Kërko

Papa: Meshari Romak nё ritin kongolez vlerëson gjuhët e traditat e popujve

Papa: Riti kongolez i Meshёs vlerëson gjuhët, traditat e popujve, dëshmi e një kremtimi të jetuar me fe dhe gëzim, mishёruar nё indin e kulturёs vendore. Duke qenë riti i parë dhe i vetëm i inkulturuar i Kishës latine, miratuar pas Koncili II i Vatikanit, përvoja e ritit kongolez të kremtimit të Meshës mund të shërbejë si shembull e model për kulturat e tjera.

R.SH. - Vatikan

Prezantohet sot pasdite, nё selinë e Radio Vatikanit – Vatican News, nё sallёn Marconi, ‘Meshari Romak pёr Dioqezat e Zairit’ përgatitur nga motёr Rita Mboshu Kongo, e realizuar me kontributin e Maurizio Gronchi; Jean-Pierre Sieme Lasoul; Oliver Ndondo; Rita Mboshu Kongo; Silvina Perez.

Parathënia e ‘Mesharit Romak pёr Dioqezat e Zairit’ është nënshkruar nga Papa Françesku, në shtojcë është Rituali kongolez i Meshës së kremtuar nga Ati i Shenjtë Françesku më 1 dhjetor 2019, shoqëruar nga disa fotografi të ceremonisë. Mbi “Mesharin Romak pёr Dioqezat e Zairit’ flasin Kardinali Silvani Maria Tomasi, At Bruno Silvestrini, benediktin, liturgjik dhe jezuiti at Pierre Bojoko, përgjegjës i redaksisë franceze pёr Afrikën pranё Radio Vatikanit – Vatican News.

Riti zairean i Mesharit Romak është "deri tani i vetmi rit i inkulturuar i Kishës Latine i miratuar pas Koncilit II të Vatikanit" dhe "ky proces i inkulturimit liturgjik në Kongo është një ftesë për t’i vlerësuar dhuratat e ndryshme të Shpirtit Shenjt, që janë një thesar për mbarë njerëzimin”. Papa Françesku e nënvizon këtë në parathënien e tekstit tё ‘Mesharit, që paraqitet sot pasdite, qëllimi i të cilit është pikërisht njohja në thellësi e aspekteve të ndryshme të "Mesharit Romak për Dioqezat e Zairit", miratuar në vitin 1988 nga Kongregata e Selisё sё Shenjtё për Kultin Hyjnor.

Nё parathënen e ‘Mesharit Romak pёr Dioqezat e Zairit’ Papa Françesku shkruan:

Gëzohem për këtë ngjarje shumë të rëndësishme për Kishën në Afrikë. Faleminderit që më dhatë mundësinë t'i bashkohem kësaj ngjarjeje të prezantimit të vëllimit në ritin kongolez të kremtimit të Meshës. Një vit pas kremtimit të Meshës së Shenjtë të cilën e kryesova në ritin kongolez në Bazilikën e Shën Pjetrit, Shtëpia Botuese e Vatikanit boton një vëllim mbi kёtё ngjarje.

Vëllimi është redaktuar nga Motёr Rita Mboshu Kongo e ka si nëntitull "Një rit premtues për kultura tjera". Pikёrisht ky nëntitull tregon arsyen themelore të këtij botimi, një libër që është dëshmi e një kremtimi të jetuar me fe dhe gëzim. Rëndësia shpirtërore e kishtare dhe qëllimi baritor i kremtimit eukaristik në ritin kongolez, kanё qenё bazat e hartimit të vëllimit. Parimet e nevojës për studimin shkencor të adaptimit dhe tё pjesëmarrjes aktive tё besimtarёve në Liturgji, kërkuar fuqimisht nga Koncili II Kishtar i Vatikanit, kanë frymëzuar e udhëhequr autorët e këtij vëllimi.

Duke qenë riti i parë dhe i vetëm i inkulturuar i Kishës latine miratuar pas Koncili II i Vatikanit, përvoja e ritit kongolez të kremtimit të Meshës mund të shërbejë si shembull e model për kulturat e tjera. Një nga kontributet kryesore të Koncilit II tё Vatikanit ka qenë pikërisht propozimi i normave për t'u përshtatur me natyrën dhe me traditat e popujve të ndryshëm.

Ju nxis - siç u tha Shën Gjon Pali II ipeshkvijve të Kongos në vizitën e tyre ad limina apostolorum më 23 prill 1988 - të angazhoheni për të kompletuar ritin e lartpërmendur me tërё ritualin e sakramenteve dhe tё bekimeve e tё pёrshpirtёrive që keni në program.

Tё kujtojmë atë që kemi thënë qartë në Querida Amazonia për t’i "mbledhur në liturgji shumë elemente tipike të përvojës së popullit autokton në kontaktin e tyre intim me natyrën e për t’i shtyrë shprehjet vendase në këngë, valle, rite, gjeste dhe simbole. Koncili II i Vatikanit e pati kërkuar këtë përpjekje për të inkulturuar Liturgjinë në popujt indigjenë, por kanë kaluar më shumë se 50 vjet e në këtë drejtim kemi bërë pak përparim".

Riti kongolez i kremtimit Eukaristik pasuron e vlerëson gjuhët, ngjyrat e ndryshme, lëvizjet e trupit, që ndërveprojnë duke përdorur të gjitha dimensionet qё shprehin personalitetin e besimtarëve, gjithmonë duke pasur parasysh vlerat specifike të secilit popull.

Ky botim, të dashur vëllezër e motra, na kujton se protagonisti i vërtetë i ritit kongolez është Populli i Zotit që këndon e lëvdon Hyjin dhe Zoti Jezu Krisht që na shpëtoi të gjithëve. Shpresoj që ky botim të ndihmojë në arritjen e progresit tё vërtet në këtë drejtim. Faleminderit.

01 dhjetor 2020, 13:35