhohen  që të mund të thuhet: “Asnjë i ri, asnjë njeri, asnjë familje pa punë!”.

“Atë nuk lindesh, bëhesh”- pohon akoma Françesku - “sepse nis të kujdesesh për një bir”, duke marrë mbi vete përgjegjësinë për jetën e tij. Për fat të keq në shoqërinë e sotme “shpesh bijtë duken si të ishin jetimë, si të mos kishin baballarë” të cilët u prijnë në rrugët e jetës, pa i ndaluar, a pa i “shikuar si të ishin pronë e tyre”, “por duke i bërë të aftë ta zgjedhin lirisht rrugën e jetës”. Në këtë kuptim Jozefi njihet si burrë “i dlirë”, “që është “kundër  posedimit” e që përpiqet të edukojë bij të zotët për ta zgjdhur rrugën e  jetës, të lirë, të aftë për të ecur me këmbët e veta”. Si burrë, që diti ta vinte në qendër të jetës së tij Jezusin e Marinë. Ai e gjen lumturinë “në dhurimin e  vetvetes”: kurrë i poshtëruar e gjithnjë plot besim, Jozefi hesht, nuk ankohet, po bën gjeste konkrete besimi. Figurë shembullore - kujton Papa - në një botë që ka aq shumë nevojë për etër e jo “për padronë”, nuk e pranon atë që e ngatërron “autoritetin me autoritarizmin; shërbimin me servilizmin, ballafaqimin me shtypjen, bamirësinë me asistencializmin, forcën me shkatërrimin”.

Në notën n.10 “Patris corde”, zbulon edhe një zakon të jetës së Françeskut: çdo ditë Papa thotë një uratë kushtuar fatit të Marisë, shkëputur nga një libër francez devocinal i 800-tës, i Kongregacionit të Rregulltareve të Jezusit e Marisë. Është një lutje, e cila shpreh devocionin dhe besimin në Shën Jozefin, por edhe një farë sfide - shpjegon Papa – e cila përfundon me fjalët: “Që të mos thuhet se t’u luta kot, tregomë se mirësia jote është aq e madhe, sa pushteti yt”.

Botimin e Letrës apostolike “Patris corde” e shoqëron edhe Dekreti i Pendestarisë Apostolike, që jep njoftimin për Vitin e posaçëm të Shën Jozefit, shpallur nga Papa, shoqëruar edhe me dhuratën e Ndjesëve të veçanta.

08 dhjetor 2020, 12:24