Kërko

Papa: një edukim i ri global, akt shprese për kohën tonë

Indiferenca dhe kultura e hedhurinave janë dy të këqija të mëdha të kulturës sonë: Papa Françesku e pohon këtë në videomesazhin për Simpoziumin, që synon fillimin e një impenjimi të ri edukativ global, në nivelin e OKB-së, në sinergji me projektin “Global Compact on Education”, kërkuar nga Papa

R.SH. - Vatikan

Pandemia ka shkaktuar një “krizë edukative të paparë”. Kështu pohon Papa Françesku në një videomesazh për pjesëmarrësit e simpoziumit me temë “Edukimi është një akt shprese”, që mbahet sot e nesër në Vatikan, në Shtëpizën Piu IV. Takimi promovohet nga Akademia Papnore e Shkencave dhe nga OKB-ja.

Krizë edukative e paparë

 “Ky ka qenë një vit i jashtëzakonshëm vuajtjesh, për shkak të pandemisë së Covid-19; një vit izolimi të detyrueshëm dhe përjashtimi, një vit ankthi dhe krize shpirtërore, me jo pak vdekje dhe me një krizë edukative të paparë”, thekson Papa Françesku, duke kujtuar se “më se një miliard fëmijëve iu desh të përballonin ndërprerjen e arsimimit të tyre. Qindra miliona fëmijë kanë mbetur prapa në mundësitë për zhvillimin e tyre shoqëror dhe konjitiv”.

Nevojitet një akt shprese

Përballë këtij skenari, Papa nënvizon nevojën e “një akti shprese, që impulset e urrejtjes, të përçarjes e të injorancës të kapërcehen” përmes dhënies së mundësive të reja arsimore e edukative “bazuar në drejtësinë shoqërore dhe në dashurinë e ndërsjellë”. Ati i Shenjtë kërkon sërish një Pakt i ri Global për Edukimin, që “të promovojë trashendencën e njeriut, zhvillimin e gjithnashëm dhe të qëndrueshëm njerëzor, dialogun ndërkulturor dhe fetar, ruajtjen e planetit, takimet për paqen dhe hapjen ndaj Zotit”.

Paqja lind nga mendja e njerëzve

 “Në kohën tonë, kur është thyer pakti edukativ botëror, shoh me kënaqësi që qeveritë janë impenjuar sërish për t’i vënë këto ide në praktikë, përmes miratimit

të Axhendës 2030 dhe të Objektivave të OKB-së për Zhvillimin e Qëndrueshëm, në sinergji me paktin global për edukimin”, përfundon Papa.

  

16 dhjetor 2020, 15:45