Kërko

Vatican News

Papa në “Te Deum”: falënderojmë Zotin, që na jep forcë për përballimin e pandemisë

Papa nuk kryesoi dot "Te Deum"-in, për shkak të acarimit të nervit shiatik. Në homelinë e lexuar nga kardinali Re, pavarësisht se duket sikur nuk ka asgjë të mirë në vitin 2020, që përfundoi, Papa Françesku i fton besimtarët të falënderojnë Zotin, që zgjoi ndër njerëz dhembshurinë e mëshirën, u dha forcë ta përballojnë pandeminë e koronavirusit dhe u mësoi të flijojnë diçka nga vetvetja për t’iu përkushtuar të tjerëve.

R.SH. - Vatikan

“Te Deum”-i i Papës Françesku, i cili nuk mundi ta kryesojë atë, për shkak të acarimit të nervit shiatik, mbylli sot vitin 2020 dhe u priu të krishterëve drejt festës solemne të Zojës, Nënë e Zotit, që do të kremtohet nesër, më 1 janar 2021, njëkohësisht, Dita Botërore e Paqes. Sot paradite, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, njoftoi se Papa duhet detyrimisht të pushojë. Kremtimi i “Te Deum”-it, sot pasdite, u kryesua nga kardinali Giovanni Battista Re, dekan i Kolegjit Kardinalor,  ndërsa mesha e 1 janarit do të kremtohet nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Gjithsesi, Ati i Shenjtë do të thotë lutjen e Engjëllit të Tënzot nga Pallati Apostolik, siç parashikohej

Përgjigjja e Zotit për pandeminë është mishërimi i Birit të Tij

          Pas një viti të vështirë, karakterizuar nga pandemia e koronavirusit, nga viktima të shumta e nga probleme jo të pakta ekonomike, shkruhet në homelinë e lexuar nga kardinali Re, Ati i Shenjtë gjen gjithsesi mënyrën për ta falënderuar Zotin e për t’i lartuar Atij të Lumit himnin e lavdit. Pa dyshim, duke pasur parasysh dramën, që po kalon njerëzimi, Papa nuk mund të mos bëjë pyetjen: “ç’kuptim ka e gjithë kjo?” Pa u ngutur për të dhënë përgjigje, Françesku vë në dukje se as vetë Zoti nuk përgjigjet, duke përdorur si arsye për gjithçka ndodh një plan më të mirë. Përgjigjja e tij është mishërimi i Birit të tij të vetëm:

          “Një Zot, që flijon qeniet njerëzore për një plan më të madh, edhe sikur të ishte më i miri i mundshëm, nuk është sigurisht Hyji që na zbuloi Jezu Krishti. Zoti është baba, ‘Atë i përjetshëm’, dhe nëse Biri i tij u bë njeri, kjo ndodhi për hir të dhembshurisë së pamasë të zemrës së Atit. Zoti është bari e, cili bari do të hiqte dorë edhe nga një dele e vetme, duke menduar se gjithsesi i kanë mbetur edhe shumë të tjera? Jo, ky zot cinik dhe i pamëshirshëm nuk ekziston. Ky nuk është Hyji, që ne ‘lëvdojmë’ dhe e ‘shpallim Zot’”.

Njerëzit mësuan të sillen si Samritani i Mirë

          Papa Françesku i fton besimtarët ta gjejnë kuptimin e dramës së pandemisë në gjestin e Samaritanit të Mirë, i cili, pa përdorur fjalë të tepërta, u përkul mbi plagët e nevojtarit dhe u kujdes për të. Pandemia, nënvizon Papa, zgjoi në secilin prej nesh dhembshuri e afërsi, kujdes e solidaritet për tjetrin. Këtu e kanë bazën falënderimet e Atit të Shenjtë për vitin 2020, që sapo kaloi:

          “Sonte, duam ta falënderojmë Zotin: për gjërat e mira që ndodhën në qytetin e Romës gjatë mbylljes në shtëpi e, në përgjithësi, në këtë kohë pandemie, e cila, fatkeqësisht, nuk ka përfunduar akoma. Janë të shumtë njerëzit që, pa bërë zhurmë, u përpoqën ta bëjnë më të durueshme barrën e sprovës. Me impenjimin e tyre të përditshëm, me dashuri për të afërmin, vunë në jetë fjalët e himnit ‘Te Deum’: ‘Çdo ditë të bekojmë, e lëvdojmë emrin tënd përgjithmonë’. Sepse bekimi dhe lavdi, që i pëlqen më shumë Zotit, është dashuria vëllazërore”.

Falënderim për ata, që i shërbejnë së mirës së përbashkët

          Në homeli, Papa falënderon mjekët, infermierët dhe punonjësit e shëndetësisë, në vijën e parë të frontit kundër koronavirusit, si edhe meshtarët e rregulltarët, që u qëndrojnë pranë të sëmurëve. Por, kësaj radhe, dëshiron të përshëndesë në mënyrë të veçantë, të gjithë ata, që çdo ditë, rropaten për t’i siguruar jetesën familjes dhe për t’i shërbyer së mirës së përbashkët:

          “Le të mendojmë në veçanti për drejtuesit dhe mësuesit e shkollave, të cilët luajnë një rol thelbësor në jetën shoqërore dhe u duhet të përballen me një gjendje tejet të ndërlikuar. Le të mendojmë me mirënjohje për administratorët publikë, që dinë të vlerësojnë të gjitha pasuritë dhe burimet e qytetit dhe të territorit, ata që i lënë mënjanë interesat personale dhe ato të partisë së tyre, ata që kërkojnë vërtet të mirën e të gjithëve, duke filluar nga më të pafavorizuarit”.

Asgjë nuk bëhet pa Hirin e Tënzot

          E gjithë kjo, përfundon Papa mesazhin e tij për “Te Deum”-in e fundvitit, nuk mund të realizohet pa Hirin e Tënzot. Edhe në këtë pandemi, njerëzit gjetën forcën për të flijuar diçka nga interesat e tyre e për t’u kushtuar kohë dhe energji të tjerëve. Ky dhurim i vetvetes, ky kapërcim i egoizmit dhe i interesit vetjak, nuk mund të bëhet pa marrë forcë prej Hyjit. Prandaj, ka kuptim ta lëvdojmë Zotin edhe në këtë situatë, vëren Papa, i cili duke parë drejt së ardhmes, lutet: “Qoftë gjithnjë me ne mëshira jote, në Ty shpresuam”.

31 dhjetor 2020, 17:54