Kërko

2020.12.06 Angelus 2020.12.06 Angelus 

Papa: pendesë do të thotë t’ia hapësh zemrën dashurisë së Zotit

Të nisësh rrugën e shkëputjes nga mendësia e botës, nga mëkati, nga pasuritë, për t’u penduar e për të gjetur Zotin. Kjo udha që tregoi Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke u ndaluar posaçërisht tek fìgura e Shën Gjon Pagëzuesit.

R. SH. - Vatikan

“Koha e keqe” nuk i pengoi besimtarët "guximtarë” të jenë të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit! Papa e nënvizoi këtë në fillim të lutjes së Engjëllit, në këtë të Diel të dytë të Kohës së Ardhjes. Ndërsa katekizmin e sotëm e bazoi mbi një fjalë: pendesë!

E sot lutja rrethohej nga atmosfera mistike e Pritjes së Zotit. Poshtë dritares së Engjëllit tashmë bien në sy simbolet e Krishlindjes, Bredhi, ardhur nga Sllovenia dhe Shpella e Betlehemit, sivjet nga Castelli, në provincën e Teramos, në përgatitje e sipër. E gjithë kjo e mbush me parfumin e festës së madhe Sheshin, në pritje… E pikërisht për Kohën e Pritjes foli Papa në lutjen e  Engjëllit të Tënzot.

Në Ungjillin e sotëm - ishin fjalët e para të Françeskut - takohemi me Gjon Pagëzuesin e njihemi me veprën e tij. Ishte ai, që u tregoi bashkëkohasve  udhën e fesë, të ngjashme me atë, të cilën na e propozon Koha e Ardhjes ne, që po përgatitemi ta presim Zotin.

Kuptimi i Pagëzimit

Është fjala për një udhë pendese - shpjegoi Papa - për të pyetur menjëherë pas: “Po çfarë kuptimi ka fjala pendesë?”. Në Bibël do të thotë sidomos të ndryshosh drejtimin, orientimin, mënyrën e të menduarit. Në jetën morale e shpirtërore, të pendohesh do të thotë të bësh kthesë. Të kthehesh nga e keqja, në të mirë; nga mëkati, në dashurinë e Zotit. Këtë predikonte Gjon Pagëzuesi, kur shpallte pagëzimin e pendesës për faljen mëkateve, në shkretëtirën e Judesë:

“Të merrje pagëzimin ishte shenjë e jashtme dhe e dukshme  pendese  nga ana e atyre, që dëgjonin predikimin dhe vendosnin të bënin kthesë. Pagëzimi bëhej me zhytjen në ujë, por kjo ishte e kotë nëse njeriu që pagëzohej nuk qe i gatshëm për t’u penduar, për të bërë kthesë e për të ndryshuar rrugën e jetës”.

Ç’do të thotë pendesë?

Të pendohesh do të thotë të ndjesh dhembje të thellë për mëkatet e bëra, dëshirë për t’u çliruar prej tyre, premtim për t’i shlyer përgjithmonë nga jeta jote. Por, për ta shlyer mëkatin, duhet refuzuar edhe gjithçka lidhet me të: mendësia e botës, ëndja e tepruar për rehati, për kënaqësitë e përditshme, për mirëqenien, pasuritë. Shembullin për shkëputjen nga gjithë sa thamë, e gjejmë në Ungjillin e sotëm e pikërisht në figurën e Gjon Pagëzuesit: Gjoni vishej me një gozhup deveje, lidhur me brez lëkure në përmjet; ushqimi i tij ishin karkalecat e mjalti i bletëve të egra. Dukej qartë se kishte hequr dorë nga teprimet e se kërkonte çka është themelore në jetë. E ky është aspekti i parë i pendesës: shkëputja nga mëkati e nga mendësia e botës!

Kërkimi i Zotit dhe i Mbretërisë e Tij

Aspekt tjetër i pendesës është kërkimi i Zotit dhe i mbretërisë së Tij.  Pa harruar se braktisja e rehatisë dhe e mendësisë së botës nuk është qëllim në vetvete. I krishteri nuk është fakir! Dëshmon, prandaj, se njeriu është në kërkim të një diçkaje shumë më të madhe, domethënë, në kërkim të Mbretërisë së Zotit. E kjo nuk është aspak e lehtë, sepse të shumta janë leqet e mëkatit: paqëndrueshmëria, ligështita, dashakeqësia, mjediset helmatisëse, shembulli i keq. Shpesh herë shtytja drejt Zotit ligështohet e zbehet aq, sa të duket se Zoti hesht; e të duken irreale edhe premtimet ngushëlluese të bariut të kujdesshëm, që e takojmë sot në Leximin e Izaisë e që na drejton thirrjen e ngarkuar me optimizëm: “O ti, që kumton në Jeruzalem; ngreje zërin, mos u frikëso; thuaju qyteteve të Judës: ‘Ja, Perëndia juaj, Zoti, Hyji juaj që po vjen me pushtet! Ai, që në duar ka sundimin; që ka me vete shpërblimin, ai, para të cilit prijnë trofetë. Porsi bari do ta kullosë grigjën e vet e në krahë të vet do t’i mbledhë qengjat e do t’i mbartë në gjirin e vet; e  delet nëna  do t’i përcjellë dalë-nga-dalë”.

A është e mundur pendesa?

Atëhere tundohemi e mendojmë se kthesa është e pamundur, se po të kthehesh nga bota - tek Zoti, rrezikohesh të ecësh “mbi rërën e lëvizshme” të një jete mediokre. Ç’mund të bëjmë atëhere, në këto raste?

“Para së gjithasdh duhet të kujtojmë se pendesa është hir, prandaj edhe duhet t’ia kërkojmë Zotit me forcë. Pendohemi me të vërtetë në atë masë,  që e hapim shpirtin për bukurinë, për mirësinë, për ëmbëlsinë e Zotit. Atëhere - porosia e Papës - larg nesh gjërat kallpe e kalimtare! T’i braktisim, për t’i zëvendësuar me çka është e vërtetë, e bukur, që  i bën ballë kohës e rron përgjithmonë!”.

Së fundi, duke kujtuar se pasnesër do të kremtojmë Zojën e Papërlyer, Papa iu lut  Nënës së Krishtit të na shkëpusë gjithnjë më shumë nga mëkati e nga mendësia e botës, për t’ia hapur zemrën Zotit, Fjalës së Tij e dashurisë së Tij, që na ringjall e na shpëton!

06 dhjetor 2020, 13:22