Kërko

Vatican News

Papa për krizën humanitare në Siri e Irak: të favorizohet procesi i paqes

Paqja, të krishterët e persekutuar e të detyruar të largohen nga vendet e tyre, puna e agjencive bamirëse katolike, në qendër të videomesazhit të Papës Françesku për takimin vatikanas kushtuar krizës humanitare në Siri e Irak

R.SH. - Vatikan

U mbajt sot pasdite në Vatikan, takimi për krizën humanitare në Siri e Irak, organizuar nga Dikasteri vatikanas për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, në lidhje interneti, për shkak të pandemisë. Në fillim, pjesëmarrësit dëgjuan Papën Françesku, që i përshëndeti përmes një videomesazhi, me të cilin vë në dukje se në takim reflektohet e diskutohet për “probleme tejet serioze, që ende shqetësojnë popullsitë e Sirisë, Irakut dhe vendeve fqinje”.

Paqja është tullë për ndërtimin e një shoqërie të drejtë

Me Vatikanin u lidhën në internet rreth 50 organizata bamirëse katolike, përfaqësues të ipeshkvijve lokalë, institucione kishtare dhe kongregata fetare, që veprojnë në të dyja vendet, së bashku me nuncët apostolikë. Paqja, në krye të videomesazhit të Papës, pasi ajo është kushti, “tulla për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të hapur për mikpritjen, ku të gjithë të gjejnë një vend për të jetuar”. “Mendimi im – pohon Ati i Shenjtë - shkon sidomos tek njerëzit, që u është dashur t’i lënë shtëpitë për të shpëtuar nga tmerret e luftës, në kërkim të kushteve më të mira të jetesës për veten dhe të afërmit e tyre. Në veçanti, kujtoj të krishterët e detyruar të braktisin vendet ku janë lindur e rritur, ku u zhvillua dhe u pasurua feja e tyre. Duhet bërë ç’është e mundur që prania e krishterë në këto troje të vazhdojë të jetë siç ka qenë gjithmonë: shenjë e paqes, përparimit, zhvillimit dhe pajtimit ndërmjet njerëzve dhe popujve”.

Kriza humanitare e keqësuar nga pandemia

          Takimi i Vatikanit për Sirinë e Irakun synon të vijojë rrugën e nisur vitet e fundit për të ndihmuar popullsitë e Lindjes së Mesme, sidomos të krishterët, të cilët, pas valëve të ndryshme të migrimit, kanë mbetur një grusht njerëzish. Pandemia e koronavirusit i ka vështirësuar edhe më tej problematikat e tyre shëndetësore, ekonomike, shoqërore e politike, sidomos, në kuadrin e krizës së Libanit, vend-pikë referimi për të krishterët, por edhe në kuadrin e konflikteve, që akoma vijojnë. “Mendimi im – ngre zërin Papa në videomesazh - shkon tek refugjatët që duan të kthehen në vendin e tyre. I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare të bëjë çdo përpjekje për ta favorizuar këtë kthim, duke garantuar kushtet e sigurisë dhe kushtet ekonomike të nevojshme që kjo të ndodhë. Çdo gjest, çdo përpjekje në këtë drejtim është e çmuar”.

Ndihma humanitare

          Konflikti në Siri e në Irak ka shkaktuar një nga krizat humanitare më të rënda të dhjetëvjeçarëve të fundit. Përveç rrugës diplomatike, Selia e Shenjtë merr pjesë aktive në programet e ndihmës. Rrjeti kishtar, gjatë vitit 2014, pati destinuar 1 miliard dollarë, duke ndihmuar 4 milion vetë çdo vit. Por, sipas të dhënave të OKB-së, njerëzit në nevojë, vetëm në Siri, kanë arritur në 11 milion vetë, ndërsa në Irak janë 4 milionë. Gjithsesi, kriza ka prekur edhe Libanin, Turqinë e Jordaninë. Prandaj, puna e organizatave bamirëse katolike merr rëndësi të veçantë. Pikërisht atyre, Papa Françesku u kushton një reflektim në videomesazh. “Një mendim – u thotë Ati i Shenjtë agjencive katolike - për t’ju inkurajuar të gjithë ju që, duke ndjekur shembullin e Samaritanit të Mirë, punoni pa rezerva për t’i mirëpritur, për t’u kujdesur, për t’i shoqëruar migrantët dhe të shpërngulurit e këtyre trojeve, pa dallim feje. Siç e kam thënë shumë herë, Kisha nuk është OJQ (organizatë jo qeveritare). Veprimi ynë bamirës duhet të frymëzohet nga Ungjilli. Këto ndihma duhet të jenë shenjë e prekshme e bamirësisë së një Kishe lokale, që ndihmon një Kishë tjetër në vuajtje, përmes këtyre mjeteve të mrekullueshme, që janë agjencitë katolike për ndihmat humanitare e zhvillimin. Një Kishë, që ndihmon një Kishë tjetër!”

Bekimi i Papës Françesku

“Në përfundim, - e mbyll videomesazhin Papa Françesku - dua t’ju bëj të ditur se kur veproni në këto vende, nuk jeni vetëm! E gjithë Kisha bëhet një e vetme, për të takuar njeriun e plagosur, që u ndesh me kusarët gjatë rrugës nga Jeruzalemi për në Jeriko. Në punën tuaj, ju shoqëroftë gjithmonë bekimi im, të cilin sot, jua jap me kënaqësi, që ky takim të sjellë në vendet tuaja fryte të bollshme begatie, zhvillimi dhe paqeje, për një jetë të re”.

10 dhjetor 2020, 16:01