Kërko

Papa në mbyllje të Vitit marian në Argjentinë: shën Maria na ndihmoftë

“Maria po na thërret përsëri”. Kështu patën shkruar në një mesazh ipeshkvijtë argjentinas, më 27 nëntorin e një viti më parë, duke shpallur zyrtarisht 2020-ën, Vit kombëtar marian. Në përfundim të tij, përmes një videmesazhi, Papa Françesku u shpreh besimtarëve afërsinë dhe i fton të ndjekin shën Marinë, Nënën dhe dishepullen e Zotit

R.SH. - Vatikan

“Bashkohem me gjithë besimtarët që sot kremtojnë fundin e këtij Viti kombëtar Marian”. Në një videomesazh, që u bë i njohur mbrëmë vonë, kur në katedralen e qytetit La Plata në Argjentinë kremtohej mesha në praninë e shtatores së Zojës së Lujan-it, Papa Françesku i siguron besimtarët se lutet bashkë me ta. Përfundoi pikërisht dje Viti kombëtar Marian, shpallur nga Konferenca Ipeshkvnore Argjentinase për të kremtuar 400-vjetorin e mbërritjes së shtatores së Zojës, që mban emrin e “Virgen del Valle”, në provincën e Catamarca-s. Viti Marian u shpall zyrtarisht në festën e Zojës së Medaljes së Mrekullive, më 27 nëntor 2019, për t’u hapur më 8 dhjetor, në solemnitetin e Zojës së Papërlyer, pra, pak para përhapjes së Covid-19. Viti u përurua me një meshë për bashkim e paqe, në Bazilikën e Zojës së Lujan-it.

Maria është dishepulle e parë e Jezusit

“Një vit në të cilin, pavarësisht nga kufizimet e kësaj pandemie, kemi ndjekur shumë veprimtari në kujtim dhe në nder të Zojës, Nënës sonë”, pohon Papa në videomesazh. Duke siguruar lutje e duke kërkuar uratë për të, Ati i Shenjtë i fton të gjithë të mos harrojnë se “Maria është Nënë dhe dishepulle. Është Nëna e Jezusit, është ajo, që e solli Jezusin në botë. E është edhe dishepulle. Është e para, që e ndjek Jezusin, për të bërë atë që i thotë Jezusi, për t’iu bindur”. Së fundi, Papa Françesku uron që “Figura e Marisë, Nënës dhe dishepulles, të na shoqërojë në jetën tonë të përditshme!”

Ipeshkvijtë: Viti Marian, dhuratë e Zotit

Për fillimin e Vitit Marian, ipeshkvijtë argjentinas patën shkruar një mesazh, me të cilin i ftonin të gjithë bashkatdhetarët “ta jetonin intensivisht këtë dhuratë të Zotit”, përkujtimin e ardhjes së shtatores së “Virgen del Valle” në provincën e Catamarca-s. Gjithashtu, kujtonin meshën e parë të kremtuar në Argjentinë para 500 vitesh. Ngjarje që, megjithëse në një kuadër tjetër shoqëror dhe kulturor, shkruanin ipeshkvijtë, vazhdojnë të shtrojnë pyetjen: “kush jemi dhe çfarë besojmë ne si katolikë, në këtë Argjentinë të dashur, të vuajtur dhe plot shpresë”.

Një vit në të cilin populli argjentinas iu besua Virgjërës

Për shkak të pandemisë, programi i parashikuar për Vitin Marian ndryshoi: nuk u mbajt, për shembull, Kongresi IV Kombëtar Marian, i cili ishte planifikuar për 23-26 prill 2020, në Catamarca. Në deklaratën e nënshkruar nga imzot Carlos Humberto Malfa, sekretar i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore Argjentinase, theksohet: “Në këtë situatë të vështirë, ne ia besojmë popullin argjentinas Zojës ‘Virgen del Valle’, sidomos të sëmurët dhe njerëzit, që kujdesen për ta”.

Maria është nëna, që i mirëpret të gjithë

Në mesazhin e ipeshkvijve për këtë Vit Marian, që sapo përfundoi, kujtohet lidhja e fortë e vendit të Amerikës Latine me Virgjërën Shenjte. “Thonë se ne argjentinasve na pëlqen të rrimë së bashku, se i rregullojmë gjërat duke u ulur në tryezë për të biseduar dhe për të ndarë çfarë kemi – lexohet në tekst – e, se i duam kaq shumë nënat, sa t’i bëjmë gati të paprekshme. Ndoshta, për këtë arsye - vazhdojnë prelatët – ne, katolikët e Argjentinës, e kemi gjeografinë të piketuar nga shenjtëroret kushtuar Nënës së Virgjër dhe historinë të shënuar nga takimet e nga kongreset mariane dhe eukaristike. Viti 2020 do të hyjë në këtë gjeografi dhe në këtë histori. Maria na bën thirrje sërish. Ajo është gruaja, është bashkëshortja, është nëna që, me praninë e saj, përqafon gratë, bashkëshortet dhe nënat në ankthet dhe dhimbjet e tyre, si edhe rrethon me dashuri bijtë e mënjanimit, të varësisë, të vetmisë e të mjerimit”.

09 dhjetor 2020, 08:21