Kërko

Vatican News
2020.12.18 Gruppo di Studenti di lingua tedesca a Gerusalemme 2020.12.18 Gruppo di Studenti di lingua tedesca a Gerusalemme   (Vatican Media)

Papa: kur përjashtohet Zoti nga shoqëria, njeriu humbet vetveten

Gjatë audiencës në Sallën Klementine me një grup studentësh gjermanë të teologjisë, Françesku rikujtoi rolin e fesë në ndërtimin e një bote më të drejtë e më vëllazërore.

R. SH. - Vatikan

Dëshmitarë “të rëndësisë së Zotit në jetën e në përsosurinë që të dhuron feja e jetuar”, në një botë ku ka gjithnjë më pak vend për fenë! Kështu i quajti Papa Françesku rreth 30 studentët e rinj të teologjisë së “Theologisches Studienjahr” të Abacisë së Fjetjes së Hyjlindses në Jeruzalem.

Studienjahr -  kujtoi -  për studentët e teologjisë katolike e protestante  është mundësi për të njohur vendet biblike e për t’u takuar me Kishat lindore, me botën hebraike e atë islamike. Për shkak të pandemisë, programi i studimeve të këtij viti, për herë të parë, nuk u mbajt në Tokën Shenjte, por në Romë, pranë Ateneut Papnor të Shën Anselmit. E kjo   krijoi edhe  mundësinë për audiencën e sotme.

Detyra e feve, ta bëjnë të pranishëm Zotin

Ndonëse  këtë vit nuk mund ta jetojnë përvojën në Tokën Shenjte, duke jetuar “pothuajse në mërgim”, siç shprehet atë Nikodemus Schnabel, benediktin, prefekt i studimeve, Françesku i inkurajoi  ta studiojnë gjithnjë sa më thellësisht Shkrimin Shenjt, ekumenizmin e dialogun ndërfetar, karakteristikë dalluese e programit të tyre, duke kujtuar se në këtë drejtim Roma u krijon një mori mundësish:

“Do të jetë detyra juaj të hyni në dialog me një botë, që duket se ka gjithnjë më pak vend për fenë. Detyrë, që e ndajmë me të gjithë besimtarët e feve të ndryshme, duke e ditur se ta bësh të pranishëm Zotin, është një e  mirë e madhe për shoqëritë tona. Jemi të bindur se fetë ofrojnë një ndihmë të çmuar për vëllazërimin dhe mbrojtjen e drejtësisë shoqërore. E, nga ana tjetër, besojmë se kur, për shkaqe të ndryshme, synohet të përjashtohet Zoti nga shoqëria, përfundohet tek adhurimi i idhujve e, shumë shpejt, njeriu e humbet edhe vetveten”.

Krishtlindje me frymën e shtegtarëve në Betlehem

Papa uroi që ky studim pranë “Theologisches Studienjahr” të jetë  një etapë e rëndësishme në udhën e tyre formuese, shpirtërore dhe njerëzore e që, së shpejti, të mund ta njohin nga afër “tokën e premtuar”, viset e Shenjta të Biblës. Me syrin ngulur tek Krishtlindja - së fundi - Papa  kujtoi se “në shpirt të gjithë jemi shtegtarë drejt Shpellës së Betlehemit”. Ndërsa studentët i uroi të jenë “dëshmitarë të Zotit-me-ne!”.

18 dhjetor 2020, 13:31